Ndërlidhjet

Shkup: Partitë arrijnë marrëveshje për zgjidhjen e krizës


Ilustrim
Ilustrim

Partitë politike në Maqedoni kanë arritur marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike e cila parasheh modalitetet e pastrimit të listës zgjedhore, reformat në media dhe kompetencat e Ministrit të Punëve të Brendshme. Njëqind ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare do të ketë qeveri teknike, dhe njëkohësisht do të tërhiqet ligji i ri për Ministrinë e Brendshme.

Ligji për punë të brendshme do të anulohet deri më 1 janar të vitit 2017 kurse ministri i ri i emëruar nga opozita do të ketë mundësi të ndryshojë vetëm 15 eprorw nga pozitat udhëheqëse të policisë.

“Kemi një lajm të mirë për të shpalosur, partitë arritën marrëveshje për zbatimin e mëtejshëm të Marrëveshjes së Përzhinës. Ne shpresojmë se kjo Marrëveshje do ta trasojë rrugën për zgjedhje të besueshme, në të cilat do të marrin pjesë të gjithë, dhe do të njihen nga të gjitha palët. Marrëveshja që arritën katër partitë përfshin pastrimin e listës zgjedhore, hapa për sigurimin e një raportimi të balancuar, marrëveshje për qeverinë që do të formohet 100 ditë përpara zgjedhjeve sidomos Ministrinë e brendshme”, ka deklaruar ambasadori i SHBA-së, Xhes Bejli, i cili së bashku me ambasadorin e BE-së, Aivo Orav kanë ndërmjetësuar bisedimet që kanë zgjatur një kohë të gjatë.

Sa i përket punës së prokurorisë speciale, e cila po heton atë që njihet si aferë e përgjimeve që edhe ka nxitur krizën politike, marrëveshja parasheh që në rast se gjykata kushtetuese e shpall antikushtetues ligjin për prokurorinë speciale, apo ndonjë pesë të tij, partitë do të duhet të bëjnë ndryshime ligjore për ta mundësuar funksionim e punës së saj pa pengesa.

Data e zgjedhjeve ende nuk është caktuara, por sipas informacioneve të fundit, ato mund të mbahen më 11 dhjetor, pas një takimi të liderëve të partive që paralajmërohet për 31 gusht. Nga opozita janë shprehur të kënaqur me marrëveshjen e arritur me shpresën se ajo do të zbatohet për ti hapur rrugën mbajtjes së zgjedhjeve.

“Të gjitha kushtet për zgjedhje të lira, përfshirë raportimin korrekt, pastrimin e listës zgjedhore, pjesëmarrjen e opozitës në qeverinë kalimtare, liderët e katër partive duhet ta konfirmojnë në një takim që do të mbahet në fund të gushtit. Maqedonia do të ketë zgjedhje të lira ku qytetarët do të thotë fjalën e tyre dhe do ti jep fund krizës dhe qeverisjes kriminale të Gruevskit”, ka deklaruar Radmilla Sheqerinska, nënkryetare e LSDM-së.

Edhe nga VMRO DPMNE-ja janë shprehur të kënaqur me këtë marrëveshje që sipas Nikolla Todorovit, pjesëmarrës e kësaj partie në bisedime, “i hapet rruga zgjedhjeve demorkatike ku do të marrin pjesë të gjithë dhe populli do të vendos kujt do tia jep votat”.

Ndërkohë, sipas përfaqësuesve të partive shqiptare në bisedime, BDI dhe PDSH, marrëveshja parashikon edhe përkushtim serioz të Kuvendit dhe Qeverisë për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. (REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG