Ndërlidhjet

Ymeri: Anulimi i këtij Demarkacioni, shmang luftën


Visar Ymeri
Visar Ymeri

Cenimi i integritetit territorial mund të prodhojë tensione të vazhdueshme në rajon, ka deklaruar kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Sipas tij, marrëveshja aktuale për Demarkacionin duhet të hidhet poshtë.

“Shmangia e ratifikimit të marrëveshjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës, natyrisht që është shmangie e luftës”, ka thënë Ymeri.

Në këtë intervistë, Ymeri akuzon Policinë e Kosovës për inskenim dhe montim të rastit të arrestimit të gjashtë aktivistëve të saj, nën dyshimet për sulm ndaj Kuvendit dhe e përjashton mundësinë që gjësendet dhe mjetet ilegale të zbuluara nga policia në një depo në Prishtinë, i përkasin Vetëvendosjes.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Ymeri, Lëvizja Vetëvendosje këto ditë doli me një propozim pesë pikësh në lidhje me çështjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Sa ofron zgjidhje ky propozim dhe a e keni diskutuar atë me pjesën tjetër të spektrit politik?

Visar Ymeri: Propozimi që e kemi bërë rreth pesë hapave që duhet të ndërmerren është rruga e vetme përpara, për sa i përket kësaj marrëveshje të Demarkacionit që e ka sjellë Qeveria e Kosovës. Ne kemi menduar që është e domosdoshme që kjo marrëveshje të hidhet poshtë. Pra, të rishqyrtohet dhe të përmirësohet sikurse metoda e përdorur, ashtu edhe përmbajtja tjetër e marrëveshjes, e veçanërisht konkluzat e saj.

Duhet ta kemi parasysh që Komisioni shtetëror ka qenë mandatar që ta shënjojë vijën kufitare, ndërkohë që ky Komision ka vendosur një kufi të ri, i cili e dëmton Kosovën për 8 mijë e 200 hektarë dhe natyrisht që kjo nuk është e pranueshme dhe as që mund të procedohet tutje në institucionet e Kosovës. Ndërkohë, në pesë pikëshin e propozuar nga ne shprehet qartë interesimi i Kosovës që ta shënjojë vijën kufitare me Malin e Zi, natyrisht duke mos e dëmtuar as integritetin territorial të Malit të Zi dhe as integritetin territorial të Kosovës.

Kjo është e arritshme dhe duhet të jetë e arritshme, sepse shtetet, e në veçanti ato që kanë fqinjësi njëra me tjetrën dhe që synojnë marrëdhënie të mira, siç i ka Kosova me Malin e Zi, duhet që këto marrëdhënie t’i ndërtojnë mbi bazën e reciprocitetit dhe respektimit të ndërsjellë të sovranitetit dhe integritetit territorial. Aq më tepër, që këto marrëveshje, në veçanti ajo për kufirin, të bëhet mbi bazën e parimeve të së Drejtës Ndërkombëtare Publike, gjë që nuk ka ndodhur me rastin e Republikës së Kosovës.

Ne e kemi bërë këtë propozim publik, në mënyrë që ta orientojmë debatin. Deri më tash nuk ka pasur kontakt nga subjektet tjera që ta diskutojmë me to. Ne jemi të gatshëm që të diskutojmë, por mendojmë që parimet e vendosura në këtë program janë të drejta dhe të dobishme, si dhe garantojnë një shënjim të drejtë të vijës kufitare dhe njëkohësisht mirëmbajtje dhe avancim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Radio Evropa e Lirë: Pse u desht edhe një propozim i Vetëvendosjes, kur ju, si Vetëvendosje dhe katër subjektet tjera politike parlamentare ishit duke biseduar rreth një deklarate të iniciuar nga Grupi Ballkanik, si përpjekje për tejkalimin e bllokadës së krijuar?

Visar Ymeri: Po, ky propozim i yni është hap që të ecet përpara. Pra, kah do të duhej të lëviznin institucionet e Kosovës karshi nevojës për ta shënjuar vijën kufitare dhe njëkohësisht edhe karshi procesit të marrëdhënieve të Kosovës me Bashkimit Evropian dhe veçanërisht në procesin e liberalizimit të vizave. Në këtë drejtim konsiderojmë që këto pika dhe një deklaratë e mundshme e përbashkët e subjekteve politike në të ardhmen, që po synohet nga shoqëria civile, nuk janë përjashtuese njëra me tjetrën, por janë edhe komplementare edhe të përbashkueshme. Ne edhe në atë deklaratë kemi bërë disa propozime që të futen si pika, sepse në formën në të cilën ajo ka qenë apo është aktualisht, mendojmë se është edhe e përgjithësuar dhe nuk zgjidh asgjë.

Qeveria e Republikës së Kosovës deri më tani nuk ka shprehur fare interesim për ta zgjidhur këtë çështje dhe në këtë drejtim konsiderojmë që qeveria, tani me vetëdije, është duke synuar që ta cenojë integritetin territorial të Kosovës, gjë që është e papranueshme për ne.

Policia inskenon skenat e sulmeve dhe zbulimit të mjeteve të paligjshme

Radio Evropa e Lirë: Mospajtimet rreth çështjes së Demarkacionit shtuan edhe tensionet e brendshme politike. Policia e Kosovës arrestoi aktivistë të Vetëvendosjes nën dyshimet për sulme ndaj Kuvendit, ndërkaq gjatë bastisjes së një objekti, i cili u tha se është në pronësi të Vetëvendosjes, u tha se u gjetën edhe mjete të palejueshme. Cila është përgjigja e juaj ndaj këtyre zhvillimeve?

Visar Ymeri: Këto rastet e fundit janë inskenime të kulluara të policisë, të cilat natyrisht që bëhen me urdhëra politik. Në këtë drejtim, konsideroj që kjo e dëshmon atë që ne e kemi thënë disa herë se sa thellë dhe gjerë është kapur shteti i Kosovës. Pra, aparati shtetëror, institucionet shtetërore dhe si ato po keqpërdoren nga politika për të luftuar kundërshtimin politik me mjete edhe me gjuhë të papranueshme për ne.

Ju e keni parë se si është zhvilluar rasti ndaj gjashtë aktivistëve të Vetëvendosjes, ku policia nuk ka ofruar kurrfarë dëshmie, as fakti, por vazhdohet me të njëjtin avaz që të ngre akuza dhe të paraqitet në publik me inskenime dhe montime, në mënyrë që ta fitojë opinionin publik kundër Lëvizjes Vetëvendosje dhe kundër aktivistëve të saj.

Por, kjo qartazi nuk po ka efekt, sepse të gjithë e kanë parë se këto janë raste të montuara. Konsideroj që pushteti aktual në Kosovë, pra ky regjim që do të duhej të ishte qeveri demokratike, po shndërrohet në regjim autoritar e nganjëherë edhe në përmasa të regjimit diktatorial, sepse montimi i rasteve karshi kundërshtarëve politik në asnjë vend demokratik nuk ka ndodhur kurrë. Me akuza e falsifikime e montime të rasteve, synon t’i dënojë aktivistët e kësaj Lëvizje dhe ta akuzojë Lëvizjen Vetëvendosje si një Lëvizje që ka ndërmarrë sulme terroriste. Pra, kjo e shpreh edhe njëherë panikun e këtij pushteti.

Radio Evropa e Lirë: Një sqarim këtu. Edhe gjësendet, mjetet jo legale që u gjendën në depon e bastisur, e të cilat u tha se ishin të Vetëvendosjes, janë pjesë e asaj që po i quani montim i policisë?

Visar Ymeri: Jo, s’janë të Vetëvendosjes ato. Policia është futur aty pa kurrfarë dëshmitari dhe aty ata ku e dimë ne se çfarë kanë bërë. Unë nuk do ta kisha pasur një dyshim të tillë në Policinë e Kosovës po të mos e kishte pasur një historik të gjërave të tilla, edhe karshi Vetëvendosjes, por që besa edhe në aspekte tjera.

