Partitë politike kanë nisur kalkulimet rreth koalicioneve të mundshme para zgjedhjeve parlamentare që pritet të mbahen më 11 dhjetor, bazuar në marrëveshjen politike të arritur më 31 gusht. Debatet kryesisht janë përqendruar nëse do të ketë ose jo koalicione ndëretnike parazgjedhore dhe e para që ka dalë me një ide të tillë është Lidhja Social-Demokrate, partia më e madhe e opozitës. Kjo parti ka paralajmëruar se fronti i zgjeruar opozitar do të përfshijë të gjitha partitë që duan ndryshime, pa përjashtuar individë dhe parti të të gjitha bashkësive etnike.
“Konsultimet rreth koalicionit të gjerë kundër regjimit janë në rrjedhë e sipër dhe shumë shpejt do të mund shihet se cilat janë partitë që do të përfshihen në luftën kundër regjimit. Mund të them se do të jetë një front i gjerë me shumë gjëra interesante”, ka deklaruar nënkryetari i LSDM-së, Damjan Mançevski.
Në këtë parti, tashmë kanë aderuar disa emra të njohur në opinion, ndërsa pritet përfshirja edhe e të tjerëve, si profesorë universitarë, si dhe personalitete tjera. kurse paralajmërohet edhe koalicioni me parti jashtëparlamentare shqiptare.
Tito Petkovski, ish-deputet në disa përbërje parlamentare dhe drejtues i Partisë së Re Social-Demokrate, një subjekt ky i dalë nga LSDM-ja, thotë se koalicionet e tilla janë të mirëseardhura, edhe pse, sipas tij, bëhet fjalë për ide që do të hasë në vështirësi të shumta, para se gjithash nga qarqe nacionaliste, të cilat vazhdojnë të ushqehen me ide të ndryshme, por që në thelb kanë interesat e tyre dhe jo të shoqërisë në përgjithësi.
“Mendoj se diçka e tillë do të ishte më se e nevojshme për një shoqëri heterogjene siç është Maqedonia në planin etnik. Por, shumë qarqe të ndryshme nacionaliste thonë se ende nuk ka ardhur koha për diçka të tillë. Nuk e di se kur do të vijë një kohë e tillë!".
"Por, pavarësisht kësaj, mendoj se njerëzit duhet të inkurajohen se nëse dëshirojmë të ndërtojmë diçka të përbashkët, apo raporte të shëndosha ndëretnike, apo nëse dëshirojmë të ndërtojmë shoqëri civile, është më se e domosdoshme që të nisim të punojmë në këtë plan”, thotë Petkovski.
Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë, se aspektet etnike janë trajtuar nga partitë, apo janë keqpërdorur para çdo cikli zgjedhor vetëm për pikë politike. Kjo, sipas tij, dëshmohet me periudhën paszgjedhore, kur patriotizmi i tyre është lënë në harresë, meqë tani partitë në plan të parë kanë vendosur luftën se cila prej tyre do të hyjë në qeveri, madje pa asnjë kushtëzim për realizimin e premtimeve të dhëna në fushatën zgjedhore
“Mendoj që deri diku janë pjekur kushtet që ky hap i guximshëm për herë të parë të ndodhë në Maqedoni. Deri tani kemi pasur vetëm koalicione paszgjedhore, ndërkohë që para zgjedhjeve partitë janë mbyllur në guaskat e tyre etnike duke përhapur nacionalizëm dhe mosdurim etnik, për të fituar sa më shumë vota. Ndërsa, pas mbarimit të zgjedhjeve, kanë formuar koalicione shumetnike duke mos u marrë aspak me atë që ka qenë fushatë e tyre para zgjedhore”, thotë Neziri.
Ai shton se partitë, para se të dalin me një koalicion të tillë eventual, gjithsesi se duhet të dalin edhe me platformë apo program se si planifikojnë zgjidhjen e reformave, apo të problemeve tjera të akumuluara si pasojë e politikave populiste që në plan të parë kanë pasur interesat partiake, apo të grupeve të caktuara të interesit.
“Partitë, të cilat dëshirojnë të formojnë qeverinë, pra partitë maqedonase dhe shqiptare, është mirë që para zgjedhjeve të dalin me një ofertë të sinqertë para votuesve dhe të thonë se e kemi një marrëveshje bazë, e cila nënkupton këto reforma, zgjidhjen e këtyre çështjeve dhe me një platformë të tillë të dilet para votuesve”, vlerëson Neziri.
Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike thotë se dalja në zgjedhje me koalicione të përziera etnike, jo vetëm që është e realizueshme, por ajo duhet të ndodhë për të mirën e vendit. Sipas tij, një gjë e tillë do të forconte si asnjëherë më parë demokracinë në vend dhe do të ishte bazë e mirë për zgjidhjen e shumë problemeve të akumuluara me vite, për shkak të politikave nacionaliste të partive politike.
Një nacionalizim i tillë, thotë Dimovski, do të zhdukej vetëm me koalicione shumetnike pasi partitë, në vend të nacionalizmit, do të përqendroheshin në zgjidhjeve problemeve jetësore të popullatës.
“Në Maqedoni deri më tani kemi pasur raporte të brishta ndëretnike. Ato, dy tre vitet e fundit kanë nisur të përmirësohen për të mos thënë se kanë qenë më të mira deri më tani".
"Këto marrëdhënie vlerësoj se do të përmirësoheshin edhe më shumë nëse në zgjedhje kemi lista të përziera etnike për deputetë. Kjo do të forconte demokracinë dhe rrjedhimisht raportet ndëretnike që janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendit”, thotë Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike.(REL)
Facebook Forum