Ndërlidhjet

Si u bë Maqedonia qendër globale e keqinformimit pro Trumpit?


Qyteti i Velesit që ndodhet në pjesën qendrore të Maqedonisë, sërish është gjendur në faqet e medieve të njohura botërore dhe sërish për të njejtën temë edhe atë vetëm disa ditë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

Pas Gardianit, edhe Buzzfeed shkruan për fenomenin e hapjes së faqeve, të rreme, të internetit që favorizojnë kandidatin republikan, Donald Trump.

Si lajm i parë në një nga faqet këtilla të hapura në internet është se kandidatja demokrate, Hillary Clinton do të paditet nga Trump, i cili siç thuhet, do të jetë president i ardhshëm i SHBA-ve.

Teksti i kësaj faqeje të internetit është transmetuar edhe nga portale tjera, si i vërtetë. Një nga themeluesit e kësaj faqe, i cili nuk dëshiron të publikojë identitetin, tha se qëllimi i tij kryesor ishte që të fitonte para pë studime.

“Unë vendosa të hap faqen e internetit pasi nuk kisha punë dhe e kisha të lehtë meqë punoja nga shtëpia. Shtrohet pyetje pse Trampin? Atë, pasi është më i lexuar dhe ka interes më të madh për të. Përfitimi ndryshonte nga muaji në muaj, por është i mjaftueshëm për një student”, tha për Radion Evropa e Lirë themeluesi i faqes së internetit.

Ai bën të ditur se këtë punë tani e ka ndërprerë pasi ka gjetur punë tjetër me një stabilitet më të qëndrueshëm financiar, por edhe për shkak se kishin filluar të hapen edhe faqe tjera që i kishin ulur përfitimin.

Ai thotë se gjatë punës së tij nuk mbanin llogari për besueshmërinë e lajmeve që publikonin pasi me rëndësi ishte që lajmi të jetë tërheqës për opinionin.

Faqet e tilla të internetit madje publikojnë edhe anketa sipas të cilat maqedonasit, por edhe shtete tjera të rajonit, më shumë e përkrahin Trumpin se kandidaten demokrate Hillary Clinton.

Viktor Dano është redaktor në portalin informativ it.mk. Ai nuk beson se bëhet fjalë për interesa politike, por se në pyetje është përfitimi përmes reklamave, që, sipas tyre, mund të arrihen nëse publikohen lajme sensacionale, siç janë ato për Trampin.

“Por ajo që ata bëjnë mendojnë se është kriminalitet dhe mashtrim pasi së pari vjedhin përmbajtje të lajmeve, bëjnë plagjiat dhe paraqesin lajme të rrejshme. Bëhet fjalë për mashtrime që të tërheqin lexues dhe reklama për para edhe pse biznesi nuk është shumë i qëndrueshëm”, thotë Dan.

Mersel Bilali, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Fon dhe ish deputet, thotë se portalet e tilla nuk pasqyrojnë realitetin sa i përket politikës së jashtme edhe pse këtu sipas tij është në rritje disponimi pro rus dhe kjo mund t'i ketë nxitur që të përfitojnë sa më shumë duke publikuar lajme qoftë edhe të rrejshme për kandidatët presidencial.

“Dhe gjithë ata që e gjejnë veten në orientimin pro Moskës veprojnë në këtë formë. Unë mendoj se nuk është e rastësishme pasi lufta bëhet për çdo votë. Ka disa maqedon atje dhe ndoshta dikush tenton që prej këtu t'i bindë se për kë të votojnë”, thotë Bilalli.

Ndryshe, zgjedhjeve presidenciale në SHBA po i kushtohet vëmendje e theksuar në mediet e këtushme duke transmetuar fushatën dhe prononcimet e kandidatëve për president para se gjithash ato që kanë të bëjnë me politikat globale. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG