Deputeti në Parlamentin Evropian, Richard Howitt, tha të hënën në Shkup se “zgjedhjet e dhjetorit janë me interes jetik për Maqedoninë, ndërkohë që cilësia e zgjedhjeve në aspektin demokratik do të përcaktojë dhe fatin e së ardhmes së vendit”.
Howitt tha se është i bindur se ndryshimet mund të ndodhin, duke theksuar se Bashkimi Evropian me vëmendje do të ndjek tërë procesin zgjedhor.
Ai tha se Brukseli nuk e përkrahë anulimin e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
“Ekzistojnë shumë punë në këtë shtet, por çfarë përzgjedhje do të bëjnë qytetarët e Maqedonisë varet vetëm prej tyre. Ndryshimi është i mundur. Gjërat që kanë shkuar mbrapsht me këtë shoqëri nuk duhet të mbeten ashtu siç janë sot”, ka theksuar eurodeputeti Richard Howitt.
Eurodeputeti ka takuar të hënën prokuroren speciale publike, Katica Janeva, dhe me të përfunduar të bisedave “i ka bërë thirrje qeverisë dhe institucioneve të vendit që të mos e pengojnë punën e Prokurorisë Speciale”.
Howitt tha se mbështet iniciativat e sektorit civil për formimin e departamentit special në gjykatën Penale të Shkupit, që do të merrej me lëndët që i heton Prokuroria Speciale Publike.
“Jam i dëshpëruar se nuk janë zbatuar ndryshimet për mbrojtjen e dëshmitarëve. Pres që ato të zbatohen me urgjencë. Jam i interesuar për propozimin e shoqërisë civile për krijimin e departamentit special në gjykatën penale të Shkupit që do të merrej me lëndët e ngritura nga Prokuroria Speciale Publike."
"Është e qartë se prokurorët mund të jenë nën presion të madh në këtë situatë, andaj dhe krijimi i një departamentit special mund të krijojë kushte për t’u realizuar puna e Prokurorisë Speciale Publike. Shpresoj se kjo do të ndodh”, tha në konferencën për media, eurodeputeti Howitt.
Ndërkohë, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se faktori ndërkombëtar tanimë e ka të qartë se ProkuroriaSpeciale Publike nuk mund të zhvillojë e vetme betejën për t`i përballur me drejtësinë ish zyrtarët e lartë të vendit, përfshirë edhe ata aktual, për të cilët ky institucion ka ngritur padi.
Njohës të rrethanave thonë se Prokuroria Speciale në vazhdimësi ka hasur në bllokadë nga gjykatat e vendit.
Mersel Billali, për Radion Evropa e Lirë thotë se dhe qendrat vendimmarrëse, Brukseli e Washingtoni, gjithnjë e më zëshëm, përmes diplomatëve, theksojnë nevojën e formimit të një departamenti të veçantë që do të shqyrtojë lëndët që i inicion Prokuroria Speciale.
“Nuk jam i bindur se formimi i një departamenti të veçantë në kuadër të Gjykatës Penale në Shkup, i cili do të kishte për detyrë të procedojë lëndët e Prokurorisë Speciale Publike do të bëhet tani. Madje edhe ata që thonë se ka korniza kushtetuese është problem kohor realizimi i ligjit. Jam i bindur se formimi i një departamenti special për lëndët e Prokurorisë Speciale do të ndodhë menjëherë pas zgjedhjeve, duke ngritur departamente speciale në gjykatat e vendit”, vlerëson Billali.
Ndryshe, eurodeputeti Richard Howitt tha se ka marrë garanci nga të gjitha partitë nënshkruese të marrëveshjes politike, të njohur si marrëveshja e Përzhinos, se në rast se gjykata kushtetuese konteston kushtetutshmërinë e funksionimit të Prokurorisë Speciale Publike, ata menjëherë do të mblidhen dhe do të vendosin që ky institucion të vazhdojë punën pa pengesa. (REL)
Facebook Forum