Ndërlidhjet

Serbët e Kosovës ndërmjet kërkesave të Prishtinës dhe Beogradit


ilustrim
ilustrim

Autoritetet në Prishtinë thonë se numri i qytetarëve serbë që janë pajisur me pasaporta biometrike me simbolet e Republikës së Kosovës, ka shënuar rritje që prej rekomandimit të Komisionit Evropian për liberalizim vizash, ndërkohë që zyrtarë serbë në Kosovë kanë varur shpresat se “Beogradi zyrtar ndërkohë do të ndërmarrë hapa të nevojshëm për zgjidhjen e problemit”.

Zëvendësministri i pushtetit lokal, Bajram Gecaj, i tha Radios Evropa e Lirë se kushti i BE-së për liberalizim të vizave është pajisja me dokumentet e Republikës së Kosovës të të gjithë qytetarëve të vendit.

Ai tha se problemet me dokumentet dhe çështjet e ndërlidhura me serbët e Kosovës, janë pjesë e bisedave me Beogradin zyrtar në Bruksel.

“Ne në veri ende nuk kemi qasje të plotë edhe pse ka përparime të mira. Megjithatë, dialogu në Bruksel po vazhdon dhe shpresojmë se për një kohë të caktuar do të kemi shuarjen e plotë të strukturave paralele. Me shuarjen e këtyre strukturave paralele, çdo qytetar i Republikës së Kosovës, do të duhet të nxjerrë të gjitha dokumentet e Republikës së Kosovës”, tha Gecaj.

Serbët e veriut të Kosovës, në kundërshtim të pavarësisë së saj, janë pajisur me dokumentet e lëshuara nga një Zyrë për Kosovën, e krijuar nga Qeveria e Republikës së Serbisë, pikërisht në periudhën kur Serbia mori liberalizimin e vizave.

Dokumentet e Zyrës megjithatë nuk ndihmuan serbë që të lëvizin lirshëm dhe as nuk u pranuan nga Prishtina zyrtare.

Kryetari i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Slavko Simiq, i tha Radios Evropa e Lirë, se serbët e Kosovës janë të kufizuar në lëvizje, posaçërisht në vendet e Evropës dhe ata po trajtohen sipas tij “si qytetarë të dorës së dytë, meqë janë të përjashtuar nga procesi I liberalizimit” .

Ai tha se pret qe Beogradi zyrtar të “gjejë zgjidhje me BE-në për qytetarët serbë që të udhëtojnë pa pengesa në vendet evropiane”. Por Simiq u bëri thirrje serbëve të Kosovës që, siç tha, të mos vrapojnë të nxjerrin dokumentet e Kosovës”

“Ju bëj thirrje qytetarëve tanë që jetojnë në Kosovë, posaçërisht qytetarëve të komunitetit serb, që të mos nguten me nxjerrjen e dokumenteve, sepse jam I sigurt se qeveria jonë në Beograd, qeveria në krye të së cilës është Aleksandar Vuçiq, me siguri në periudhën e ardhshme, do të bëjë çdo gjë që serbët e Kosovës të marrin dritën jeshile që të lëvizin në vendet e zonës shengen”, tha Simic.

Por në veri gjendja shfaqet më ndryshe. Adriana Hoxhiq, shefe e administratës në Komunën e Mitrovicës së Veriut, i pati deklaruar Radios Evropa e Lirë, se një numër i madh i qytetarëve po kërkojnë dokumente të Kosovës.

„Ka ditë kur edhe 100 qytetarë kalojnë nëpër zyrën tonë dhe aplikojnë për certifikata të ndryshme të sistemit të Kosovës. Nxjerrin edhe pasaporta. Ka shumë. Nëse më pyesni nëse qytetarët nga veriu nxjerrin pasaporta të Kosovës, atëherë përgjigja është po”, pati thënë Hoxhiq.

Qytetarët ndërkaq flasin për nevojat e tyre.

Të gjithë shprehin mendimin se dokumentet e udhëtimit janë të domosdoshme dhe një pjesë e tyre theksojnë rëndësinë e marrjes së pasaportave të Kosovës për të lehtësuar lëvizjen në zonën evropiane.

"Kam menduar këto ditë që të shkoj dhe të dorëzoj dokumentet për pasaportën e Kosovës sepse kam plane udhëtimi. Me këtë dokument të Zyrës Koordinuese që lëshohet në Beograd nuk kam asnjë të drejtë", tha një.qytetare serbe.

"Pres që të gjithë t’i nxjerrim (dokumentet e Kosovës) që të pajisemi të gjithë dhe të udhëtojmë", tha një tjetër qytetar serb në Mitrovicë.

Liberalizimi i vizave për Kosovën megjithëkëtë është ende i paqartë. Kushtet e vëna nga Komisioni Evropian, për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi dhe dëshmitë e plota të fuqizimit të luftës kundër korrupsionit nuk janë kryer ende. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG