Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, i tha Radios Evropa e Lirë se dhuna politike në Kuvend, në muajt e kaluar, e ka pamundësuar pranimin e Kosovës në UNESCO dhe pjesëmarrjen e saj të plotë në institucionet ndërkombëtare dhe njëkohësisht i ka kushtuar asaj ekonomikisht.
Ambasadori Delawie, në intervistën për REL, tha se kundërthëniet e sajuara rreth demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, po krijojnë jostabilitet politik, dhe shprehu zhgënjimin e tij me, siç tha, njerëzit që po e shfrytëzojnë këtë çështje për përfitime të brendshme politike. Ai tha se ideja e krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, është se mund të ndihmojë në promovimin e eliminimit të strukturave paralele, për të mundësuar punën e përbashkët brenda strukturave kushtetuese të Kosovës. Ambasadori Delawie tha se shembujt e korrupsionit, në cilëndo fushë, e dëmtojnë popullatën dhe të ardhmen e Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Ambasador Delawie, kur keni ardhur këtu e keni gjetur Kosovën të turbullt dhe ende vazhdon të jetë e tillë, pothuajse një vit pas ardhjes suaj. A po bëhet më mirë?
Ambasadori Delawie: T’i vëmë pak gjërat në peshore. Kemi disa gjëra shumë të mira pozitive që kanë ndodhur. Kosova është kualifikuar për programin e ndihmave të Korporatës për Sfidat e Mijëvjeçarit të qeverisë amerikane, e ka nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim me Bashkimin Evropian dhe këto të dyja janë gjëra jashtëzakonisht pozitive. Edhe disa gjëra tjera pozitive: Kosova është pranuar në UEFA, si dhe në FIFA, sportistët kosovarë do të udhëtojnë në Rio pas nja një muaji apo dy për të garuar në Lojërat Olimpike për herë të parë nën flamurin e Kosovës. Pra, të gjitha këto janë ngjarje shumë të rëndësishme dhe nuk duhet të harrojmë se këtu ndodhin gjëra pozitive.
Në anën tjetër janë gjërat që të gjithë i dimë. Ka pasur dhunë politike gjatë vjeshtës dhe dimrit në Kuvend, që i ka kushtuar Kosovës ekonomikisht, si dhe pamundësoi pranimin e Kosovës në UNESCO dhe pjesëmarrjen e saj të plotë në institucionet ndërkombëtare. Pastaj, janë edhe problemet e vazhdueshme të papunësisë, korrupsionit dhe gjërave të ngjashme. Pra, ka pasur të përpjeta e tatëpjeta, absolutisht, por mendoj se – unë jam këtu qe dhjetë muaj e ca, por i kam takuar kaq shumë kosovarë të rinj që janë të përkushtuar, të vendosur, që kanë ideale dhe jam i bindur se Kosova do të vazhdojë të ketë sukses dhe unë jam optimist dhe jam më se optimist për Kosovën.
Radio Evropa e Lirë: Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi e ka lëkundur skenën politike vitin e kaluar. A është shumë vështirë që të rivlerësohet kjo çështje për hir të stabilitetit politik?
Ambasadori Delawie: Më duhet të them se mendoj që kjo është çështje e sajuar dhe që kundërthëniet e sajuara rreth saj po e krijojnë jostabilitetin politik. Dua të them, le t’i shohim faktet. Kufiri i shënuar nga komisioni qeveritar është identik me kufirin që ka ekzistuar në mes të Kosovës dhe Malit të Zi në vitin 1974. Është kufiri sipas të cilit Kosova e ka shpallur pavarësinë e saj në vitin 2008. Departamenti i Shtetit e shqyrtoi këtë çështje në dhjetor dhe doli në përfundim se kufiri është i njëjtë me atë të vitit 2008. Komisioni ndërkombëtar e vlerësoi këtë në shkurt dhe mars dhe atij iu kërkua të gjente se a ishte i njëjti kufi dhe vendimi i tij ishte se kufiri ishte i saktë. Dhe më duhet të them se kufiri që e shënoi komisioni është i njëjtë me kufirin që shihet në miliona flamuj të Kosovës nëpër tërë vendin dhe nëpër botë. Pra, jam i zhgënjyer që njerëzit po e shfrytëzojnë këtë çështje, po përpiqen të grinden me Malin e Zi, që është vend miqësor dhe përkrahës i Kosovës, për përfitime të brendshme politike. Kjo do të vazhdojë ta mbajë Kosovën prapa në rrugëtimin drejt integrimeve evropiane.
Radio Evropa e Lirë: Asociacioni i komunave me shumicë serbe është pjesë e marrëveshjes së negociuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e Brukselit. Disa kanë pohuar se asociacioni çon drejt ndarjeve etnike dhe kërcënon tërësinë territoriale të Kosovës. A duhet që ky asociacion të krijohet edhe pse mund të krijojë ndasi në Kosovë?
Ambasadori Delawie: Nuk pajtohem me këtë pikëpamje. Më duhet të them se kushdo që mendon se nuk ka tensione etnike në Kosovë po e gënjen veten. Qëllimi i krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe është që t’i japë një zë pak më të fuqishëm pakicës serbe për gjërat që janë më të rëndësishme për atë grup gjuhësor, si edukimi, kujdesi shëndetësor... gjërat e tilla, por sipas ligjeve të Kosovës, sipas Kushtetutës së Kosovës. Po ashtu, ideja më e gjerë prapa Asociacionit është se mund të ndihmojë në promovimin e eliminimit të strukturave paralele që ekzistojnë sot në shumicën e komunave ashtu që të gjithë, të gjitha komunitetet e Kosovës do të punojnë më mirë së bashku brenda strukturave kushtetuese të Kosovës, ashtu që të bëhet gjithnjë e më shumë një shtet i unifikuar.
Radio Evropa e Lirë: Ambasador, marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është arritur më shumë se tri vjet më parë. Megjithatë, deri tash nuk është bërë shumë në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura. A ka kuptim që të vazhdohet ky dialog pa të paktën njohjen e shtetësisë së Kosovës nga Serbia?
Ambasadori Delawie: Së pari, më duhet të mos pajtohem sepse mendoj se ka të arritura përmes dialogut. Këtu mendoj për gjërat si mbledhja e tarifës doganore përgjatë kufirit verior të Kosovës, integrimi i policisë, shpërbërja e njësiteve të Mbrojtjes Civile, zgjedhjet në tërë shtetin e Kosovës... Pra, të gjitha këto janë gjëra pozitive që kanë dalë nga dialogu i mbajtur gjatë disa viteve të fundit. Por, do të jem i pari që e pranoj se ka një lloj lodhje nga dialogu dhe që nuk kemi arritur ndonjë përparim të madh në zbatimin e marrëveshjeve të arritura gushtin e shkuar. Por, që Kosova ta arrijë qëllimin e saj – qëllimin tim për të – e që është integrimi i plotë brenda institucioneve evropiane, atëherë marrëdhëniet më të mira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përbëjnë element thelbësor të tij. Pra, e kam ndërmend të vazhdoj të punoj në këto çështje dhe vetëm duhet të punojmë më shumë me Kosovën dhe Serbinë për t’i realizuar disa prej marrëveshjeve të arritura dhe për të parë se çka tjetër mund të bëjmë për të ndihmuar njëmend për përmirësimin e jetës së njerëzve në terren.
Radio Evropa e Lirë: Meqenëse po flasim për integrimet evropiane, ditëve të fundit kemi parë zhvillime të reja brenda Bashkimit Evropian me Britaninë, Mbretërinë e Bashkuar që disi ka vendosur ta lë atë. Kosova dhe rajoni mezi s’presin që t’i bashkohen BE-së. A do ta ngadalësojë BREXIT-i procesin e integrimit të rajonit të Ballkanit dhe të Kosovës?
Ambasadori Delawie: Mendoj se realisht askush nuk e di tash për tash çka do të sjellë BREXIT-i dhe çka do të ndodhë. Por, i kam disa komente përgjithësisht për këtë çështje.
Së pari, marrëdhënia dhe miqësia e thellë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe dhe pjesës tjetër të Bashkimit Evropian do të vazhdojnë. Qëllimi ynë është të vazhdojmë të punojmë me tërë Evropën për shpërndarjen e paqes, begatisë dhe stabilitetit nëpër tërë Evropën dhe nëpër tërë botën dhe ne synojmë të vazhdojmë ta bëjmë këtë dhe jam i sigurt se edhe partnerët evropianë do ta bëjnë të njëjtën gjë. Disa prej komenteve që po i shoh në gazeta se jostabiliteti politik dhe ekonomik në Evropë është i mirë për Shtetet e Bashkuara janë thjesht qesharake. Njerëzit që e thonë këtë nuk e kuptojnë politikën tonë dhe thjesht nuk e kuptojnë si funksionon bota.
Por, pas gjithë kësaj, mendoj se Kosova duhet të nxjerrë një mësim nga e tërë kjo përvojë e BREXIT-it. Vetëm duke i lexuar gazetat, e kam të qartë se shumë njerëz kanë votuar për të dalë nga BE-ja sepse janë ndjerë të shkëputur nga zyrtarët në Bruksel që po i merrnin vendimet që kishin ndikim në jetën e tyre. Si zyrtarë të qeverisë, mendoj se kjo është diçka që duhet t’i kushtojmë vëmendje. Udhëheqësit kosovarë duhet po ashtu të sigurohen se po bëjnë gjithçka që është e mundur për t’u siguruar se qytetarët e Kosovës, nëpër tërë vendin, që janë punëdhënësit e tyre, e ndjejnë që politikanët këtu në Prishtinë me të vërtetë po punojnë për ta. Mendoj se ky është mësimi relevant që Kosova duhet ta nxjerrë nga përvoja e BREXIT-it.
Radio Evropa e Lirë: E nëse dalim te çështjet e brendshme në Kosovë, ka pasur zëra të ngritur rreth jostabilitetit brenda vendit, veçanërisht në periudhën që do të vijë. Gjykata e Specializuar për krime lufte, është njëra nga këto çështje që mund ta lëkundë stabilitetin në Kosovë. Gjykata do të merret me ish-anëtarët e UÇK-së dhe kështu ka gjasa që ta përkeqësojë situatën. A pajtoheni me këtë?
Ambasadori Delawie: Të jem i sinqertë nuk e di se çka do të bëjë Gjykata Speciale dhe jam 99 për qind i sigurt se askush tjetër në Kosovë nuk e di. Por, e di këtë: e di se Shtetet e Bashkuara besojnë se të gjitha viktimat meritojnë drejtësi. Sekretari Kerry ka folur për Gjykatën e Specializuar kur ishte këtu në dhjetor dhe edhe ai e ka vënë në pah se është me rëndësi për Kosovën që t’i vejë prapa shpinës këto pretendime të ngecura nga periudha e luftës. Po ashtu, mendoj se kjo është çështje me rëndësi me të cilën Kosova duhet të përballet përderisa po punon drejt integrimeve evropiane.
Radio Evropa e Lirë: Gjatë pothuajse një viti në Kosovë, disa herë e keni adresuar çështjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kosova sërish është ndër vendet më të korruptuara në botë. Ku po ngec lufta kundër këtyre fenomeneve?
Ambasadori Delawie: Korrupsioni është çështje e vështirë për çdo vend të botës. Po ashtu, çështja më e rëndësishme me të cilën do të merrem gjatë mandatit tim si ambasador këtu në Kosovë është lufta kundër korrupsionit në Kosovë. Vetëm gjatë këtij viti do të shpenzojmë rreth 12 milionë dollarë në projektin e quajtur “Fuqizimi i sektorit të drejtësisë”, që është përpjekje për përmirësimin e transparencës dhe efikasitetit në sektorin e gjyqësorit. Transparenca me siguri është njëri ndër elementet kyçe për luftimin e korrupsionit. Po ta kisha një shkop magjik për të punuar në këtë, më besoni se do ta përdorja për korrupsionin në Kosovë, i cili është problem që ka vazhduar për një kohë të gjatë. Por, ka disa fije të lajmeve të mira për këtë. Para një ose dy muajve, EULEX-i, duke punuar ngushtë me institucionet kosovare, i ka arrestuar rreth 50 veta të një grupi të supozuar kriminal me akuzën për vjedhje të pronës publike dhe shitje të saj të tjerëve. Mendoj se ky lloj i operacioneve të suksesshme është njëri ndër arsyet se pse kam folur kaq shpesh për rëndësinë që EULEX-i të qëndrojë këtu edhe për një periudhe kohore. Shembulli i dytë, institucionet vendore – policia dhe prokuroria në Kosovë kanë ngritur aktakuzë kundër dhjetëra njerëzve para disa javëve për një rast të supozuar të korrupsionit në Ministrinë e Shëndetësisë. Ky duket të jetë një rast shumë i ndërlikuar dhe është tepër mirë që prokuroria dhe policia e Kosovës kanë qenë në gjendje që ta ndërtojnë këtë rast. Duhet të presim dhe të shohim se çka tregojnë dëshmitë dhe të shohim se çka bën sektori i drejtësisë me këto dy raste, por mendoj se është me rëndësi që të pranohet përparimi aty ku ka.
Radio Evropa e Lirë: A ka lidhje ndërmjet politikës dhe krimit të organizuar e korrupsionit në Kosovë?
Ambasadori Delawie: Llogaridhënia e zyrtarëve të zgjedhur është e rëndësisë jetike për mënyrën e sjelljes së qeverisë. Natyrisht, mendoj se qytetarët duhet të vlerësojnë vetë nëse politikanët për të cilët duan të votojnë po arrijnë përparim në luftën kundër korrupsionit apo a janë të përfshirë në korrupsion. Mendoj se çfarëdo zyrtari qeveritar, pa marrë parasysh a është politikan apo shërbyes civil, i cili është akuzuar për korrupsion, duhet që të paktën të pezullohet nga përgjegjësia publike e tij/saj deri kur rasti të zgjidhet përfundimisht. Po ashtu, mendoj se është me rëndësi të pranohet se korrupsioni nuk është çështje vetëm e zyrtarëve të lartë apo politikanëve. Është diçka me të cilën përballen shumë njerëz në jetën e tyre të përditshme, si p.sh. të paguash nën dorë për trajtim shëndetësor që do të duhej të jetë e përfshirë në sigurimin shëndetësor, apo të paguash për nota në shkollë apo të regjistrohesh për beneficione si veteran edhe pse nuk i ke fituar. Këta janë shembuj të korrupsionit që e dëmtojnë popullatën e Kosovës, që e dëmtojnë të ardhmen e Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Ambasador, ka pasur shqetësime të mëdha lidhur me lëvizjen e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit. Sa është Kosova e kërcënuar nga këto lëvizje?
Ambasadori Delawie: Më duhet të them se të gjithë jemi të kërcënuar nga këto lëvizje. Ndjej dhembje për miqtë e mi në Turqi dhe për familjet e viktimave të sulmeve të tmerrshme në aeroportin e Stambollit. Kjo është diçka për të cilën të gjithë duhet të punojmë shumë. Kosova i ka ndërmarrë shumë hapa të duhur, veçanërisht në dy vitet e fundit. Ka ligjin që ndalon luftimin në konflikte të huaja; zyrtarët e lartë qeveritarë kanë marrë pjesë në samite në Shtetet e Bashkuara dhe në Tiranë për përballjen me ekstremizmin e dhunshëm. Këto janë hapa shumë të rëndësishëm. Duhet ta përmend edhe se para disa javëve shtatë persona janë dënuar me 40 e ca vjet burgim që kanë shkuar për të luftuar e vdekur në luftërat e të tjerëve apo për nxitje për ta bërë një gjë të tillë. Pra, këta janë hapa pozitivë. Kisha dashur të mund të them se e kemi zgjidhur problemin, por sinqerisht nuk mendoj se dikush e ka gjetur mënyrën se si të përballemi me këtë gjë. Të gjitha vendet tona janë në një lloj metode eksperimentuese: çka po funksionon, çka jo, çka mund të mësojmë nga njëri-tjetri. Por, ne kemi partnerë të jashtëzakonshëm në Kosovë që po punojnë në këto çështje dhe jam shumë i lumtur për këtë.
Radio Evropa e Lirë: Dhe në fund, kjo intervistë po realizohet pak ditë para festimit të përvjetorit të 240-të të Ditës së Pavarësisë së SHBA-së. Kosova është vendi më pro-amerikan në botë. Çka mendoni, çfarë kuptimi ka Dita e Pavarësisë së SHBA-së për Kosovën?
Ambasadori Delawie: Mendoj se është me rëndësi që njerëzit në Kosovë ta kuptojnë se kur Shtetet e Bashkuara u pavarësuan ishin vend i vogël. Përballej me shumë sfida. Ishte vend shumetnik, shumëfetar, shumëgjuhësor kur të gjitha këto gjëra ishin të reja. Kishim sfida. Kishim mosmarrëveshje të vështira me ish-armiken tonë, kishim konteste për kufirin, si dhe kishim vetë qytetarët tanë që përpiqeshin ta gjenin se çfarë qeverie do të kishim. E provuam një gjë, nuk bëri punë, kështu që duhej të provonim diçka tjetër disa vite më vonë. Por, ia dolëm. Më shumë se 200 vjet më vonë, Shtetet e Bashkuara sot janë demokraci e gjallërishme dhe e fuqishme dhe e përmbush vizionin e shumë njerëzve që i kanë pasur shpresat më të mëdha për vendin tonë. Këtë e shpresoj edhe për Kosovën: që pas dhjetëra e qindra viteve, Kosova ende të jetë demokraci e gjallërishme dhe e fuqishme, që do t’i ndihmojë qytetarët e saj për t’i përmbushur dëshirat e tyre. Kjo është aspirata ime për Kosovën dhe më duhet të them se jam më se i lumtur që do ta festoj Ditën tonë të Pavarësisë në një vend që - jashtë Shteteve të Bashkuara - është vendi më pro-amerikan në botë. (REL)
Facebook Forum