Ndërlidhjet

Të rinjtë në hall me menaxhimin e parasë


Të rinjtë dhe paraja
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:04 0:00

Ndonëse shumica studentë dhe të papunë, të rinjtë kosovarë e konsiderojnë si sfiduese shpenzimin e buxhetit mujor që disponojnë. Ky buxhet, sipas atyre që i kemi anketuar, kryesisht përfshinë vlerën deri në 80 euro në muaj.

Me këtë buxhet, të rinjtë blejnë kryesisht libra dhe literaturë të nevojshme për studime, derisa kursejnë për veshmbathje dhe argëtim.

Këta të rinj, kryesisht thonë se dinë ta menaxhojnë buxhetin që kanë, por ka edhe të atillë që kursimet nuk i kanë shumë në qejf.

Në rubrikën e përjavshme VOX të Radios Evropa e Lirë, kemi marrë mendimet e të rinjve lidhur me këtë çështje.

Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:04:19 0:00
Shkarkoje

Besarta Berisha është studente e historisë në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”. Ajo thotë se buxhetin e saj e ka të mjaftueshëm, aq sa ta kalojë muajin, ndonëse nuk punon.

“Mendoj se aq sa kanë të holla dinë edhe ta menaxhojnë paranë të rinjtë. Unë buxhetin mujor e kam mjaftueshëm që t’ia dalë mirë. Shpenzoj më shumë për fakultet. Për luks nuk shpenzoj. Nuk shpenzoj shumë në kafeteri dhe veshmbathje, por as keq nuk e lë”, thotë Berisha.

Ndërkaq, Arian Mustafa, student, mendon se është menaxher i mirë i të hollave.

“Mendoj që e menaxhoj shumë mirë. Nuk shpenzoj për gjana të panevojshme. Shpenzoj për studime dhe gjëra personale për çka më duhet t’i përdori të hollat. Shumë të rinj mendoj se shpenzojnë pa nevojë. Studimet janë të shtrenjta. Ata shpesh mbesin pa pare. Blerja e librave dhe materiale të nevojshme kushtojnë shumë”.

“Unë kur dal me shoqëri paguaj për kafe apo gjëra tjera, edhe për veshmbathje aq sa kam nevojë, por nuk shpenzoj pa nevojë asnjëherë”, thekson Mustafa.

Labinot Halimi, student i fakultetit të Historisë në Universitetin e Prishtinës, mendon se të rinjtë nuk dinë ta menaxhojnë mirë paranë. Ai jep arsyet e veta se pse mendon kështu.

“Të rinjtë, në përgjithësi, mendoj se nuk dinë të menaxhojnë mirë me të holla. Shpenzojnë në vende jo adekuate, si në kafeteri apo në lojëra elektronike. Unë shumën më të madhe të parave e shpenzoj kryesisht në literaturë. Punoj pak dhe të hollat që i marr i kam për studime. Mendoj se ia dal, por është problem pasi që çmimet janë shumë të larta për çdo gjë. Megjithatë, unë e kam më të lehtë, pasi ne të gjithë në familje punojmë”, thotë Halimi.

Në anën tjetër, Soner Qerkezi, student i fakultetit të ekonomisë, ka thënë se kryesisht shpenzon në literaturë, kurse kursen në shpenzimet tjera. Ai thotë se ka 80 euro në muaj që duhet t’i menaxhojë mirë.

“Paranë e menaxhoj ashtu si duhet. Më shumë e shpenzoj për literaturë dhe për gjana të nevojshme. Kursej para më së shumti që të blej literaturë. Sa i përket jetës së përditshme, shpenzoj edhe në kafeteri me shoqëri, por pak. Kam 80 euro buxhetin mujor”, thotë Qerkezi.

Arlinda Gashi, është studente e psikologjisë. Ndonëse nuk punon, ajo thotë se nuk qëndron keq me para, pasi i ndihmon familja. Por, edhe si studente e dalluar ka marrë një bursë, e cila i ka ndihmuar shumë.

“Vitin e fundit kam shpenzuar për libra, dhe jo të fakultetit, por të fushave tjera, sepse më kanë interesuar. Unë nuk punoj dhe familja më përkrah financiarisht. Nuk kam pasur rastin të mbes pa të holla. Edhe fakulteti ka ofruar bursa dhe unë kam pasur fatin me marrë një bursë, kështu që mendoj se mirë po ia dal si studente”, thekson Gashi.

Por, ka edhe të tillë që - ndonëse mundohen që ndonjë muaj nga buxheti të kursejnë - nuk mund t’ia dalin, pasi siç thonë, pjesa më e madhe e parave u shkon për ushqim. Ky është Krenar Musliu.

“Parat mundohem t’i menaxhoj sa më mirë, dhe kjo që t’ia dalë deri në fund të muajit. Me pagën që e kam mundohem të kursej diçka, por është shumë e vështirë. Nuk bëj luks, por pjesa më e madhe e parave më shkon në ushqim. Ndonjëherë veshje, normalisht. Pjesën ku shpenzoj më shumë janë udhëtimet, pasi që udhëtimet i kam pasion", thotë Musliu. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG