Njohësit e çështjeve politike thonë se dualizmi gjithnjë e më i shprehur në opinion ndërmjet drejtuesve të dikasterit të policisë paraqet kërcënim për mbarëvajtjen e një procesi të rregullt zgjedhor, por edhe për sigurinë e vendit.
Numri një i dikasterit të policisë, Oliver Spasovski, nga radhët e opozitës maqedonase, bëri të ditur se ka shfrytëzuar të drejtën që të shkarkoj ëdhe në vend të tyre të emërojë 11 drejtues sektorësh në MPB.
Spasovski ka sqaruar se këto ndryshime bëhen me qëllim të garantim të zgjedhjeve korrekte dhe demokratike.
Në kuadër të ndryshimeve është përfshirë edhe ndërrimin një zyrtari të lartë të MPB-së, që drejtonte sektorin për informatikë dhe telekomunikime në këtë dikaster , i cili është i dyshuar i Prokurorisë Speciale në rastin “Thesari” për manipulime financiare dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Por, ndaj vendimit të ministrit Spasovski ka reaguar zëvendësministri nga radhët e VMRO-së, Oliver Andonov, i cili akuzoi Spasovskin se këto ndryshime janë bërë në kundërshtim me ligjin, duke i quajtur ndryshimet kadrovike dhe sulm për të penguar punën e MPB-së.
Analisti politik, Alajdin Demiri, duke komentuar zhvillimet e fundit në dikasterin e policisë, për Radion Evropa e Lirë thotë se dualizmi i paraqitur në ministrinë e punëve të brendshme, mes ministrit dhe zëvendësit të tij, po edhe urdhërave që vijnë drejtpërdrejt nga Qeveria për këtë dikaster, kërcënon realizimin e zgjedhjeve në frymë demokratike.
Demiri thotë se Ministria e Punëve të Brendshme, krahas Komisionit shtetëror të Zgjedhjeve, është institucioni kyç i përfshirë në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
“Ky dualizëm bëhet për të krijuar huti në kuadër të ministrisë së Punëve të Brendshme, si dikaster i sigurisë... I gjithë ky dualizëm i shkon përshtati VMRO DPMNE-së për arsye se strukturat e tyre në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë dominante, pavarësisht se ky dikaster udhëhiqet nga LSDM –ja. Qëllimi është që dy partitë në pushtet VMRO DPMNE dhe Bashkimi Demokratik të blejnë kohë të caktuar për të mbijetuar në skenën politike”, vlerëson Alajdin Demiri, analist politik.
Ndërkaq, ish ministri i Punëve të Brendshme, Pavle Trajanov, vlerëson se për të qenë funksional dikasteri më i rëndësishëm në shtet, për sigurimin e stabilitetit dhe sundimin e drejtësisë duhet respektuar hierarkia në këtë institucion, në të kundërtën nuk kërcënohet vetëm procesi zgjedhor, por edhe siguria e shtetit në përgjithësi, në këtë situatë të brishtë politike në të cilën ndodhet Maqedonia si shtet.
“Dikasteri i policisë në këtë periudhë, parësore e ka stabilitetin e vendit, por njëherësh duhet të shërbejë si preventivë në situata të caktuara që mund të kërcënojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Pra, dikasteri i policisë duhet të instalojë një sistem të tillë, përfshirë këtu të gjitha drejtoritë, që të pengohet çfarëdo manipulimi gjatë procesit të zgjedhjeve”, thekson Pavle Trajanov ish ministër i Punëve të Brendshme.
Në bazë të marrëveshjes politike, LSDM-ja në qeverinë kalimtare merr pjesë me dy poste ministrore dhe me katër zëvendësministra.
Qeveria kalimtare funksionon 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve dhe zgjat deri në përfundimin e tyre, ndërsa detyrë kryesore ka organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. (REL)
Facebook Forum