Ndërlidhjet

Erdogan: Për tradhëtarët, ndoshta dënim me vdekje


Stamboll
Stamboll

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka thënë se ekziston mundësia që në këtë vend të kthehet dënimi me vdekje pas përpjekjes për grushtshtet më 15 korrik nga një pjesë e ushtrisë së vendit.

Lideri turk në fakt reagoi ndaj një kërkese që bëhej nga turma e njerëzve që merrte pjesë në varrimin e disa prej viktimave që u vranë gjatë përballjes me pjesëtarët e ushtrisë që tentuan marrjen e kontrollit mbi shtetin.

“Ne e duam dënimin me vdekje”, ishte thirrja që bëhej në kor nga masa që merrte pjesë në këtë ceremoni varrimi.

Presidenti turk tha se “në një demokraci, nuk mund të injorojmë kërkesën e popullit – kjo është e drejta juaj”.

Kjo e drejtë duhet të analizohet nga autoritetet e duhura në raport me kushtetutën dhe një vendim do të merret”, ka thënë Erdogan në fjalimin e tij që është transmetuar drejtpërdrejt në televizionet turke.

Dënimi me vdekje kërkohet për mbi 6 mijë persona që deri në mbrëmjen e së dielës janë arrestuar me dyshimin se kanë qenë pjesëmarrës në realizimin e grushtshtetit të dështuar të 15 korrikut.

"Në çdo nivel të qeverisë, periudha e pastrimit të virusit do të vazhdojë. Të nderuar vëllezër, ky virus është përhapur tej mase si virus kanceri, fatkeqësisht është përhapur në tërë qeverinë”, u ka thënë Erdogan të pranishmëve në ceremoninë e varrimit që është mbajtur në Stamboll.

Edhe ministri i Drejtësisë së këtij vendi, Bekir Bozdag, ka thënë se “operacioni i pastrimit” do të vazhdojë dhe se numri i të arrestuarve do të vazhdojë të rritet.

Procesi i “pastrimit të virusit” nga të gjitha institucionet shtetërore turke nuk po kursen as personat që deri më tash kanë punuar afër presidentit Rexhep Tajip Erdogan.

Mbrëmjen e së dielës është arrestuar edhe koloneli Ali Yazici, një nga këshilltarët më të rëndësishëm ushtarak të vetë presidentit turk.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Turqi “Anadoly” ka raportuar se për Yazici ishte lëshuar urdhërarresti për përfshirje në përpjekjen për grushtshtet, por pa dhënë ndonjë detaj se për çfarë sakt akuzohet ai.

Arrestimet e deritashme përfshijnë jo vetëm zyrtarë të lartë ushtarakë, por edhe 2,700 gjykatës.

Ministria e Jashtme turke ka njoftuar mbrëmjen e së dielës së numri i viktimave gjatë grushtshtetit të dështuar ushtarak ka arritur në 290 të vrarë dhe mbi 1,400 të tjerë të plagosur.

Nga të vdekurit, më shumë se 100 viktima raportohet të jenë nga grupi i atyre që tentuan grushtshtetin, ka thënë më tej Ministria e Jashtme turke përmes komunikatës.

Pjesë e kësaj komunikate është edhe pretendimi që nuk ka asnjë dyshim se grushtshteti është realizuar nga përkrahës të klerikut turk që jeton në SHBA, Fetullah Gylen.

Gylen e ka hedhur poshtë përfshirjen në përpjekjen për rrëzimin e qeverisë, duke e dënuar përpjekjen për grusht shtet si fyerje për demokracinë.

Zyrtarët e shtetit turk deri më tash e kanë thënë disa herë se do e kërkojnë ekstradimin e miliarderit Fetullah Gylen për në Turqi.

"Përmes ministrisë sonë të Drejtësisë dhe asaj të Jashtme, ne do të dërgojmë kërkesa me shkrim te Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e tjera perëndimore ku do të kërkojmë ekstradimin (e Fetullah Gylenit dhe njerëzve që besohet se janë aleatët e tij)”, ka thënë presidenti turk në Stamboll, më 17 korrik.

Mirëpo, deri në orët e vona të së dielës, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë se SHBA-të nuk kanë pranuar asnjë kërkesë të tillë zyrtare nga Turqia për ekstradimin e Gylenit nga Pensilvania, ku jeton aktualisht, për në vendin e tij të origjinës.

Gylen, i cili e ka hedhur poshtë çfarëdo përfshirjeje në përpjekjen për grushtshtet në Turqi ka thënë se ai nuk e hedh poshtë mundësinë që në fakt grushtshteti të jetë pjesë e një plani të vetë Qeverisë turke që të krijojë arsye më shumë për ta përndjekur atë dhe përkrahësit e tij.

"Ekziston një mundësi e vogël që përpjekja e fundit të jetë vetëm një grushtshtet i inskenuar. Kjo do të mund të përdoret për akuza të reja. Unë thjesht e lë derën e hapur për këtë si një nga mundësitë”, ka thënë Gylen.

Ndërkohë, në Ankara dhe Stamboll njoftohet se mbledhja e njerëzve nëpër sheshe në mbështetje të presidentit Erdogan dhe pushtetit të tij do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim.

Megjithatë, kryeministri turk, Binali Yildirim, ka deklaruar se jeta në këtë shtet i është kthyer normalitetit pasi Banka Qëndrore, sistemi bankar në përgjithësi dhe bursa turke janë duke punuar me orar të rregullt. (REL)

Përgatiti: Artan Haraqija

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG