Një gjykatë në Turqi, ka lëshuar një flet-arrest formal të enjten, për arrestimin e klerikut mysliman me bazë në Shtetet e Bashkuara, Fetullah Gulen, i cili akuzohet nga qeveria turke për organizimin e grusht shtetit më 15 korrik në Turqi.
Agjencia e lajmeve Anadolu raportoi për lëshimin e këtij flet-arresti.
Qeveria deklaron se Gulen, ish aleat i presidentit Recep Tayyip Erdogan, që jeton në Pensilvania, ka organizuar grusht shtetin që dështoi në Turqi, kështu që kërkohet ekstradimi i tij. Gulen ka kundërshtuar akuzat ndaj tij në përfshirjen në këtë organizim.
Ankaraja zyrtare nuk ka lëshuar ende kërkesë zyrtare për ekstradim, por flet-arresti mund të jetë pikënisje. Uashingoni kërkon prova për përfshirjen e Gulenit në përpjekjen për grusht shtet .
Që nga tentimi për grusht shtet, rreth 70,000 persona janë suspenduar apo larguar nga vendet e punës në administratë publike, edukim, shëndetësi, ushtri dhe medie.
18,000 njerëz janë arrestuar, shumica nga ta pjesëtarë të ushtrisë, mbi dyshimet për përfshirje në tentimin për grusht shtet.
Presidenti Erdogan, të enjten bëri thirrje për t'i hetuar bizneset e lëvizjes së Gulenit.
Tentimi për grusht shtet në korrik të këtij viti në Turqi, la të vdekur më shumë se 270 persona.