Konsideroj që policia, pjesëtarët e policisë, një numër i madh i tyre, natyrisht që janë njerëz të mirë që ia duan të mirën vendit dhe punojnë në interes të Republikës së Kosovës. Por, ja që policia e Kosovës, kreu i saj, i lidhur drejtpërdrejt me koalicionin qeverisës dhe veçanërisht me SHIK-un dhe në anën tjetër me krimin e organizuar, që mbase është e njëjta gjë, janë duke e keqpërdorur aparatin apo institucionin e Policisë së Kosovës për të bërë inskenime të tilla.

Homogjenizimi i Serbisë, rrezik për rajonin dhe sidomos Kosovën

Radio Evropa e Lirë: Po në planin e jashtëm, u tha se Demarkacioni jo i drejtë do të mund të tensiononte raportet edhe me Malin e Zi. A besoni ju se rajoni ende mund të përfshihet në konflikte?

Visar Ymeri: Luftën ne as nuk e duam dhe as nuk e inkurajojmë. Mirëpo, lufta mund të ndodhë pikërisht atëherë kur synon ta shmangësh atë. Pra, kjo mungesë absolute e përgatitjes së Republikës së Kosovës për ta mbrojtur territorin e vet natyrisht që bëhet pastaj një sinjal i rrezikshëm për fqinjët, veçanërisht Serbinë që territori i Republikës së Kosovës është një pre i lehtë dhe rrjedhimisht i pushtueshëm.

Ajo çfarë ka thënë me këtë rast deputeti Albin Kurti është thënë më herët edhe prej një gazete me renome, në mos gabofsha ose 'New York Times' ose 'Washington Post', në një shkrim ku autori supozon që, meqenëse lëvizja e kufijve ka prodhuar luftëra gjithandej në botë, një gjë e tillë nuk mund të mohohet si mundësi as në Kosovë.

Ajo çfarë kemi thënë ne është që cenimi i integritetit territorial mund të prodhojë tensione të vazhdueshme dhe në këtë drejtim natyrisht që duhet me domosdo që marrëveshja aktuale për Demarkacion të hedhet poshtë, në mënyrë që Kosova ta ketë mundësinë e shënjimit të drejtë të vijës kufitare, për ta shmangur luftën. Pra, shmangia e ratifikimit të marrëveshjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës natyrisht që është shmangie e luftës.

Për sa i përket rajonit, ne po e shohim se çfarë po ndodhë. Marrëdhëniet midis vendeve të rajonit nuk kanë qenë kurrë më të këqija që nga përfundimi i luftërave këtu e deri më sot. Kemi në njërën anë një Kroaci e cila vazhdimisht është duke u armatosur, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në anën tjetër e kemi një Serbi e cila po homogjenizohet politikisht dhe po armatoset nga Rusia për çdo herë e më shumë.

Parlamenti i Serbisë nuk ka qenë kurrë më i homogjenizuar në ekstremin e djathtë nacionalist-shovenist sesa që është tani. Referendumi në Bosnje është një aspekt tjetër, në të cilin qartazi Republika Serbe i ka shprehur aspiratat e veta të ndahet nga Bosnja e Hercegovina dhe kështu të dal edhe nga Marrëveshja e Dejtonit. Pra, të gjitha këto zhvillime në rajon e tregojnë në njëfarë mënyre që mundësia për ta pasur një luftë të re në rajon është më e madhe sesa që mendohet.

Mendoj se është fëmijërore dhe naive nga ana e institucioneve dhe krerët e institucioneve të Kosovës që të sillen sikur kjo nuk është duke ndodhur.

Ne si Lëvizje Vetëvendosje nuk mendojmë se në politikë duhet të sillemi si makushi i cili në rast të rrezikut e fut kokën në rërë duke menduar se do ta shmang rrezikun, siç po bën Qeveria e Kosovës. Konsiderojmë që sa më të papërgatitur që jemi ne, do të shihemi si pre më e lehtë nga Serbia për kontrollin politik mbi një pjesë të territorit apo kontroll politik mbi Kosovën.

Radio Evropa e Lirë: Në funksion të relaksimit të raporteve Kosova dhe Serbia po zhvillojnë dialog politik. Nuk shihni përfitime nga ky proces?

Visar Ymeri: Dialogu që ka ndodhur mes Kosovës dhe Serbisë, qartazi i ka shërbyer vetëm Serbisë. I ka shërbyer Serbisë, sepse e ka shtrirë kontrollin mbi Republikën e Kosovës, duke e thelluar shumë atë. Me anë të Listës Serbe mban kontrollin mbi një pjesë të territorit, mbi të gjitha komunat me shumicë serbe, e kështu me radhë.

Ndërkohë që në anën tjetër ia ka krijuar mundësinë një njeriu i cili do të duhej të ishte i gjykuar për krime lufte, pra tash Vuçiqi e më herët Daçiqi, që të paraqitet me një fytyrë njerëzore karshi institucioneve të Brukselit. Kjo ndodh vetëm për shkak të pranimit të krerëve të institucioneve të Kosovës që të takohen me Vuçiqin e Daçiqin dhe të buzëqeshin me të para kamerave thua se nuk është i njëjti person i cili kishte qenë në qeverinë që kishte urdhëruar gjithë ato krime, vrasje ndaj shqiptarëve, përdhunime të grave e vajzave tona, e njëkohësisht djegie të shtëpive dhe shkatërrim të ekonomisë së vendit.

Radio Evropa e Lirë: Dhe për fund, në bazë të kësaj që ju deklaroni, mes dy rrugëve që ka përpara rajoni – integrimeve evropiane dhe konfliktit, ju besoni se ende nuk ka kaluar rreziku i përsëritjes së konflikteve në rajon?

Visar Ymeri: Rajoni mendoj që e ka një problem, e problemi është Serbia. Serbia ka qenë problem historikisht në këtë rajon. Homogjenizimi politik i Serbisë është rrezik imanent dhe i përnjëhershëm për rajonin, sepse Serbia, kjo vijë politike e Serbisë dhe jo e gjithë Serbia, e ka një qëllim të vetëm dhe ai është që ta rrit sa më shumë territorin në dëm të tjerëve. Pra, duke i pushtuar territoret e të tjerëve. Në këtë drejtim, veçanërisht Republika e Kosovës është jashtëzakonisht e rrezikuar. Mendoj që mungesa e një procesi të denazifikimit të Serbisë ka krijuar një problem në ditët e sotme dhe besoj do të jetë problem dhe rrezik edhe në të ardhmen.

Shqiptarët duhet ta kthejnë shikimin nga vetja dhe interesat e veta. Kjo duhet të ndodhë në Kosovë, në Shqipëri e gjithandej ku jetojnë shqiptarët, sepse kjo ideja e bashkimit të shqiptarëve në Bashkimin Evropian, asnjëherë as nuk ka qenë e qëndrueshme, as historikisht dhe as aktualisht.

Tash, Bashkimi Evropian ka probleme të brendshme për shkak të daljes së Britanisë së Madhe, pastaj për shkak të çështjes së emigrantëve, krizës ekonomike, andaj gjithnjë e më shumë po e kthen shikimin nga vetja dhe në këtë drejtim Bashkimi Evropian nuk e ka ndërmend që për 10-15 vitet e ardhshme të ndërmerr çfarëdo procesi të zgjerimit.

Duke qenë kjo e vërtetë, atëherë shqiptarët domosdo që duhet të kthejnë sytë nga vetja në mënyrë që ta fuqizojnë dhe faktorizojnë vetveten në këtë rajon dhe të jemi një komb i cili e ka mundësinë edhe për t’u mbrojtur nga jashtë, por edhe e ka mundësinë që të zhvillohet dhe të fuqizohet nga brenda. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG