Kandidati republikan për president amerikan, Donald Trump, dhe drejtori i Inteligjencës Kombëtare, James Clapper, konsiderojnë se ka potencial për konflikt me Rusinë, nëse Shtetet e Bashkuara e miratojnë planin për Sirinë të kandidates demokrate për presidente, Hillary Clinton.
Trump ka akuzuar se ky plan mund të çoj në luftë të hapur, Luftën e Tretë Botërore, siç është shprehur, derisa zoti Clapper tha se Rusia mund ta rrëzojë ndonjë aeroplan amerikan, nëse Shtetet e Bashkuara përpiqen ta imponojnë zonën e ndalim fluturimit në disa pjesë të Sirisë, siç ka propozuar Hillary Clinton.
Konsideroj se nuk përjashtohet mundësia që “ata do ta rrëzonin aeroplanin amerikan nëse ndjejnë se është kërcënim për forcat e tyre në terren”, i tha mbrëmë vonë zoti Clapper moderatorit të rrjetit CBS, Charlie Rose.
Rusia në Siri ka vendosur sistem ajror shumë të avancuar mbrojtës dhe nuk do ta kishte bërë këtë nëse nuk do ta përdorte, thotë James Clapper.
Administrata e presidentit amerikan, Barack Obama, është përmbajtur nga imponimi i zonës së ndalim fluturimeve për mbrojtjen e civilëve në Siri, pjesërisht për shkak të potencialit për konfrontim direkt ushtarak me Rusinë, derisa aeroplanët amerikanë do të synonin zbatimin e zonës së ndalim fluturimit.
Megjithatë, Hillary Clinton është e vetmja që ka bërë thirrje për një zonë të tillë në Siri.
Mike Pence, kandidat republikan për zëvendëspresident, po ashtu, është shprehur në favor në një qasjeje të tillë.
Por, zoti Trump në një intervistë për agjencië Reuters tha se kjo gjë do të çonte në mënyrë të pashmangshme në konfrontim me Rusinë.
“Siria tashmë nuk është Siri. Siria është Rusi dhe Irani i ri, që ne e ndërtuam me marrëveshjen për Iranin, që është njëra nga marrëveshjet më të këqia të negociuara, që ndonjëherë e kam parë. Ajo që ne duhet të fokusohemi është ISIS-i. Ne nuk duhet të fokusohemi në Siri. Me planin e saj ju do të përfundoni në Luftën e Tretë Botërore me Sirinë”, tha Donald Trump.
Lidhur me Rusinë, zotit Clapper tha se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është “diçka si kthim” në “epokën e carit”.
“Mendoj se ai e ka vizionin e tij të Rusisë së madhe, si fuqi e madhe”, tha Clapper dhe ka shtuar se “është jashtëzakonisht e rëndësishme për të që Rusia të trajtohet dhe respektohet si fuqi globale në çift me Shtetet e Bashkuara”.
Lidhur me pretendimet e administratës Obama se sulmet aktuale kibernetike kundër faqeve të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara janë të orkestruara nga Rusia, zoti Clapper tha se përgjigjja amerikane ndoshta nuk ishte në formën e sulmit reciprok kibernetik, por theksoi se përfundimisht, Rusia do ta paguaj çmimin.
Ai është shprehur se me gjasë Rusia nuk kishte dorë në sulmet në Internet që i paralizuan shumë web faqe javën e kaluar, përfshirë kompanitë Amazon, eBay, Twitter, Spotify, Netflix dhe CNN.
Sipas tij, hakerët joshtetërorë, që i kanë kryer sulmet kibernetike të javës së kaluar, janë bile më djallëzor se sa aktorët shtetërorë, siç janë Rusia dhe Kina.