Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON) thotë se i ka gjetur edhe 45 raste të tjera të dopingut, përfshirë edhe shumë fitues të medaljeve, në Lojërat Olimpike në Pekin në vitin 2008, dhe Londër në vitin 2012.
Në kumtesën e sotme të KON-it theksohet se vala e dytë e testeve ka zbuluar 30 raste pozitive nga Pekini dhe 15 nga Londra.
KON-i tha se kjo valë e testeve të reja kryesisht ishte fokusuar në fituesit e medaljeve nga këto dy olimpiada, ndërsa 23 prej 45 rasteve të dopingut, ishin atletët që kanë fituar medalje të arta, të argjendta apo të bronxta.
“Analizat e reja tregojnë edhe një herë përkushtimin e KON-it për ta luftuar dopingun”, tha presidenti i KON-it, Thomas Bach.
Gjatë ditëve të ardhshme, KON-i pritet ta shpallë vendimin për moslejimin eventual të sportistëve të Rusisë që të marrin pjesë në Lojërat Olimpike Verore në Brazil, pas raporteve për program të gjërë të sponzorizuar nga shteti, për dopingun e sportistëve të Rusisë.