Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të papranueshme kërkesën e Listës Serbe për anulimin e Ligjit për Trepçën, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
Pas vlerësimit që i ka bërë kërkesës së Listës Serbe, Gjykata Kushtetuese e ka refuzuar edhe kërkesën për masë të përkohshme si të paaplikueshme.
Gjykata Kushtetuese ka kërkuar që të vazhdojnë procedurat dhe Ligji për Trepçën t’i procedohet Presidentit të Kosovës për nënshkrim, me çka do të mund të botohet edhe në gazetën zyrtare, si procedura të nevojshme për hyrjen ne fuqi.
“Gjykata gjen se parashtruesit e kërkesës nuk kanë dëshmuar pretendimin e tyre në baza kushtetuese dhe nuk kane paraqitur prova që Gjykata gjen se kërkesa e Listës Serbe është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese."
"Prandaj, Gjykata deklaron që Ligji për Trepçën është në pajtueshmëri me Kushtetutën, përkatësisht është kushtetues."
"Rrjedhimisht, Gjykata e konsideron të nevojshme t'ua tërheq vëmendjen të gjitha palëve të interesuara në faktin se të gjitha aktet ligjore dhe administrative që mund të jenë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Trepçën stopohen dhe nuk do të implementohen", thuhet në aktvendimin e Kushtetueses.
Deputetët e Listës Serbe i ishin drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës me kërkesën për shqyrtimin e ligjshmërisë së miratimit të Ligjit për Trepçën.
Deputeti Slavko Simiq, kryetar i Listës Serbe, kishte deklaruar se me miratimin e këtij ligji janë shkelur mjaft dispozita të Kushtetutës, si dhe Rregullorja e Kuvendit.
Sipas tij, me miratimin e Ligjit për Trepçën, nuk janë respektuar interesat vitale të bashkësisë serbe dhe se ligji nuk është shqyrtuar në Komisionin Parlamentar për Komunitete dhe Këshilli Konsultativ për Komunitete.
Kjo, sipas Simiqit, paraqet shkelje të Kushtetutës së Kosovës, në nenet të cilat kanë të bëjnë me bashkësitë pakicë dhe të drejtat e bashkësisë serbe në Kosovë.
Ligji për Trepçën është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në seancat e 7 dhe 8 tetorit, me të cilin, siç thanë deputetët, gjiganti ekonomik do të rimëkëmbet dhe do të rikthehet në treg.
Ky Ligj qe miratuar me 79 vota për, asnjë kundër dhe 14 abstenime, por pa praninë e deputetëve serbë në sallën e Kuvendit.
Ligji e përcakton Qeverinë e Kosovës si pronare të 80 për qind të aksioneve të kombinatit, me synimin, siç thotë, të rikthimit të kontrollit në gjithë gjigantin. (REL)
Facebook Forum