Ndërlidhjet

Mungon vullneti politik për çështjen e viktimave të dhunës seksuale 


Instalacioni "Mendoj për ty"
Instalacioni "Mendoj për ty"

Ka afro dy vjet që kur një ligj për të rënët, invalidët, luftëtarët e UÇK-së dhe viktimat dhunës seksuale të luftës, u miratua në Kuvendin e Kosovës, por i njëjti ende nuk ka filluar të zbatohet, në veçanti kur flitet për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Ligji, për herë të parë pas 15 vjetësh, njohu statusin e viktimave të dhunës seksuale gjatë Luftës në Kosovë dhe i njëjti është dashur të përcillet edhe me hapin konkret për krijimin e Komisionit Qeveritar që do të përkujdesej për këtë kategori.

Me të, njëkohësisht, u saktësua se viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, do të duhej të gëzonin të drejtën e pensionit prej 300 eurosh.

Vonesat e bëra në themelimin e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës gjatë luftës kanë ngjallur reagime të mëdha tek shoqëria civile.

Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk ka gatishmëri politike për të vënë në funksion legjislacionin e aprovuar tani dy vite nga Kuvendi i Kosovës.

“Realisht mund të themi se deri më sot janë krijuar të gjitha mundësitë për të krijuar këtë komisioni për njohjen e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës, për shkak se legjislacioni sekondar i cili e shtynë të zbatohet ky ligj është aprovuar. Deri më tani mund të themi se vetëm gatishmëria politike e institucioneve të Kosovës ka munguar për të zbatuar njohjen ligjore të viktimave dhunës seksuale gjatë luftës”, ka bërë të ditur Rushti.

Ajo thotë se të gjitha viktimat janë të zhgënjyera dhe të demoralizuara nga vonesat që po i bëhen këtij Komisioni qeveritar.

“Shtyrjet që po bëhen përveç faktit që komisioni është folur dhe përfolur që do të krijohet shumë më herët, po ndikon negativisht në familje dhe tek vetë viktimat, për faktin se po e shohin jo seriozitetin e institucioneve të Kosovës ndaj këtij grupi të ndjeshëm shoqëror”, ka bërë të ditur Rushiti.

Por, zyrtarë të qeverisë thonë se procedurat e shpalljes së konkursit për anëtarët e komisionit qeveritar janë hapur dhe pritet që ai të funksionalizohet së shpejti.

Sokol Havolli, shef i kabinetit në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se sekretariati teknik që merret me këtë çështje është themeluar në kuadër të qeverisë dhe ka një funksion deri në kryerjen e procedurave të konkursit për Komisionin

“Aktualisht mund të konfirmojë se rregullorja për Komisionin për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë është miratuar në qeveri, dhe tani jemi në procedura të hapjes së konkursit për anëtarët e këtij komisioni”.

Çështja e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës u riaktualizua në kohën e presidentes Atifete Jahjaga, e cila për të ndihmuar këtë kategori të shoqërisë krijoi Këshillin Kombëtar të cilin e udhëhoqi.

Fushata sensibilizuese në bashkëpunim me shoqerinë civile ndihmoi në miratimin e Ligjit, i cili ende nuk po gjen zbatim.

Jeta Krasniqi, ish këshilltare e presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, e cila ka koordinuar punën e Këshillit Kombëtar të drejtuar nga Jahjaga, tha për Radion Evropa e Lirë se Këshilli ka përfunduar punën në fund të marsit të këitj viti dhe të gjitha proceset, sipas saj, duhet të shtyhen nga institucionet dhe në përgjithësi nga shoqëria.

“Zëri i grave të Kosovës të cilët kanë qenë të dhunuara ka qenë i heshtur. Me formimin e këshillit në atë kohë dhe iniciativën e ish presidentes Jahjaga kjo çështje kishte marrë hov dhe kishte thyer atë heshtje jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë vendit. Kishte munguar edhe njohja ndërkombëtaree kësaj kategorie të dalë nga lufta, pra nuk ishte njohur kjo dhunë seksuale e cila ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë”, ka thënë Krasniqi.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka përfshirë në një raport të saj cështjen e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës që janë evidentuar në afro 20 vende të botës, por ai nuk e përmend Kosovën.

Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë shumë shpesh kanë fshehur krimin ndaj tyre, për shkak të stigmatizimit nga familja dhe shoqëria. Ky fakt mund edhe të paraqes probleme shtesë në kohën e verifikimit të numrit të saktë të personave të përdhunuar gjatë luftës në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë kohë më parë kishte biseduar më një nga viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe ajo pati treguar se rastin e saj e kishte fshehur madje edhe nga bashkëshorti i saj.

Ajo ka nevojë për paratë, por që të përfshihet në regjistrin e pensioneve, kishte thënë se do të duhet të detyrohet që fillimisht të "trillojë" diçka për të arsyetuar burimin e parave.

Edhe 17 vjet pas luftës ende nuk ka një numër të saktë të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, por mendohet që numri i tyre të jetë deri në 20.000. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG