Marrëveshja për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi po shkon drejt rishikimit, thonë analistët politik. Sipas tyre, nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje, ish-lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, tani president i Kosovës, dhe kryeministri Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, janë bazuar vetëm në numrat që kanë në Kuvend, por jo edhe në qëndrimet që do të mbajnë deputetët, përfshir edhe ata nga partitë e tyre.
Analisti Halil Matoshi pret që marrëveshja për demarkacionin, si “një kauzë popullore që është krijuar”, të shkojë drejt Gjykatës së Arbitrazhit.
Jo vetëm te partitë politike, por edhe te opinioni i gjerë, ka nënvizuar Matoshi, është krijuar një dilemë e madhe se ka pasur parregullsi me këtë marrëveshje.
“Edhe Komisioni Shtetëror i Kosovës në fillim ka pasur dilema të mëdha rreth kufirit (kësaj marrëveshjeje), por çfarë ndodhi ndërkohë që u pajtua me këtë demarkacion, këtë mbase mund ta dinë vetëm Hashim Thaçi dhe njerëzit e Komisionit Shtetëror.”
“Besoj që ky version i demarkimit nuk do të kalojë dhe se çështja duhet të rishikohet dhe eventualisht me pajtimin e palëve, çështja të shkojë në arbitrazh ndërkombëtar”, ka thënë Matoshi për Radion Evropa e Lirë.
Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi fillimisht ishte kundërshtuar nga opozita. Por, kohëve të fundit, edhe deputetë nga radhët e dy partive në pushtet, PDK dhe LDK, janë shprehur të rezervuar, duke kërkuar rishikimin e saj.
Analisti Imer Mushkolaj thotë se koha është e shkurtër dhe se koalicioni duhet të veprojë shumë shpejt. Pozitive në këtë aspekt, vijon Mushkolaj, megjithatë është gatishmëria e shprehur e palës malaziase që të diskutohen dhe rishikohen lëshimet eventuale. Andaj, ai beson se çështja mund të kalojë edhe pa arbitrazhin ndërkombëtar, nëse palët merren vesh.
“Konsideroj që çështja mund të zgjidhet ndërmjet Prishtinës dhe Podgoricës pa pasur nevojë që të shkojë në arbitrazhin ndërkombëtar. Këtu kam parasysh pikërisht vullnetin e palës malaziase, ku nuk e kemi situatën që Podgorica të insistojë që marrëveshja është nënshkruar dhe ndryshe nuk bën. Pikërisht ky fleksibilitet i Podgoricës më jep shpresë dhe besim se çështja mund të zgjidhet ndërmjet dy shteteve dhe nuk ka arsye që kjo të mos ndodhë”, ka theksuar Mushkolaj.
Marrëveshja për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është nënshkruar në fund të muajit gusht të vitit të kaluar në Vjenë. Por, ajo nuk është ratifikuar ende në Kuvendin e Kosovës, qoftë për shkak të protestave të opozitës, apo edhe hezitimeve të partive të koalicionit.
Ratifikimi i kësaj marrëveshje, është vënë si kushti i fundit i Brukselit për institucionet në Prishtinë, para se të merret vendimi për zbatimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Por, tani mbetet të shihet nëse koalicioni qeverisës do të procedojë tutje me tentativën për ta ratifikuar marrëveshjen në Kuvend.
Përderisa alternativat tjera mbeten që autoritetet në Prishtinë të ftojnë Podgoricën të diskutojnë problemin, të formojnë komision të ri me përfshirjen e opozitës, apo që çështjen ta drejtojnë në Gjykatën e Arbitrazhit. (REL)
Facebook Forum