Shtetet e Bashkuara dhe Britania thonë se po e shqyrtojnë imponimin e sanksioneve të reja për t’i berë presion Qeverisë së Sirisë dhe aleatit të saj, Rusisë, për përfundimin e bombardimit në qytetin e rrethuar të Alepos.
Sekretari i jashtëm britanik, Boris Johnson, dhe sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, i kanë bërë thirrje Iranit dhe Rusisë, që janë aleatë kryesorë të presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, të pajtohen për armëpushim të ri, pasi marrëveshja për ndaljen e armiqësive, e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, u shkatërruan muajin e kaluar.
Këto komente të dy zyrtarëve të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë u bënë mbrëmë vonë, pas një takimi me aleatët në Londër, lidhur me përkeqësimin e situatës në Siri.
“Situata në Alepo po bëhet gjithnjë e më e keqe”, tha Boris Johnson.
Bisedat në Londër u bënë pak kohë pas takimit të zotit Kerry me ministrin e jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, dhe fuqive të tjera rajonale në qytetin Lozanë të Zvicrës, në të cilin palët dështuan të arrijnë marrëveshje për hapa konkretë për ta ndalur dhunën.
Për situatën humanitare në Alepo, zoti Johnson e ka fajësuar regjimin sirian, rusët dhe iranianët.
“Përgjigja reale, kam frikë, qëndron tek ata që po e kryejnë atë, dhe në masë të gjërë, ata janë regjimi sirian dhe udhëzuesit e tij, në formën e rusëve dhe iranianëve”, tha Boris Johnson.
Ai ka theksuar se po propozohen masa të reja për ata që janë përgjejgës për këtë situatë.
“Ka shumë masa që ne po i propozojmë, që kanë të bëjnë me sanksione shtesë ndaj regjimit sirian dhe mbështetësve të tij, masa për sjelljen e atyre që janë pëgjegjës për krime të luftës para Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Këto gjëra, eventualisht, do të vijnë për t’i goditur kryerësit e këtyre krimeve dhe ata tash duhet të mendojnë për këtë”, tha Boris Johnson, i cili, njëherësh, i ka bërë thirrje Moskës që “të bëjë gjë të drejtë për humanitetin dhe popullin e Sirisë”, duke u përkushtuar për armëpushim.
Sekretari i Jashtëm britanik, po ashtu, u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, që të veprojnë në mënyrë që Rusia “t’i ndjejë pasojat” e fushatës së saj ushtarake në Siri.
Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, ka konfirmuar se Uashingtoni po e shqyrton mundësinë e sanksioneve shtesë lidhur me Sirinë, por nuk e ka përmendur Rusinë.
“Ne po shqyrtojmë sanksione shtesë. Po ashtu, me lejoni ta bëjë të qartë, se presidenti Obama nuk e ka përjashtuar asnjë opsion nga tavolina në këtë moment. Gjatë disa ditëve të ardhshme ne do të shohim se ku jemi në kontekstin e diskutimeve që i kemi”, tha John Kerry, pas takimit në Londër.
Uashingtoni i ka suspenduar diskutimet bilaterale me Moskën lidhur me Sirinë, pas dy përpjekjeve të dështuara për implementimin e armëpushimit.
Situatën në Alepo, zoti Kerry e ka përshkruar si “katastrofën më të madhe humanitare prej Luftës së Dytë Botërore” dhe ka shtuar se atje janë kryer “krime kundër njerëzimit” në baza ditore.
Para tri javësh, Qeveria e Sirisë e ka lansuar një ofensivë për ta marrë kontrollin në pjesën lindore të qytetit Alepo.
Kombet e Bashkuara thonë se 275 mijë civilë ende gjenden në qytet, ndërsa afro 8 mijë kryengritës në këtë qytet, vazhdojnë të luftojnë kundër forcave siriane, ruse dhe iraniane.
Fuqitë perëndimore e kanë kuzuar Rusinë dhe Sirinë se kanë kryer krime duke i bombarduar spitalet, duke i vrarë civilët dhe duke mos lejuar evakuimet mjekësore.
Facebook Forum