Ndërlidhjet

Policia do të parandalojë veprimet provokative për Vidovdan


Ilustrim
Ilustrim

Policia e Kosovës ka paralajmëruar se do të ndërmarrë veprime të menjëhershme, në rast të provokimeve gjatë shënimit të Ditës së Shën Vidit në Kosovë, përfshirë edhe bartjen e bluzave ose fanellave që mund të nxisin provokime.

Por ajo tha se përveç garantimit të sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit do të sigurojë edhe lirinë e lëvizjes për të gjithë.

Paralajmërimet vijnë në ditën kur në Gazimestan, disa kilometra në veri të Prishtinës, pritet shënimi i manifestimit që ndër serbët e Kosovës njihet si Vidovdan.

Festa e Vidovdanit, në të kaluarën ka ngjallur një numër reagimesh për shkak të sjelljeve të pjesëmarrësve në manifestim, që janë cilësuar si nacionaliste.

Policia tha se ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë për tubimin publik në Gazimestan, ndërkohë që një zëdhënës i saj Daut Hoxha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, bëri të ditur se policia e Kosovës do të ndërmarrë veprime të menjëhershme në përputhje me situatën e krijuar.

“Polica e Kosovës do të veprojë konform situatës së paraqitur në terren dhe të gjithë veprimet që cenojnë sigurinë e përgjithshme dhe janë provokative do t’i konsiderojnë si jo të mira dhe do të ndërmerren veprimet të menjëhershme”, ka thënë Hoxha.

Zëdhënësi i Policisë tha se nga intervenimi i policisë nuk do të përjashtohen as edhe bartësit e mundshëm të fanellave ose të bluzave që mund të cilësohen si provokative me porosi nacionaliste.

“Çdo veprim që bie në kundërshtim me ligjet në fuqi, policia do ta marrë si provokim, dhe në atë aspekt do të veprojë konform ligjeve për të mbajtur një rend dhe një siguri të përgjithshme duke përfshirë edhe garantimin e lëvizjes së lirë”, ka sqaruar Hoxha.

Përdorimi i simboleve apo mesazheve nacionaliste, fyerjet fetare, kombëtare gjinore apo racore janë të ndaluara me Ligjet e Kosovës dhe autoritetet e sigurisë në vend kanë thënë se nuk do të lejojnë prishjen e rendit dhe të ligjit.

Në shënimin e Ditës së Vidit, më 28 qershor, pjesëtarë të komunitetit serb mblidhen ne Gazimestan, në një fushë ku besohet të jetë zhvilluar beteja e Kosovës e shekullit XIV. Në manifestime të tilla, të përvitshme, grupe të caktuara nga Serbia kanë bartur bluza me shënime nacionaliste duke nxitur, siç është vlerësuar, “urrejtje ndërmjet komuniteteve”..

Kremtimi i Ditës së Shën Vidit, që prej pas luftës disa herë u kthye në përplasje të manifestuesve me policinë e Kosovës. Në vitin 2012 mbi 30 policë u lënduan gjatë një përplasjeje me manifestues serbë të ardhur nga Serbia, që bartnin bluzat me shënime nacionaliste.

Shënimi i Ditës së veçantë në historinë serbe, Vidovdanit, sivjet do të bëhet në tri pjesë, në Manastirin e Gracanicës, në Gazimestan, dhe në Mitrovicën e Veriut, ku pritet që të zbulohet shtatorja e princ Llazarit.

Shtatorja ka nxitur reagime të shumta, ne veçanti të partive politike opozitare në Kosovë, por ministria e Pushtetit Lokal ka drejtuar gishtin kah komuna e Mitrovicës së Veriut duke e bërë përgjegjëse për këtë çështje.

Vendosja e shtatores, për ekspertin e çështjeve të sigurisë, Agim Musliu konsiderohet si një provokim i Serbisë që po iu bëhet qytetarëve të Kosovës

Ky është një manifestim i cili ka për qëllim dhe është i dizajnuar dhe zbatuarnga “kuzhina” e sigurimit shtetëror të Serbisë, dhe në atë aspekt gjithmonë ka për qëllim që të mundohet apo të provokojë një pjesë të kosovarëve të cilët janë rrugës deri në Gazimestan”.

“Nëse marrim parasysh edhe shtatoren e Car Lazarite cila është vendosur në veriun e Kosovës, kjo mund të jetë një acarim shtesëapo një irritim shtesë i shqiptarëve edhe në veriun e Mitrovicës, por edhe në pjesën tjetër të Kosovës ku mund të ketë ndonjë incident”, thekson Musliu.për Radion Evropa e Lirë. .

Dita e Shën Vidit, ose Vidovdani, është njëra prej festave më të rëndësishme për serbët e Kosovës meqë shënon, sipas historisë, edhe luftën më të rëndësishme në Ballkan të shekullit XIV – Betejën e Kosovës.

Megjithëse e cilësuar nga historia serbe si beteja e ushtrisë serbe ndaj pushtimit otoman, ajo shënoi humbjen më të rëndë të popujve të Ballkanit por nganga serbët shënohet si ditë e fitores shpirtërore.

Kremtimi i përvjetorit të Betejës së Kosovës në vitin 1989 në kohën e udhëheqjes së presidentit serb Sllobodan Millosheviç u kthye në kulmin e nacionalizmit në ish-Jugosllavi, me shpalljen siç thuhej të bashkimit tëSerbisë, përmes rrënimit të autonomisë së Kosovës dhe me paralajmërimin e luftërave të përgjakshme që çuan në shkatërrimin e ish federatës jugosllave.

Kosova afro dy dekada më vonë shpalli pavarësinë e saj, pas një intervenimi të NATO-s, që hoqi administrimin e Serbisë.(REL)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG