Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e ka cilësuar si të rrejshme kauzën e opozitës, sipas të cilës, me Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Kosova humb territor prej më shumë se 8 mijë hektarë.
Këto komente, Mustafa i ka bërë gjatë prezantimit të punës nga ana e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, ku ai ka përsëritur se Kosova nuk e ka humbur asnjë metër tokë.
"Kauza e opozitës, por edhe insistimi i disa gjeografëve se Kosova ka humbur territor duke përdorur lloj - lloj hartash edhe duke mos marr parasysh realitetin mbi te cilin është shpallur pavarësia e Kosovës konsideroj se është e rrejshme është krejtësisht me motive politike dhe është për përfitime politike duke shfrytëzuar edhe terminologji nacionaliste", ka thënë Mustafa.
Sipas kryeministrit, Kosova nuk e humb asnjë metër me Marrëveshjen për Shënjimin e kufirit me Malin e Zi.
“As unë e as Qeveria nuk do të lejojmë t'i falet tokë Malit të Zi”, ka thënë Mustafa.
Tutje, Mustafa ka thënë se manipulimi i procesit të Demarkacionit për të shantazhuar procesin si dhe etiketimi me terma tradhtarë, është i rrezikshëm politikisht dhe nxit dhunë.
“Detyrë e jona ka qenë që të sigurohemi që territorin ta ruajmë plotësisht. Demarkacioni i tashëm nuk rregullon padrejtësisë historike që i janë bërë Kosovës”, ka thënë Mustafa.
Ndërkaq ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj e ka cilësuar si një hap tutje të rrumbullakimit të procesit të pavarësisë së Kosovës, shënjimin e kufirit me Malin e Zi, si një vend anëtar i NATO-s. Sipas tij, Mali i Zi, është një vend fqinj dhe mik i Kosovës dhe se ky procesi i shënjimit të vijës kufitare nuk ka kthim pas. Ngjashëm me Mustafën, edhe Hoxhaj u shpreh i bindur se Kosova nuk humb asnjë metër territor, siç pretendon opozita.
Demarkacioni më Malin e Zi, shtoi Hioxhaj, plotëson sovranitetin e shtetësisë së Kosovës duke u regjistruar si kufi ndërkombëtar.
“Raportet me Malin e Zi janë të shkëlqyeshme. Ndërsa ratifikimi do të jetë një zhvillim historik për vendin”, ka konstatuar kryediplomati i Kosovës.
Më pas, punën e zhvilluar rreth shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi e ka prezantuar edhe kryetari i Komisionit Shtetëror, Murat Meha. Sipas tij, kundërshtimi i opozitës dhe të tjerëve, ka të bëj me kauza politike dhe jo me fakte.
Ai ka prezantuar disa harta, në përpjekje të argumentimit të shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, mbi bazën e të cilit më pas, qeveritë e Kosovës dhe Malit të Zi patën nënshkruar marrëveshjen në Vjenë në fund të muajit gusht të vitit të kaluar.
Meha e ka përjashtuar çdo mundësi që Komisioni që ai drejton të ketë gabuar dhe në bazë të këtyre gabimeve, ti jetë falur territor i Kosovës shtetit fqinjë, Malit të Zi.
Ndërsa ai po mbante këtë takim prezantues me krerët e Qeverisë së Kosovës, ka konfirmuar se shtëpia tij ishte sulmuar me një granatë dore, por që nuk kishet pasoja për familjen e tij.
“Ky është një sulm ndaj familjes time që po bëhet prej dorës së zgjatur që po mundohen të rrezikojnë gjithçka, madje edhe familjen time”, ka thënë Meha.
Në mbrojtje të Murat Mehës është paraqitur edhe kryeministri Isa Mustafa i cili tha se akte të tilla janë të papranueshme, por nuk do të ndalin procesin tashmë të filluar për përmbylljen e Demarkacionit me Malin e Zi.
Marrëveshja aktuale ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për demarkacionin po kundërshtohet ashpër nga opozita. Madje, është paralajmëruar edhe përshkallëzim i gjendjes së sigurisë, nëse marrëveshja ratifikohet në Kuvend.
Në anën tjetër, Komisioni Evropian tashmë e ka vënë rrumbullakimin e Demarkacionit me Malin e Zi si kushtin e fundit para se të merret edhe vendimi përfundimtar në Bruksel për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. (REL)