Fituesja e Medaljes së Artë Olimpike në “RIO 2016”, xhudistja Majlinda Kelmendi, është pritur në Prishtinë nga qindra qytetarë që brohorisnin emrin e saj.
Ajo parakaloi nëpër sheshet kryesore të Prishtinës, me një autobus të hapur, bashkë me trajnerin e saj dhe xhudisten Nora Gjakova.
Pritja zyrtare e Majlinda Kelmendit, u bë nga kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, si dhe zyrtarë të lartë shtetërorë, në aeroportin ndërkombëtar Adem Jashari.
Në një konferencë për medie kampionja e xhudos u shpreh shumë e lumtur për arritjet në "RIO 2016".
"Kemi punuar shumë që të arrijmë këtë sukses, që ndoshta shumë shtete në botë ëndërrojnë të arrijnë. Rruga ka qenë shumë e vështirë me shumë pengesa, por po shpresoj që brezat e rinj nuk do t'i kenë”, tha ajo.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, deklaroi se "do t'i japim përkrahje maksimale këtij sporti në të cilin është arritur sukses maksimal".
Qytetarë të shumtë e kanë pritur Majlinda Kelmendin edhe pas arritjes në aeroport.
Xhudistja nga Kosova, Majlinda Kelmendi, ka fituar medaljen e artë në kategorinë deri në 52 kilogramë në xhudo për femra në Lojërat Olimpike në Rio de Janeiro të Brazilit.
Kelmendi ka mposhtur në finale Odette Giuffrida nga Italia, për t’u stolisur më pas me medaljen e artë.
Majlinda Kelmendi, është b֝ërë kampione botërore në vitin 2013, në xhudo për femra, në kategorinë deri në 52 kilogram.
Kosova për herë të parë shënon fitore historike, duke fituar medalje olimpike.
Edicioni i 31-të i Lojërave Olimpike Verore ka nisur më 5 gusht në Rio Janeiro të Brazilit, ku Kosova është paraqitur për herë të parë.
Kosova në Lojërat Olimpike në Rio të Brazilit u përfaqësua nga 8 sportistë të disiplinave të ndryshme, të cilët nuk arritën të përfundojnë garat me sukses. (REL)
Facebook Forum