Qeveria tërheq ratifikimin e Demarkacionit
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të tërheq nga rendi i ditës Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka njoftuar kuvendin se në situatën e krijuar nuk mund të procedohet tutje me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.
"Tërheqja nuk nënkupton se ne do ta rishqyrtojmë apo rinegociojmë marrëveshjen, por do ta shqyrtojmë momentin kur do ta procedojmë sërish”, ka deklaruar Mustafa.
AAK: Demarkacioni duhet të rrëzohet me votën e deputetëve
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, beson se marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, do të merr epilog me votimin në Kuvend, prandaj edhe beteja për rrëzimin e kësaj marrëveshjeje, sipas AAK-së, duhet të zhvillohet në Kuvend.
“Kundërshtimi politik e qytetar, për tash e një vit, duke përfshirë protestat, peticionin e mbi 200 mijë qytetarëve, gazin në Kuvend dhe plot aktivitete opozitare e qytetare, e kanë dhënë efektin e vet dhe sot një numër i mjaftueshëm i deputetëve e kanë kuptuar se marrëveshja është gabim, dhe prandaj vota e tyre do të jetë kundër”, thuhet në deklaratën me shkrim të AAK-së.
Demarkacioni, sipas AAK-së, duhet të rrëzohet me votën e të gjithë deputetëve, pa dallim partie politike, rajoni, apo etnie.
“Vota kundër është votë për Kosovën si një dhe e pandashme”, thuhet në deklaratë.
Nxehet debati në Kuvend
Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës ka filluar me debate të “nxehta” që ndërlidhen nga replikat rreth aferës së përgjimeve të njohur si “Pronto II” dhe arrestimeve të fundit të gjashtë aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje nën dyshimet për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës, që ndodhi më datën 4 gusht të këtij viti.
Përderisa opozita, përkatësisht deputetët e Vetëvendosjes, kanë akuzuar partitë në pushtet se me veprimet e fundit dhe arrestimin e aktivistëve të saj po mundohen të fshehin “skandalet me aferën “Pronto II”, si kundërpërgjigje, deputetë dhe ministra nga radhët e partive në pushtet thonë se të gjitha aktivitetet e ndërmarra janë në funksion të ruajtjes së rendit dhe ligjit.
Fillojnë punimet e Kuvendit të Kosovës
Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nisur me paraqitjen e fjalëve të deputetëve të paraqitur për diskutim. Kuvendi i Kosovës është paralajmëruar të votojë për marrëveshjen për Demarkacion me Malin e Zi.
Deputetët e partive politike në pushtet dhe në opozitë po marrin pjesë në seancë, ndërkohë që deputetët e Listës Serbe kanë refuzuar pjesëmarrjen për shkak të, siç thonë, “mungesës së sigurisë”.
Aktualisht po diskutohen pikat në rend të ditës sipas renditjes.
Ndërkaq, Projektiligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, është pika e gjashtë në rendin e ditës. Kjo renditje mund të ndryshojë vetëm nëse Kuvendi vendos ndryshe.
Facebook Forum