Autoritetet e Maqedonisë gjatë tërë natës kanë vazhduar hetimet në lokalitetin ku është rrëzuar një avion i vogël sportive me gjashtë persona në bord.
Detaje mbi identitetin e personave nuk jepen përve konfirmimit të të lajmit mbi rrëzimin e avionit.
Mediat transmetojnë njoftimet e Agjencisë italiane të lajmeve ANSA se në bordin e avionit të rrëzuar afër Shkupit ishin pesë shtetas Italian dhe një kosovar.
Mediat italiane prej nga edhe ishte nisur avioni kanë publikuar edhe emrat e personave që udhëtonin ndërkohë që Ministria e Brendshme e Maqedonisë ka konfirmuar rrëzimin e avionit dhe atë se në bordin e tij ishin gjashtë persona.
Gjatë natës kanë vazhduar hetimet, por për shkak të terenit të vështirë dhe kushteve atmosferike ato po zhvillohet ngadalë.
Hetuesit gjyqësor thuhet se kanë gjetur mbetje të trupave të cilat gjatë natës pritet të dërgohen në Institutin e mjekësisë ligjore në Shkup.
Prokuroria publike në Maqedoni, në një njoftim për media, ka bërë të ditur nisjen e hetimeve për zbardhjen e tragjedisë ajrore që ndodhi në afërsi të Shkupit.
“Pas informave të marra, Prokuroria publike, në koordinim me institucionet kompetente ka ndërmarrë masa për përcaktimin e vendit të fatkeqësisë, sigurimin e lokalitetit dhe nisjen e hetimeve. Po grumbullohen informata dhe fakte relevante për të përcaktuar shkaqet e fatkeqësisë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Publike të Maqedonisë.
Avioni u zhduk nga radarët e kontrollit të fluturimeve të aeroportit të Shkupit rreth orës 17 e 40.
Banorët e një lokaliteti rreth10 kilometra në jug të Shkupit kishin njoftuar qendrën e fluturimeve se kanë dëgjuar shpërthime të fuqishme dhe zjarr, duke pretenduar se bëhet fjalë për një avion të rrëzuar.
Sipas të dhënave zyrtare, avioni i zhdukur fluturonte nga Trevizo e Italisë, dhe u zhduk nga radarët menjëherë pasi njoftoi drejtuesit e aeroportit se do të ulej për t’u furnizuar me kerozinë.
Destinacioni i fundit i avionit supozohet të ketë qenë Prishtina. (REL)
Facebook Forum