Ndërlidhjet

Kosovë: Aktakuzë kundër ministrit Agani dhe 63 të tjerëve


Kryeprokurori i shtetit në Kosovë ka ngritur padi ndaj një ministri dhe një sekretari të përgjithshëm në një ministri, në një aktakuzë ndaj 64 personave gjithsej, thuhet në një njoftim të zyrës së kryeprokurorit.

I akuzuar thuhet se është ish ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Ferid Agani, aktualisht ministër i Mjedisit dhe Planifikimit hapësinor.

Sipas njoftimit për media të Zyrës së Kryeprokurorit aktakuza është ngritur ndaj 44 mjekëve e një infermieri të punësuar në institucionet shëndetësore publike, dhe njëkohësisht edhe ndaj 13 personave të tjerë që kanë punuar ose punojnë në institucione private shëndetësore.

Dy të pandehurit me inicialet F.A. dhe G.Sh janë akuzuar për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Zyra e Kryeprokurorit thotë se aktakuza ndaj ministrit përfshinë periudhën e viteve 2011-2015 dhe ka të bëjë me dëmtimin e buxhetit të shtetit prej mbi 4 milionë e gjysmë euro për keqpërdorime të pagesave për shërime jashtë vendit të qytetarëve të Kosovës.

Disa prej të pandehurve tjerë që janë përfshirë në këtë aktakuzë, thuhet se kanë vepruar në kundërshtim më Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë ku iu kanë lëshuar pacientëve ose familjarëve të tyre letrat referuese për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore, pasi që të njëjtit i kishin kryer të gjitha trajtimet mjekësore dhe më nuk kishin nevojë për trajtim mjekësor.

Po ashtu, disa prej personave të përfshirë në këtë aktakuzë për vepër penale akuzohen për trajtimi të pandërgjegjshëm mjekësor si dhe ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike.

“Këta të pandehur u kishin thënë pacientëve së ua kishin vendosur një numër të caktuar të stentave, mirëpo të njëjtit pacientë pasi që kishin bërë kontrollet në qendra tjera mjekësore në Kosovë ose jashtë vendit kishin konstatuar se ata nuk i kishin të vendosura stentat ashtu siç u kishin thënë dhe siç i kishin paguar në spitalet private IMH dhe EDA”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, po ashtu njoftohet se në këto spitale për periudhën 2011 – 2014, kishin vdekur një numër i madh i pacientëve (152 pacientë në spitalin IMH dhe 70 pacientë në spitalin EDA).

Për këto rastet të vdekjes, thuhet se këta të pandehur nuk kishin vepruar sipas ligjit për shëndetësinë, i cili i detyronte që të bënin obduksionin për secilin pacient që kishte vdekur brenda 72 orëve nga momenti i vendosjes së tyre në këto spitale.

Në ketë çështje penale, sipas Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, hetimet janë zhvilluar kundër 116 personave fizik dhe 4 personave juridik mirëpo për 56 persona fizik nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet për veprën penale.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG