Dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian paraqet jo vetëm një lajm të trishtuar për BE-në, por edhe për Kosovën dhe të gjitha vendet që kanë aspiruar integrimet evropiane, ka thënë ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ministri Çollaku ka deklaruar se kjo ditë është e trishtuar, sepse një shtet shumë i fuqishëm, një demokraci e konsoliduar, një shtet anëtar i Bashkimit Evropian, në mënyrë krejt legjitime dhe demokratike ka vendosur që ta lë Bashkimin Evropian dhe i vetëm të vazhdojë tutje.
“Sa i përket reflektimt që do të ketë në Bashkimin Evropian, ndoshta është herët të flitet, por mendoj që BE-ja nuk do të jetë e njëjtë pa Britaninë e Madhe”, ka thënë Çollaku.
Kjo dalje, ka nënvizuar ai, do të mund të nxitë reagime të njëjta edhe tek shtete tjera anëtare të BE-së.
“Uroj që kjo të mos ndodh, sepse mendoj që rrezikimi i funksionimit të BE-së me dalje eventuale të shteteve tjera anëtare do të ishte një fatkeqësi e madhe për Evropën dhe gjitha shtetet tjera që nuk janë anëtare, por aspirojnë këto integrime, siç është Ballkani Perëndimor”, ka theksuar Çollaku.
Në Kosovë, ka potencuar ai, “jemi dëshmitar të punës së madhe që bëhet për reformat esenciale në vend të cilat si qëllim kanë përafrimin e vendit me Bashkimin Evropian”.
Jo vetëm BE-ja, por edhe Kosova po e humb një shtet aleat brenda BE-së, ka theksuar ai.
“Ne po humbim një anëtar të BE-së që ishte ndër shtet e para që e ka njohur Republikën e Kosovës dhe ka folur hapur për nevojën e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe tani ne nuk e kemi më këtë aleat, sikurse që nuk e ka i gjithë Ballkani Perëndimor”, ka thënë Çollaku.
“Imagjinojeni se çfarë mesazhi dërgon dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja për neve, shtetet që jemi aspirante dhe kemi pretendime të bëhemi pjesë e BE-së”, është shprehur ai.
Sipas Çollakut, ky zhvillim do të nxisë patjetër edhe debate të shumta rreth reformave brenda BE-së, në mënyrë që organizata të mund të funksionoj tutje. Ai pret që me gjithë këtë “dështim të BE-së”, kjo organizatë do të vendos t’i hap dyert ndaj vendeve pretendente dhe të mbijetoj edhe këtë sfidë. (REL)
Facebook Forum