Ndërlidhjet

Fillon revitalizimi i urës mbi lumin Ibër


Punimet mbi lumin Ibër
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:16 0:00

Fillon revitalizimi i urës mbi Ibër

Në Mitrovicë ka filluar revitalizimi i urës mbi lumin Ibër, që ndanë pjesën jugore me atë veriore të banuar me serbë.

Lajmin e ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Mitrovicës jugore Agim Bahtiri, duke theksuar se marrëveshja e Brukselit do të zbatohet deri në fund.

‘’Sot në orën 10 kanë filluar punët, dhe kompanitë e kontraktuara janë duke e pastruar me kamionë e bagerë..‘’ ka deklaruar Bahtiri.

Ndryshe, marrëveshja për revitalizimin e urës vjen pas dialogut të zhvilluar në mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

‘’Ne kemi marrëveshje që kemi arritur në Bruksel dhe kjo marrëveshje do të zbatohet pikë për pikë. Punët që janë neglizhuar dei tash janë çështja e nënshkrimit të memorandumit të kufijve administrativ. Tash kjo pjesë është duke u pastruar dhe kompanitë janë duke i kryer punët e veta", ka thënë Bahtiri.

Por, kryetari i Komunës veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq, nuk ka marrë pjesë në fillimin e punimeve të revitalizimit.

Ditë më parë, Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, kishte bërë të ditur se "pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh të përfundimit të luftës në Kosovë, ura e Mitrovicës do të jetë një urë e lirë bashkuese si në gjithë botën dhe ajo do të shërbejë për lëvizjen e plotë dhe të lirë të njerëzve dhe automjeteve ashtu siç është përcaktuar në marrëveshjen e Brukselit të datës 25 gusht 2015".

Derisa, zoti Bahtiri ka treguar se ky proces do të ndihmojë në relaksimin e raporteve në Mitrovicë dhe vendosjen e një bashkëpunimi ndërmjet dy komunave të një qyteti.

‘’Ky vendim do të ndikojë shumë, pasi që kam bërë të pamundurën që të krijojë raporte të mira mes gjithë qytetarëve dhe të mos ketë barkikada. Qytetarët e kanë kuptuar se nuk ka telashe mes vete dhe të gjithë e kanë pritur me padurim dhe raportet edhe më tutje do të rregullohen. Do të bashkohet qyteti në mënyrë normale dhe njerëzore’’, ka thënë Bahtiri.

Revitalizimi i urës mbi lumin Ibër financohet nga Zyra e Bashkimit Evropian, me një kosto prej 1,2 milionë euro.

Përmes një komunikate për media, Zyra e Bashkimit Evropian ka deklaruar se ky proces "do të jetë simbol i normalizimit të marrëdhënieve në mes komuniteteve në Kosovë".

Zbatimi i marrëveshjes për zhbllokimin e urës kryesore mbi Ibër për muaj të tërë pati mbetur peng i mosmarrëveshjeve për përcaktimin e kufijve administrativë, ndërmjet komunës veriore dhe asaj jugore të Mitrovicës.

‘’Mollë sherri ‘’në tërë këtë problem, ishte fshati Suhodoll, të cilin komuna veriore pretendonte ta ketë nën zonën e saj administrative, ndërkohë që sipas Bahtirit, ajo është pjesë e komunës jugore, gjë që sipas tij, e kanë konfirmuar edhe zyrtarët e Bashkimit Evropian.

Barrikada mbi urën kryesore u vendos në korrik të vitit 2011, në shenjë kundërshtimi ndaj ndërhyrjes së forcave të posaçme të policisë së Kosovës për të vënë nën kontroll vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veri.

Ajo u zëvendësua me bllokada të reja duke nxitur reagimet e qytetarëve për mungesë të lirisë së lëvizjes.

Në gusht të vitit 2015, palët në takimin e Brukselit u pajtuan që ura të lirohet për qarkullim, por i gjithë procesi u shty për gati një vit.

Në janar të vitit 2017, parashihet të përmbyllet i gjithë procesi i revitalizimit. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG