Manjati i pasurive të patundshme, Donald Trump, është bërë zyrtarisht kandidati i Partisë Republikane për president të Shteteve të Bashkuara.
Pas votimit në Konventën Kombëtare Republikane, Trump fitoi me lehtësi të 1,237 delegatët e nevojshëm për nominim.
Trump mbajti një fjalim nga Kulla Trump e Nju Jorkut, duke thënë se fitorja e tij është historike.
“Do të jetë një udhëheqje që do të vë popullin amerikan në vend të parë. Do t’i rikthejmë vendet e punës. Do të rindërtojmë ushtrinë tonë të lodhur dhe do të kujdesemi për veteranët tanë të mëdhenj. Do të kemi kufij të fuqishëm. Do të heqim qafe (grupin militant) Shtetin Islamik. Dhe, do të rivendosim rendin dhe ligjin”, tha Trump.
Ai do të pranojë nominimin të enjten, në ditën e fundit të Konventës së Partisë Republikane.
Në zgjedhjet presidenciale të 8 nëntorit, Trump do të përballet me ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, e cila pritet të marrë nominimin e Partisë Demokratke, javën e ardhshme në Filadelfia.
Biznesmeni miliarder ka udhëhequr një fushtaë të jashtëzakonshme për 13 muaj dhe ka mundur 16 rivalë.
Por, thirrjet e tij për të penguar myslimanët që të hyjnë në SHBA dhe për të ndërtuar mur në kufi me Meksikën janë cilësuar si përçarëse dhe ofenduese jo vetëm nga demokratët, por edhe nga shumë republikanë të shquar, të tillë si ish-presidentët George W. Bush dhe George Bush.
Sidoqoftë, të martën mbrëma, folësit në Konventën Republikane janë përqendruar kryesisht në kritikat për zonjën Clinton, duke e portretizuar kandidaturën e saj si përpjekje për të vazhduar me, siç është thënë, politikat e dështuara të presidentit aktual, Barack Obama.
Kryesuesi i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, akuzoi demokratët për përçarje të njerëzve, “duke luajtur një grup kundër tjetrit”.
Republikanët, po ashtu, e kanë cilësuar Clintonin si “gënjeshtare”, e cila ka vënë vendin në rrezik, duke përdorur emailin privat për çështje zyrtare.
“Hillary Clinton është kujdesur më shumë për të mbrojtur sekretet e saj dhe jo sekretet e Amerikës”, tha guvernatori i Nju Xhërsit, Chris Christie.
Kritikat e tij janë përqendruar kryesisht në kohën kur Clinton ka qenë sekretare e shtetit, gjatë mandatit të parë të presidnetit Obama. Christie e fajësoi Clintonin për gabime në Libi, Siri, Rusi, Iran dhe Kubë.
“Nuk mund ta emërojmë komandante supreme dikë që e ka bërë botën më të dhunshme dhe më të rrezikshme”, tha Christie.
Menjëherë pasi Trump është nominuar, Clinton ka reaguar në Twitter duke shkruar: "Donald Trump sapo është bërë i nominuari i Partisë Republikane. Ndihmoni tani që ai kurrë të mos hyjë në Shtëpinë e Bardhë”.
Në Konventën e Partisë Republikane, të martën mbrëma kanë folur fëmijët e Trumpit. Djali i tij, Donald Trump Jr, e ka përshkruar atë si mikun e tij më të mirë dhe si rol model.
Gruaja e Trumpit, Melania, i është drejtuar Konventës të hënën, duke thënë se Trump është një njeri i ndershëm, i cili do të luftojë për vendin.
Fjalimi i saj, megjithatë, është cilësuar si plagjiat. Komentuesit kanë vërejtur ngjashmëri të mëdha me fjalimin e Zonjës së Parë, Michelle Obama, në konventën e Partisë Demokratike më 2008. Fushata e zotit Trump i ka hedhur poshtë akuzat për plagjiat.
Facebook Forum