Ndërlidhjet

Shpërbërja e parlamentit maqedonas kushtëzohet me miratimin e buxhetit


Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë

Partia maqedonase në opozitë, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, ka kërkuar mbajtjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Parlamentit të Maqedonisë, në të cilën do të duhet të shqyrtohet shpërbërja e kuvendit të Maqedonisë.

Me këtë veprim, sipas tyre, betonohet data e mbajtjes së zgjedhjeve më 11 dhjetor, ashtu siç arritën ujdi liderët e katër partive kryesore politike më 31 gusht, të njohur si marrëveshja e Përzhinos.

“Si pjesë e partive politike nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos, ne deputetët jemi të obliguar të dëshmojmë se e respektojmë marrëveshjen, për të garantuar zgjidhjen e krizës dhe për t’i mundësuar jetë më të mirë qytetarëve.”

“Çdo përpjekje për shtyrjen e shpërndarjes së Kuvendi nga ana e shumicës, VMRO-DPMNE dhe BDI, do të jetë dëshmi shtesë se qeveria e Nikolla Gruevskit dëshiron të ikë nga zgjedhjet e 11 dhjetori”, ka bërë të ditur kryetari i grupit parlamentar të LSDM-së, Goran Sugareski, pasi këtë kërkesë e ka dorëzuar edhe te kryeparlamentari, Trajko Veljanovski.

Kërkesë për shpërndarjen e Parlamentit të Maqedonisë ka dorëzuar dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Maqedonisë, parti kjo e vogël maqedonase, e cila është pjesë e Qeverisë së Maqedonisë.

“Kriza politike në Maqedoni është stërzgjatur dhe po i shkatërron perspektivat dhe zhvillimin e vendit. Për këtë arsye, janë të domosdoshme zgjedhjet korrekte dhe të besueshme”, deklaroi Pavle Trajanov, nga Lidhja Demokratike, duke theksuar se paraprakisht duhet të miratohet ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe ai për vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Speciale Publike.

Partia më e madhe maqedonase, VMRO DPMNE, përmes një komunikate me shkrim, i bën thirrje kryetarit të parlamentit që të thirr mbledhje urgjente, që fillimisht të marrë vizë buxheti për vitin 2017, i cili ka hyrë në procedurë më herët se vitet paraprake, për shkak të zgjedhjeve në dhjetor. Menjëherë pas kësaj, kërkohet që të caktohet mbledhja për shpërbërjen e parlamentit të Maqedonisë.

“Nëse LSDM është e bindur se do ta fitojë mbështetjen në zgjedhjet e ardhshme, nuk është kontestuese që në seancën e parë të votohet bilanci i buxhetit. Mos sjellja e Buxhetit do të ishte një rrezik potencial për futjen e shtetit në krizë financiare, përskaj krizës politike për të cilën po luftojmë që ta tejkalojmë”, theksohet në komunikatën për media të partisë maqedonase në pushtet, VMRO DPMNE.

Arben Halili, njohës i çështjeve ekonomike, këtë insistim të VMRO DPMNE-së e sheh si qëllim të pushtetit që të vjelë pikë politike gjatë zgjedhjeve, duke i joshur me projekte kapitale, për të cilat, siç thotë, realisht nuk ka mundësi që të realizohen.

“Arsyeja e vetme se pse insistohet të miratohet buxheti para se të shpërbëhet parlamenti është shumë e thjeshtë. Ky buxhet, ashtu si shumë të tjerë, por veçanërisht ky buxhet, i projektuar për vitin 2017, paraqet një nga fushëbetejat për vjeljen e votave gjatë procesit zgjedhor, duke promovuar me shumë pompozitet projektet kapitale që do të duhet të miratohen në bazë të këtij buxheti, por që realisht çdo qeveri më pas do të jetë e detyruar të bëjë rishikimin e buxhetit, duke shkurtuar mjetet për projekte e parapara”, vlerëson Halili.

Ndërkohë, Shërbimi për Informim i Parlamentit të Maqedonisë ka njoftuar se “Pika për shpërndarjen e Kuvendit do të vendoset në rend dite më 17 tetor, menjëherë pas pikës për miratim të Buxhetit për vitin 2017”.

(REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG