Subjekti politik, Lista Serbe, që përfaqëson komunitetin serb në institucionet e pushtetit lokal dhe qendror në Kosovë, është në pritje të ftesës nga kryeministri dhe partitë e koalicionit qeverisës që të bisedojnë rreth kthimit në institucione.
Kjo listë, mori vendim që të ngrijë përfaqësimin në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës në shenjë proteste pas miratimit të Ligjit për Trepçën dhe atij për Investimet Strategjike, të cilat i ka vlerësuar se janë në kundërshtim me interesat e serbëve të Kosovës, por edhe interesat e Serbisë, ngase si subjekt politik në Kosovë është themeluar dhe mbështetur nga Beogradi zyrtar. Këtë vendim, kjo listë e mori në fillim të muajit tetor.
Kryetari i Listës Serbe, Sllavko Simiq, ka deklaruar se ai dhe Lista Serbe janë të gatshëm të ulen dhe bisedojnë me kryeministrin Isa Mustafa dhe krerët e partive partnere të koalicionit në Prishtinë.
“Ne edhe më tutje presim që partnerët tanë të koalicionit të na ftojnë dhe të na propozojnë se si ta tejkalojmë këtë vakuum politik dhe këtë krizë politike”, ka thënë Simiq për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, varësisht ftesës dhe propozimit që do të ofronin krerët e koalicionit në Prishtinë, atëherë Lista Serbe do të vendoste nëse do të rikthehej apo jo në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës.
Për Listën Serbe, çështja kryesore në vazhdim mbetet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si produkt i marrëveshjes së arritur në Bruksel, në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
“Prioritet mbi prioritetet për bashkësinë serbe në Kosovë, është themelimi i Asociacionit të komunave dhe se për ne është shumë me rëndësi që të nisë ky proces”, ka thënë Simiq.
Ai ka nënvizuar, po ashtu, se pala serbe është e gatshme dhe se tashmë është formuar ekipin punues që do të përgatisë statutin dhe aktin e themelimit, kurse hapat tjerë i mbeten Prishtinës zyrtare.
Por, përderisa për rikthimin e Listës Serbe në institucione, krerët e koalicionit nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë nëse do t’i procedojnë ndonjë ftesë për takim, lidhur me Asociacionin, nga Qeveria ka një përgjigje.
Kryenegociatorja e palës së Prishtinës në dialog me Beogradin, ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka deklaruar se Beogradi fillimisht duhet t’i shuajë strukturat paralele të pushtetit në veri të Kosovës dhe më pastaj të bisedohet për Asociacionin.
Po ashtu, Tahiri ka kërkuar që Beogradi të fillojë me zbatimin e marrëveshjeve, për të cilat tashmë janë dakorduar në dialogun e Brukselit.
“Ne kemi kërkuar zbatimin e marrëveshjeve, heqjen e barrikadës mbi urën kryesore të lumit Ibër, që u hoq në gusht, kodin telefonik dhe zhbllokimin e marrëveshjes për energjinë. Për ne, zbatimi i marrëveshjeve është me rëndësi. Pasi që të zbatohet marrëveshja për kodin telefonik, atëherë mund të flasim për Asociacionin”, ka thënë Tahiri.
Insistimi i ministres Tahiri, por edhe Qeverisë së Kosovës që shuarja e strukturave paralele të pushtetit në veri t’i paraprijë themelimit të Asociacionit, nuk ëshët pëlqyer nga Lista Serbe dhe drejtuesi i saj, Sllavko Simiq.
Ai ka thënë se këto organe që për Prishtinën njihen si paralele dhe jo legale, për serbët janë institucione të Serbisë dhe të serbëve lokalë. Sipas tij, ato do të mbesin funksionale edhe pas themelimit të Asociacionit.
“Qytetarët tanë, përkatësisht bashkësia serbe edhe më tutje përkrahjen kryesore e sheh tek institucionet e përkohshme serbe dhe sigurisht që shuarja e tyre nuk duhet të ndodhë pa formimin e Asociacionit, edhe pse edhe pas themelimit, këto institucione nuk duhet të zhbëhen në tërësi”, është shprehur Simiq.
Lista Serbe në Prishtinë shihet edhe si një lloj produkti i dalë nga dialogu politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ky subjekt politik ishte mbështetur nga Beogradi zyrtar në zgjedhjet e fundit në Kosovë të mbajtura në të dyja nivelet.
Përfaqësuesit serbë kanë peshë të konsiderueshme në vendim-marje në institucionet e Kosovës, ngase pa mbështetjen e tyre, nuk mund të bëhet asnjë ndryshim kushtetues, përfshirë vendimin për një prej çështjeve më të përfolura vitet e fundit, siç është themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës. (REL)
Facebook Forum