Qeveria e Kosovës duhet që të përzgjedh bordin mbikëqyrës të Trepçës, në mënyrë që të fillohet me zbatimin e ligjit për Trepçën, i cili ka hyrë në fuqi në fund të muajit të kaluar. Në bazë të këtij ligji, pronësia e kompleksit Trepça do të bartet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) tek Qeveria e Kosovës.
Pas përzgjedhjes, i mbetet bordit që të nis me procesin e transformimit dhe ristrukturimit, me qëllim të krijimit të politikave për zhvillimin e kombinatit.
Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës, si aksionare kryesore, është duke ndërmarrë masat që të bëjë një strukturë të përkohshme të qeverisjes së Trepçës, deri në aprovimin e statutit dhe regjistrimin e saj si shoqëri aksionare, ka thënë Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik në Kuvendin e Kosovës.
“Do të jetë një periudhë transitore e kalimit nga Agjencia Kosovare e Privatizimit tek Qeveria dhe do të krijohet bordi i përkohshëm mbikëqyrës dhe bordi menaxhues, deri sa të bëhet statuti, të aprovohet, regjistrohet dhe të funksionojë pa pengesë Trepça”, ka thënë Mustafa për Radion Evropa e Lirë.
Sipas ligjit, qeverisja për Trepçën bëhet nga Bordi Mbikëqyrës dhe Bordi Menaxhues. Bordi Mbikëqyrës përbëhet nga nëntë anëtarë, të cilët nuk mund të jenë anëtarë të forumeve politike, por që duhet të jenë ekspertë në fusha të caktuara, që nevojiten për mbikëqyrjen e kombinatit. Ky bord më pas zgjedh edhe anëtarët e Bordit Menaxhues të Trepçës.
Edhe statuti i Trepçës hartohet nga Bordi Mbikëqyrës dhe miratohet nga aksionarët.
Ministria, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, do të ndërmarrë të gjitha veprimet juridike për regjistrimin e kësaj ndërmarrjeje në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, agjenci kjo që funksionin në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Drejtori i kombinatit, Ahmet Tmava, ka treguar se është duke u punuar intensivisht dhe për këtë çështje të hënën ka pasur takime më zyrtarë të qeverisë. Ai thotë se të gjithë hapat pasues për zhvillimin e Trepçës varen nga Bordi Mbikëqyrës.
“Qeveria duhet ta bëjë Bordin Mbikëqyrës, pas Bordit Mbikëqyrës të bëhet statuti dhe regjistrimi i ndërmarrjes dhe pastaj të bëhet një plan zhvillimor. Unë po mendoj se kjo shumë shpejt do të bëhet, sepse të gjithë hapat pasues janë nga Bordi Mbikëqyrës. Më pas të gjitha politikat zhvillimore dhe një strategji zhvillimore duhet të bëhen nga organet e Bordit Mbikëqyrës dhe Menaxhues”, shprehet Tmava për Radion Evropa e Lirë .
Zgjedhja e Bordit Mbikëqyrës është i rëndësisë së veçantë, pasi Bordi do të ketë kompetenca për zbatimin e ligjit dhe përgatitjen e planeve zhvillimore për kombinatin metalurgjik Trepça, thonë ekspertë të kësaj çështje.
Profesori Muhamet Sadiku, për Radion Evropa e Lirë shprehet se Bordi duhet të ketë strategji të zbatueshme, përmes së cilës do të hap Trepçën për investime të ardhshme dhe partneritet publiko-privat.
“Pikënisja e zbatimit të ligjit është që të zgjidhet një bord që ka kapacitete profesionale dhe menaxhuese, në mënyrë që të mos të përsëritet e kaluara në zgjedhjen e bordeve të ndryshme, ku kanë dominuar bordet politike."
"Pra, Trepçës, në Mitrovicë, i duhet një bord që të ketë trurin e kësaj veprimtarie, xehtarisë, minierave, përpunimin e metaleve, në mënyrë që të bëhet diçka dhe që Trepça të fillojë të funksionojë”, thotë Sadiku.
Më pas, Muhamet Mustafa tregon se Qeveria e Kosovës do të krijojë një strategji në bazë të studimit të fizibilitetit.
“Dhe pastaj Trepça vazhdon zhvillimin e saj në bazë të studimit të fizibilitetit dhe strategjisë që do të bëjë Qeveria në bazë të studimit të fizibilitetit, e cila duhet të aprovohet në Kuvend".
"Ligji hap shumë perspektiva për zhvillimin e Trepçës, për arsye se është shumë miqësore ndaj investimeve”, ka thënë Mustafa.
Ndryshe, në muajin shtator Agjencia Kosovare e Privatizimit ka bërë të ditur se ka nënshkruar kontratë me një kompani gjermane për ofrim të shërbimeve profesionale për zbatim të studimit të fizibilitetit të Trepçës, me orientim strategjik për zhvillim të saj. (REL)
Facebook Forum