Ndërlidhjet

Borxhi i Maqedonisë arrin në 5 miliardë euro


Maqedonia ka marrë një borxh të ri prej 450 milionë euro duke e çuar kështu borxhin e saj të përgjithshëm në rreth 5 miliardë euro. Borxhi i ri është realizuar përmes bonove të thesarit dhe duhet të kthehet brenda 7 viteve me një kamatë vjetore prej 5.6 për qind, apo pas kësaj periudhe Maqedonia duhet të kthej gjithsej 770 milionë euro.

Qeveria thotë se marrja e borxhit ishte e detyrueshme për të ruajtur stabilitetin ekonomik dhe likuidimin financiar për paga, pensione, pagesa sociale dhe transfere tjera financiare.

“Paratë nga shitja e bonove të thesarit do të shfrytëzohen për nevoja buxhetore gjatë viteve 2016 dhe 2017, si dhe për pagesën e borxheve të vjetra. Ekipi qeveritar ka arritur të sigurojë fonde të rëndësishme për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe ritmin e zhvillimit të ekonomisë maqedonase”, thuhet në sqarimin me shkrim të Ministrisë së Financave.

Qeveria thotë se kredia e re do të mund të sigurohet me kushte edhe më të mira sikur të mos ishin siç thuhet “obstruksionet e opozitës”.

Por, Lidhja Social Demokrate ka hedhur poshtë pretendimet e pushtetit duke e akuzuar për shkatërrimin e ekonomisë së Maqedonisë.

Opozita një herë e pengoi marrjen e kredisë duke alarmuar bankat dhe institucionet ndërkombëtare financiare se marrja e borxhit është bërë në mënyrë jo ligjore dhe se në rast të ndryshimit të pushtetit, do të rishqyrtohen të gjitha vendimet e qeverisë, përfshirë edhe këtë fundit për marrjen e 450 milionë eurove.

“Me një ritëm të tillë të futjes së shtetit në borxh, Nikolla Gruevski dhe VMRO DPMNE po i fusin qytetarët e Maqedonisë në kolaps financiar. Shuma e përgjithshme që duhet ta kthejnë gjeneratat e ardhshme arrin në 776 milion euro. Borxhi publik i Maqedonisë me huazimin e ri arrin në 5 miliardë euro apo 54 për qind të Bruto Prodhimit Vendor. LSDM-ja pas ndërrimit të pushtetit me të gjitha mënyrat do ta kontestojë ligjshmërinë e këtij borxhi. Borxhi është marrë pasur një mendim juridik nga Ministria e drejtësisë. Asnjë person udhëheqës, i cili në çfarë do qoftë mënyre ka marrë pjesë në këtë krim financiar nuk do të amnistohet”, ka deklaruar Kire Naumov, kryetar i komisionit për financa në LSDM-në opozitare.

Njohësit eçështjeve ekonomike, thonë se Maqedonia ndodhet para kolapsit ekonomik dhe si dalje të vetme nga kriza, qeveria e sheh në futjen e vendit në borxhe, që do të ketë pasoja edhe më të rënda në periudhën më afatgjate.

Ekonomistët gjithashtu tërheqin vërejtjen nga shkeljet e shumta ligjore gjatë marrjes së vendimeve të tilla, që mund të kontestohen para organeve të drejtësisë duke e ndërlikuar edhe më shumë gjendjen pasi në rastin e borxhit përfshihen edhe subjekte ndërkombëtare.

“Në këtë moment kemi një situatë shumë të ndërlikuar dhe vlerësoj se Ministria e Financave është duke shfrytëzuar vakuumin, apo krizën aktuale për të futur vendin në borxhe të mëdha. Sikur edhe të kishte zgjidhje ligjore, tek ne institucionet janë të dirigjuara nga partia në funksionimin e tyre, kështu që mendoj se për momentin nuk kishte mundësi ligjore për të penguar shitjen e bonove të thesarit, apo futjen e shtetit në borxh shumë të lartë”, thotë Nikolla Najdovski, njohës i çështjeve ekonomike.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG