Ndërlidhjet

Hodges: Forcat e Armatosura formohen pasi të merr vendim Kuvendi


Komandanti i Komandës së Ushtrisë amerikane për Evropë, gjenerali Ben Hodges
Komandanti i Komandës së Ushtrisë amerikane për Evropë, gjenerali Ben Hodges

Kuvendi i Kosovës duhet të marr vendim për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura ka thënë të martën në Prishtinë komandanti i Komandës së Ushtrisë amerikane për Evropë, gjenerali Ben Hodges. Këto komente ai i ka bërë në kazermën “Adem Jashari”, ku vizitoi Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe u prit në takim nga komandanti i kësaj Force, gjeneral lejtanant Rrahman Rama.

Gjenerali amerikan ka lavdëruar punën e Forcës së Sigurisë duke thënë se ushtarët e saj kanë zgjedhur t’i shërbejnë vendit të tyre.

“Talenti i këtyre djemve dhe vajzave do të ndihmojë në zhvillimin e shtetit të Kosovës”, është shprehur Hodges.

Ndërkaq, në lidhje me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, si një synim i kamotshëm i Kosovës, gjenerali amerikan tha se ky transformim kërkon një vendim politik që duhet të merret në Kuvendin e Kosovës.

“Mendoj se nevojitet mbështetje politike. Mbështetja e parlamentit për transformimin e FSK-së është shumë e rëndësishme”, ka thënë gjenerali amerikan.

“Roli i Ushtrisë Amerikane është që ta mbështes ambasadorin amerikan në politikat amerikane. Po ashtu ne do të vazhdojmë të mbështesim trajnimet e njësive të FSK-së dhe mund të them se jam mjaft optimist në këtë drejtim”, ka thënë Hodges.

Njëherësh ai ka inkurajuar institucionet e Kosovës që të mbështesin kadetët e FSK-së, duke thënë se ata janë e ardhmja e këtij vendi.

Ndërkohë, komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, ka çmuar lartë mbështetjen amerikane për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe zhvillimin e saj. Ai tha se e ka njoftuar gjeneralin amerikan rreth zhvillimit të kësaj Force dhe planeve për të ardhmen.

“Gjenerali Hodges e rikonfirmoi mbështetjen që e kemi nga Ushtria Amerikane dhe njëkohësisht edhe unë dua që t’i falënderoj të gjithë, filluar nga ambasadori amerikan, stafin e tij, gjeneralin Hodges dhe stafin e tij për përkrahjen e vazhdueshme që e kemi dhe besoj se do të vazhdojmë njësoj edhe në të ardhmen”, është shprehur Rama.

Forca e Sigurisë së Kosovës, sipas planeve zhvillimore, ishte paraparë që të transformohet gradualisht në Forcat e Armatosura të Kosovës. Mirëpo, ky proces mbetet i bllokuar në nivelin politik për shkak të mungesës së një marrëveshje ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës dhe atyre të komunitetit serb që përfaqësohen në Kuvend.

Transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura kërkon ndryshime kushtetuese, të cilat mund të bëhen vetëm nëse sigurohet edhe mbështetja e shumicës së deputetëve nga komunitetet pakicë, në këtë rast të komunitetit serb, mbështetje këtë që qeveria dhe Kuvendi i Kosovës nuk e kanë arritur ende.

Pas transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura, sipas parashikimeve, këto forca do të formohen gradualisht brenda 5 përkatësisht 10 viteve të ardhshme.

Forcat e Armatosura mund të themelohen nën mbikëqyrjen e NATO-s, me numër të caktuar ushtarësh dhe me armatim dhe pajisje të përcaktuara në marrëveshje me NATO-n. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG