Ndërlidhjet

Fëmijët të shqetësuar nga ngacmimet dhe dhuna


Ilustrim
Ilustrim

Organizata “Save the Children”, në bashkëpunim me Avokatin e Popullit në Kosovë, kanë realizuar hulumtimin “Zëri Ynë”, i cili paraqet atë se çfarë mendojnë dhe ndjejnë të rinjtë e moshës 12 deri në 16 vjeç, lidhur me dhunën, ngacmimin, njohuritë për të drejtat, shpenzimet në shkollë, të ardhmen, si dhe çështje të tjera, të cilat i përfshin Konventa për të Drejtat e Fëmijëve.

Të gjeturat tregojnë se mbi 35 për qind e vajzave dhe 36 për qind e djemve shqetësohen nga ngacmimi, apo siç njihet në botë, si “bullying”.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari ka thënë se ndonëse Kosova ka shënuar përparim në respektimin e të drejtave të fëmijëve, nevojitet një përkushtim dhe angazhim më i madh.

“Mund të them që ka pasur përparime dhe ka progres të gjithëmbarshëm, por raporti i fundit tregon se ka ende sfida, sidomos në sektorin e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në Kosovë. Ne do të angazhohemi në mënyrën më të mirë të mundshme që të dalat e raporteve dhe hulumtimeve që bëhen të jenë sfidat që kanë institucionet publike karshi fëmijëve”, ka thënë Jashari.

Ndërkaq, Ahmet Kryeziu nga “Save the Children” ka thënë se në bazë të hulumtimit që kanë bërë, ka rezultuar se fëmijët kanë shumë shqetësime dhe probleme, por zëri i tyre nuk dëgjohet aq sa duhet.

“Ne avokojmë për legjislacion dhe për politika që do të inkorporojnë praktika gjithëpërfshirëse, në mënyrë që akterët të kenë mekanizmat e duhura financiare për të bërë ndryshime të qëndrueshme për fëmijët. Kërkojmë vëmendjen e politikbërësve për çështjen e mbrojtjes së fëmijëve në përgjithësi. Fëmijët janë pjesë në planifikimin, implementimin, monitorimin dhe vlerësimin e punës së ‘’Save the Children’”, ka thënë Kryeziu.

Alma Gashi, nxënëse nga Ferizaj, e cila njëherësh është e angazhuar edhe ne organizatën “Respektoni të drejtat tona”, ka thënë se respektimi i të drejtave të fëmijëve në Kosovë nuk është në nivelin e dëshiruar.

‘’Gjendja e tanishme në respektimin e të drejtave të fëmijëve le për të dëshiruar. Gjendja emocionale e fëmijëve në shkolla, e shumicës së fëmijëve, e shkaktuar nga tallja, ka dalë nga hulumtimi të jetë shqetësuese. Gjithashtu fëmijët nuk dinë se ku të ankohen për shkelje të drejtave të tyre, ndonëse ata i dinë të drejtat e tyre”, ka thënë Gashi.

Hulumtimi është realizuar në tërë Kosovën, me anketimin e 1,588 të rinjve nga moshat 12 deri 16 vjeç. Ndër tjera, aty apostrofohet se fëmijët më së shumti ankohen për tallje ngacmimi apo “bullying” në shkollë, ku ka rezultuar se 76 për qind e fëmijëve kanë parë dikë të jetë goditur ose qëlluar.

Fëmijët gjithashtu kanë thënë se ndonëse dinë për të drejtat e tyre, ata nuk dinë se ku të ankohen në rast të shkeljes së të drejtave të tyre, qoftë në shkollë, apo edhe në familje. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG