Ndërlidhjet

Përmbytjet rrisin pakënaqësinë ndaj jofunksionalitetit të institucioneve


Pasojat e vërshimeve në fshatin Stajkovc
Pasojat e vërshimeve në fshatin Stajkovc

Më shumë propagandë për pikë politike se sa ndihmë popullatës së goditur nga vërshimet. Kështu vlerësohen veprimet e drejtuesve të institucioneve, të cilët sipas banorëve të goditur, por edhe njohësve të çështjeve politike, përveç aktiviteteve reklamuese nuk kanë ndërmarrë masa serioze për sanimin e dëmeve, edhe dhjetë ditë nga vërshimet vdekjeprurëse, në veçanti lagjet në Hasabeg, Haraçinë dhe Straçincë.

“Nuk di nëse dikush prej shtetit ka ardhur me na ndihmuar. Jo, askush nuk ka ardhur. Ndihmë kemi pasur vetëm prej shoqatave dhe njerëzve vullnetarë. Tjetër ndihmë nuk kemi pasur”, thotë një banor i lagjes Hasanbeg, e cila ende po përballet me pasojat e vërshimeve që lanë 22 të vdekur dhe dëme të shumta materiale.

Dhjetë ditë pas vërshimeve, seancë të jashtëzakonshme ka mbajtur Kuvendi i Maqedonisë, i cili të dielën në mbrëmje ka miratuar disa konkluzione, duke i rekomanduar institucioneve që t'i dalin ndihmë popullatës së goditur, por pa kërkuar asnjë përgjegjësi për faktorët që mund të kenë çuar në paraqitjen e vërshimeve në zonat e banuara.

Qeveria, ndërkohë, ka njoftuar se do të zhdëmtojë familjet e goditura. Shërbimet e qeverisë do të bëjnë vlerësimin e dëmeve, i cili do të kompensohet 100 për qind. Familjet e goditura, qeveria do t'i lirojë nga pagesa e faturave të ujit dhe shërbimeve tjera, ndërsa gjithashtu do të kenë participim për të gjitha shërbimet mjekësore.

“Qëllimi jonë është që të veprojmë menjëherë, nevojitet ndërhyrje nga të gjithë faktorët e vetëdijshëm dhe përgjegjës. Qeveria me të gjitha institucionet e saj do të jetë në terren”, ka deklaruar zëvendëskryeministri, Nikolla Todorov.

Por, Mersel Bilalli, profesor universitar dhe njohës i çështjeve politike, thotë se institucionet kanë dështuar, ndërsa premtimet e qeverisë thotë se do të përjetojnë fatin e atyre të rajonit të Tetovës, i cili para një viti pësoi dëme të ngjashme, por që ende nuk ka marrë kompensimet e premtuara.

“Kjo tragjedi që ndodhi vetëm sa vulosi supozimet se institucionet janë të deprofesionalizuara, partizuara, të personalizuara dhe si të tilla janë jo funksionale. Pra, këtu kemi disa vepra penale që janë kryer nga drejtuesit e këtyre institucioneve, por që fatkeqësisht institucionet tjera gjyqësore nuk ndërmarrin asgjë. Kemi një papërgjegjësi kolektive, e cila vë në pikëpyetje ekzistencën e shtetit si të tillë”, thotë Bilalli.

Ngjashëm vlerëson edhe Nikolla Dujoski, njohës i rrethanave politike, sipas të cilit, premtime dhe veprime të tilla të papërgjegjshme të institucioneve do të ketë edhe në të ardhmen, ashtu siç ka pasur edhe në të kaluarën.

Fotografimet dhe daljet para kamerave, sipas Dujoskit, janë praktikë e partive në pushtet, të cilat asnjëherë nuk kanë marrë përgjegjësinë për pasojat qoftë nga fatkeqësitë elementare, apo të tjera që kanë ndodhur në shtet.

“Nuk do të befasohesha sikur partiakët e dëgjueshëm, makinerinë dhe ndihmën që posedojnë për rajonet e goditura ta shfrytëzojnë edhe për qëllime parazgjedhore, në rast se vendoset që të kemi zgjedhje pas tre apo katër muajve”, thotë Dujoski.

Ndihma për banorët e zonave të përmbytura kanë ardhur edhe nga shtetet fqinje, ndërsa ambasadori i Bashkimit Evropian, Aivo Orav, ka njoftuar se një ekip ekspertësh nga BE-ja do të bëjë vlerësimin e dëmeve, ndërsa autoriteteve do t'u jepen rekomandime për sanimin e pasojave. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG