Ndërlidhjet

Ligji i ri zvogëlon aksidentet me fatalitet 


Ilustrim
Ilustrim

Zbatimi i ligjit të ri për komunikacionin vlerësohet se po tregon efektet e para. Si rezultat më i rëndësishëm potencohet fakti se në muajin e fundit ka rënë numri i aksidenteve me fatalitet dhe me lëndime trupore.

Kështu thonë autoritetet e rendit, sipas të cilave, periudha e njëjtë e këtij viti krahasuar me atë të vitit të kaluar shënon ulje për 13 për qind, nëse krahasohet numri i aksidenteve.

Ndryshe, nga 20 shtatori i këtij viti ka hyrë në fuqi ligji i ri për Rregullat e Trafikut Rrugor, përmes të cilit janë përcaktuar rregullat e reja për shoferë, këmbësorë dhe për pjesëmarrësit e tjerë në trafik.

Milaim Fejzullahu, nga njësiti për Trafik në Policinë e Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se, përpos aksidenteve me fatalitet dhe lëndime trupore, ka rënë dukshëm edhe numri i gjobave. Sipas tij, shoferët po tregojnë një vetëdijesim më të lartë lidhur me respektimin e rregullave në komunikacion.

“Tash e një muaj është fuqizuar ligji i ri i trafikut dhe bazuar në statistika të aksidenteve paraprake , në këtë muajin e fundit vërehet rënie e aksidenteve për rreth 13 për qind. Kryesisht ka rënie të aksidenteve fatale dhe me lëndime trupore”.

“Viteve paraprake ka pasur shumë aksidente, derisa tash vërehet një qetësi sa i përket qarkullimit rrugor. Është me rëndësi të ceket se edhe gjobat kanë rënë dukshëm, pasi ka shumë më pak kundërvajtës”, ka thënë Fejzullahu.

Në anën tjetër, ekspertë të fushës së komunikacionit thonë se ligji i ri i trafikut ka rezultuar pozitivisht në mbarëvajtjen e trafikut rrugor dhe rrjedhimisht edhe në rritjen e sigurisë në rrugë.

Muhamet Krasniqi, ekspert për çështje të komunikacionit nga Kolegji i shkencave të aplikuara teknike 'Tempulli', tha për Radion Evropa e Lirë se shoferët, por edhe këmbësorët, janë vetëdijësuar shumë sa i përket kulturës në komunikacion.

“Në bazë të të dhënave nga policia rezulton se ligji në fuqi për rregullat e trafikut rrugor ka ndikuar pozitivisht në mbarëvajtjen e trafikut rrugor”.

“Do të veçoja edhe rolin e mediave, pasi qytetarët janë informuar lidhur me pasojat në rast të mos respektimit të dispozitave ligjore. Trafiku duket më ndryshe prej hyrjes në fuqi të ligjit, pasi qytetarët tashmë kanë vetëdije më të lartë për sjelljet dhe veprimet e tyre në rrugë”, ka thënë Krasniqi.

Ndryshe, në Kosovë janë mbi 300 mijë makina të regjistruara, nga të cilat vetëm në Prishtinë afro 100 mijë, në një infrastrukturë rrugore që, siç thonë ekspertë të fushës, nuk mund ta mbajë këtë kapacitet.

Por, mekanizmat e sigurisë thonë se me ligjin e ri, përveç shqiptimit të pikëve negative, dënimet për shkelësit e rregullave të trafikut do të sillen nga 300 deri në 900 euro, dhe në raste të caktuara edhe me marrjen e patentë shoferit.

Qytetarët mendojnë se dënimet janë të larta dhe në shpërputhje me standardin jetësor në Kosovë. Majlinda Maloku, ekonomiste me profesion, jep mendimin e saj.

“Mendoj se dënimet deri në 900 euro janë tepër të larta. Sigurisht varet çfarë shkeljesh ke bërë në komunikacion dhe duhet dalluar edhe çmimi. Se nëse në trafik e shkel një njeri ajo nuk ka çmim, por nëse e tejkalon shpejtësinë për 10 apo 20 kilometra në orë, nuk mendoj që duhet me qenë dënimi 200 deri në 600 euro apo edhe deri në 900 euro, ashtu si i parasheh ligji”, thotë ajo.

Në anën tjetër, Muhamet Krasniqi thotë se ndonëse në çmim dënimet janë të larta, ato nuk krahasohen me jetën e njeriut, andaj, siç thotë ai, nëse respektohen rregullat e komunikacionit, atëherë çdo gjë do të jetë në rregull.

“Unë mendoj se më e shtrenjtë është jeta e njeriut. I mbijetuari do të paguante secilën kosto të çmimit e cila është e përcaktuar për kundërvajtje për shkelje të ligjit në komunikacion”, thekson Krasniqi.

Sidoqoftë, të paktën 50 persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar në aksidente trafiku në gjysmën e parë të vitit, flasin shifrat zyrtare të Policisë së Kosovës, ndërkohë që një numër aksidentesh kanë shënuar posaçërisht periudhën e verës.

Autoritetet e rendit thonë se vetëm gjatë vitit 2016 kanë shqiptuar 2,748 tiketa me gjobë, por shkeljet e rregullave në trafik dhe tejkalimi i shpejtësisë janë shndërruar në ‘tragjedi për shumë familje’. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG