Ndërlidhjet

Gratë afgane i marrin armët kundër talibanëve


Afganistan - Gratë në veri të vendit që po i luftojnë talibanët
Afganistan - Gratë në veri të vendit që po i luftojnë talibanët

Një lidere e milicisë së re, të përbërë nga femrat në pjesën veriore të Afganistanit, thotë se dhjetëra vullnetare i janë bashkuar luftës, të inspiruara nga disa gra, që aktualisht i morën armët për t'u mbrojtur kundër sulmeve të talibanëve në komunitetin e tyre.

Femrat në rajonin Darz-Ab, në provincën Jovzjan, fillimisht kanë luftuar së bashku me forcat lokale për parandalimin e militantëve kundër qeverisë, që ta marrin kontrollin në fshatin Shahtot, në fund të muajit tetor.

Por, radhët e tyre janë shtuar në më se 45 femra, thonë banorët lokalë, ndërsa shumica e tyre kanë shitur bagëti për të blerë armë.

Gratë luftojnë së bashku me burrat

Gruaja e një oficeri lokal të policisë, Zarina, 53 vjeçare, e cila është komandante e femrave luftëtare, tha se ajo dhe gratë e tjera nuk kishin zgjidhje tjetër.

“Numri i personelit të policisë ishte shumë i vogël, prandaj ne është dashur t’i marrim armët së bashku me burrat tanë”, i tha Zarmina redaksisë për Afganistanin të Radios Evropa e Lirë.

Ajo ka shtuar se “derisa talibanët e sulmuan stacionin e policisë, e largova shaminë time nga koka dhe kam shtënë me armë nga disa pozicione të ndryshme”.

“I kisha 21 plumba dhe i vrava 7 talibanë”, ka pretenduar Zarmina.

Kjo forcë përbëhet kryesisht nga pjesëtaret e uzbekëve etnikë dhe aimaks - që është një pakicë që flet persisht - në provincën Jovzjan, që është rajon multietnik, i cili në pjesën veriore kufizohet me Turkmeninë.

Guvernatori i provincës, Darz-Ab, Ramatullah Hashar, tha se zyrtarët lokalë, liderët fisnorë dhe fshatarët, e kanë mbajtur një ceremoni për të treguar mbështetje për nismën e grave.

“Hapësira ku këto gra kanë guxim të luftojnë kundër talibanëve është afro 20 kilometra nga qendra e rajonit dhe ne i kemi inkurajuar ato”, tha Hashar, duke shpjeguar se “ato janë pritur me mirëseardhje nga fshatarët dhe liderët fisnorë”.

Milicia femërore

Anëtarja e Këshillit provincial, Halimah Sadaf, i tha Radios Evropa e Lirë se disa pjesëtare të kësaj milicie, të përbërë prej femrave në fshatin Shahtot, janë në mesin e 51 grave që në këtë territor kishin luftuar kundër forcave sovjetike në vitet e 80-ta.

“Darz-Ab ishte njëra nga hapësirat kryesore ku muxhahedinët u ngritën kundër invadimit sovjetik”, tha Halimah Sadaf, duke shtuar se “gratë në këtë hapësirë janë të afta për të luftuar, janë të afta për të udhëhequr dhe ato janë trimëresha”.

Të forcohet policia

Zyrtarët lokalë kanë kërkuar nga qeveria që t’i furnizojë luftëtaret me armatim dhe pajisje.

Por, sipas tyre, është shumë e rëndësishme që policia lokale të përforcohet, në mënyrë që femrat të mos kenë nevojë të luftojnë.

“Ne kemi 1,600 policë në Jovzjan, që nuk mjafton”, tha Mohammad Razaghafori, zëdhënës i guvernatorit lokal.

Ai mëtutje shpjegon se “kushtet kanë ndryshuar tash dhe qeveria duhet ta shtojë numrin e policëve lokalë dhe kombëtar për të garantuar siguri në të gjitha rajonet, në mënyrë që gratë të mos kenë nevojë të luftojnë”.

Siguria në rajonin Darz-Ab ishte përkeqësuar në muajt e fundit, pasi talibanët i kishin shtuar sulmet kundër forcave kombëtare në gjithë Afganistanin.

Guvernatori në Darz-Ab ka thënë muajin e kaluar se luftëtarët e ndërlidhur me grupin ekstremist, Shteti Islamik - që ka okupuar territore të gjëra në Siri dhe Irak dhe pretendon krijimin e kalifatit islam global - i kanë shtuar operacionet në këtë rajon dhe i kanë okupuar disa fshatra.

Zëvendëspresidenti i parë i Afganistanit, Abdul Rashid Dostum, i cili aktualisht e udhëheq fushatën ushtarake kundër talibanëve në pjesën veriore të Afganistanit, ka tërhequr vërejtjen se grupi ekstremist, Shteti Islamik, po planifikon sjelljen e 7 mijë pjesëtarëve të vet në veri të Afganistanit.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG