Ndërlidhjet

Meucci: Komandantët e UÇK-së s’kanë të drejtë të bëjnë çka të duan


Meucci për komandantët e UÇK-së
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:02 0:00

Meucci për komandantët e UÇK-së

Shefi në largim i misionit të BE-së për sundimin e ligjit, Gabriele Meucci, i tha Radios Evropa e Lirë se “në ligjet e Kosovës dhe në Kushtetutën e Kosovës, nuk është e shkruar se nëse ke qenë komandant i UÇK-së mund të kryesh çfarëdo krimi që do”.

Meucci, që e kryen mandatin e tij pikërisht në ditën e përfundimit të mandatit të misionit të EULEX-it në Kosovë, dhe përmbledhjes së bisedave për zgjatjen e tij, tha se niveli i korrupsionit në Kosovë nuk dallon nga vendet e tjera, por tha ai është më i vendosur.

Gabriele Meucci tha se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë është më e vështirë për shkak se “disa liderë në spektrin politik besojnë se mund të bëjnë çfarë të duan”.

Ai tha se misioni i EULEX-it nuk mund të quhet i dështuar, sepse çdo dështim do të nënkuptonte edhe dështim të vet Kosovës, që këtë mision e ka të bashkëngjitur në sistemin e vet të drejtësisë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Meucci, keni ardhur në krye të misionit të EULEX-it në një kohë shumë të vështirë për misionin, me reputacionin që po i rrënohej. Ku po e lëni tani?

Meucci: Tani misioni ka një reputacion më të mirë, do të thosha, në mënyrë të konsiderueshme më të mirë. Më mori kohë që ta riorganizoja strukturën dhe ta vendos zbatimin në mënyrë të prerë të planit operacional që është vendosur nga vendet anëtare. Për arsye të ndryshme, vite përpara ardhjes sime kishte keqkuptime në zbatimin e rregullave të brendshme. Unë isha shumë i prerë në këtë çështje. Mori pak kohë, por rezultatet erdhën në fund.

Kalova kohë këtu, duke e konsideruar punën time si një lloj mburoje për prokurorët dhe gjykatësit që të mbahen plotësisht të pavarur dhe të lirë nga çfarëdo lloji i ndërhyrjeve, jo vetëm nga niveli lokal, por edhe nga pjesa e brendshme e misionit. Ndonjëherë kurioziteti mund ta mbys macen. Por, kur e leni një strukturë të tillë, dhe kur gjykatësit dhe prokurorët ndjehen të sigurt, të mbrojtur dhe solid, në një mision që punon si një organizatë që zbaton rregulla, shihni edhe rezultate.

Radio Evropa e Lirë: Ju po e leni misionin në një kohë kur misionit duhet t'i zgjatet mandati?

Meucci: E di se pikërisht në këto orë po diskutojnë. Por unë nuk kam se cfarë të them, sepse është një vendim që merret nga instanca të tjera, në Bruksel dhe në Kosovë, prandaj nuk di edhe çfarë të them sepse nuk kam ndonjë informatë shtesë deri sot.

Radio Evropa e Lirë: Reputacioni i misionit brenda këtyre viteve është, ta quaj, i përzier. Kishte kritika ndaj punës së misionit dhe madje edhe më shumë kishte akuza për të. A është misioni i EULEX-it një mision i dështuar?

Meucci: Kjo është një shprehje shumë interesante që e kam dëgjuar shumë herë këtu. Dështimi i EULEX-it ose mision i dështuar. Meqë jemi të bashkëngjitur në sistemin e Kosovës dhe përfaqësojmë së bashku me institucionet lokale të njëjtën shtëpi, të njëjtat institucione. Nëse flasim për dështim të EULEX-it, nënkupton dështim të Kosovës si shtet. Do të isha i kujdesshëm në përdorimin e shprehjeve të tilla. Ndonjëherë gazetat këtu duan të ekzagjerojnë gjërat, sepse nëse thoni dështim i EULEX-it, kjo do të thotë dështim i Kosovës. A duam të themi se Kosova është një shtet i dështuar? Nuk mendoj kështu. Le të jemi të kujdesshëm me këto shprehje piktografike.

Ajo që është e vërtetë është se kur drejtësia ndërkombëtare filloi të punojë në Kosovë në vitin 1999, me UNMIK-un, situata ishte plotësisht kaotike dhe ne trashëguam në vitin 2008 rastet që ishin, ta them kaotike, gjithashtu. Në shumë raste, p.sh., rastet e vrasjeve, të krimeve të luftës, u desh të ribëhen dhe kjo mori kohë. Në rastet e krimeve të luftës është normale të zhvillohen gjykime të gjata. E shihni se pas Luftës së Dytë Botërore ka ende gjykime për krime lufte edhe në ditët e sotme. Pra, krime të kryera gjatë Luftës së Dytë dhe gjykime edhe pas 70 vitesh.

Mendoj se pjesa më delikate e këtij misioni nuk është ndjekja e krimeve të luftës, por ndjekja e korrupsionit dhe krimit të organizuar, e krimeve të tilla që janë më të shpeshta se sa krimet e luftës dhe mori pjesën më të madhe të punës sonë. Në këto raste duhet një organizatë që ndjehen të sigurt, të mbrojtur, solide dhe që ka integritet. Në fillim të intervistës u përmend sulmi mbi integritetin tonë. Unë kam provuar që ta rikthejë dhe besoj se isha i suksesshëm në këtë. Beteja nuk është fituar, sepse ne kemi gjithherë, posaçërisht nga disa media lokale, ndërhyrje të ndryshme dhe sulme mbi integritetin tonë. Mendoj se kjo është pjesë e lojës. Ne jetojmë këtu, në një mjedis që nuk është tipik vetëm për Kosovën, por edhe për shumë vende të tjera, përfshirë edhe atë prej nga vij unë, ku ka mafia dhe krim të organizuar. Në këtë mjedis, nëse punoni në drejtësi, mund të prisni të gjitha llojet e manipulimeve dhe të sulmeve mbi kredibilitetin. Gjëja e parë që një organizatë e krimit të organizuar bën kundër një prokurori dhe gjykatësi, që është aktiv në luftim, është që të shpifë dhe të shkatërrojë reputacionin e tij dhe këtë e shohim këtu. Kjo ndodh me vendorët, sepse më duhet të them, sepse gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtarë janë të ruajtur në këto raste. Por kjo është pjesë e lojës dhe nuk jam i shqetësuar për këtë.

Më shumë jam i shqetësuar për ndërhyrjet publike, një sfidë që e kemi tërë kohën. E kjo ka të bëjë me autoritetet publike, që përfaqësojnë organet e institucioneve të Kosovës, të cilët komentojnë, japin gjykime për "ky është një vendim i padrejtë", "është gjykim i padrejtë", posaçërisht kur bëhet fjalë për komandantët e UÇK-së. Në ligjin tonë, në ligjin penal dhe në Kushtetutën e Kosovës, nuk e besoj të jetë e shkruar se nëse ke qenë komandant i UÇK-së mund të kryesh çfarëdo krimi që dëshiron.

Meucci për komandantët e UÇK-së
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:02 0:00

Askush nuk po flet për cilësinë e luftëtarit, por po flasim për vjedhjen e parave nga shteti, pasurimin përmes mashtrimit, pra për gjëra të tilla. Nuk mund ta pranojmë idenë se për shkak të së kaluarës, për shkak të cilësimit patriot, dikush ka të drejtë që për tërë jetën të vjedhë. Kjo është e papranueshme. Prandaj jemi këtu. Dhe të gjithë këta njerëz që kanë luftuar gjatë luftës për pavarësi tani janë në pushtet dhe nuk mund të mendojnë se për shkak se e kanë fituar luftën kanë të drejtë të bëjnë çfarë të duan. Kjo quhet mosndëshkueshmëri. Në ligjin evropian kjo e drejtë për të bërë çfarë të duash nuk ekziston. Dhe po provojmë që të sigurojmë se njerëzit e kuptojnë këtë.

Radio Evropa e Lirë: Por, pse duhet t'ju besojnë kosovarët juve si mision kur bëhet fjalë për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionin. Cilat rezultatet ju keni ofruar ju atyre?

Meucci: Kemi shqiptuar 600 verdikte. Nuk është një numër i vogël. Verdiktet nuk do të mund të kishin një rezultat të mirë, nëse gjykatësit dhe prokurorët e Kosovës do të ishin vetë në përballjen me to. Nuk dua të them se prokurorët e gjykatësit e Kosovës nuk janë të mirë. Ata janë shumë të mirë teknikisht, dhe kanë qëllime të mira, por natyrisht nëse jetoni në një mjedis politik që nuk ju mbështet përballë vështirësive dhe sfidave që keni: jeni duke hetuar një rast dhe merrni një telefonatë gjatë natës dhe ju thonë e dimë se në cilën shkollë shkojnë fëmijët tuaj, dhe gjëra të tilla, ose letra anonime, dhe ju jeni prokuror, atëherë mendoni dy tri herë para se të nisni hetimet. Apo, kur filloni punën në hetime dhe merrni në pyetje dëshmitarët që duan të ndihmojnë, e në ndërkohë ata keqtrajtohen, kjo është jeta e përditshme në Kosovë në rastet e rëndësishme.

Ne jemi këtu që të ndihmojmë në tejkalimin e situatës dhe është për keqardhje që kjo ndodh. Nëse kam keqardhje për diçka them se po. Nëse doni që të ndiqni raste bazuar në sundimin e ligjit, me të gjitha garancat e procedurës që janë të pashmangshme, sepse nëse doni të merreni me raste komplekse, duhet të garantohet pavarësia dhe rregullat për dëshmitarët duhet të zbatohen me përpikmëri, që neve e bëjmë, kjo merr vite. Nuk është një drejtësi e shpejtë. Nëse doni të zbatoni një drejtësi bazuar në ligj, merr kohë. Ndonjëherë pritjet e publikut janë shumë optimiste dhe se misioni vjen këtu dhe e pastron nga korrupsioni gjithë vendin për një, dy , tri ose katër vite. Në raste të caktuar mund të marrë 12 vjet. P.sh., shkalla e parë vendos, pastaj vjen apeli, gjykata supreme, kurse në Kosovë kemi një sistem që quhet "ping-pong' : nga shkalla e parë shkon të apeli, pastaj apeli nëse nuk vendos atëherë rikthehet në rigjykim në shkallën e parë, pastaj prapë apeli dhe te gjykata supreme e pastaj supremja prapa dhe merr vite. Por është garanci.

Sepse një drejtësi e shpejtë nuk është drejtësi. Drejtësia e shpejtë bëhet nga gjykata politike, nga policia speciale dhe ne jemi larg nga kjo. Ky rajon ka jetuar në të tilla kushte dhe jo shumë kohë më parë dhe shikojeni psh Sigurimin në Shqipëri. E duam këtë gjë. Asesi jo. Por, nëse kosovarët duan të ndërrojnë njerëzit në qeveri i kanë zgjedhjet. Nëse doni të ndryshoni disa liderë mos i votoni ata.

Radio Evropa e Lirë: Pra, qytetarët e Kosovës duhet të presin për rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar?

Meucci: Kjo po vazhdon dhe ashtu siç e kemi demonstruar pak muaj më parë në një rast të rëndësishëm, ne po punojmë. Jam i kënaqur që mund ta demonstrojmë këtë.

Radio Evropa e Lirë: Por, pse kaq e vështirë kjo luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë? Ju përmendet pak më heret patriotët dhe luftëtarët e lirisë. Pse kaq e vështirë të luftohet ky fenomen?

Meucci: Sepse kemi disa liderë në spektrin politik që besojnë se mund të bëjnë çfarë të duan. Ne jetojnë në kushte të vështira dhe nuk jemi kaq të fortë që të injorojmë kërcënimet potenciale që kemi, por këtë e kemi fat, kur bëhet fjalë për drejtësinë vendore, për avokatët, prokurorët e gjykatësit që jetojnë dhe kalojnë gjithë jetën me këto kushte. Është fakt dhe jemi të rrethuar nga njerëz, që në shumë raste, përfaqësojnë institucionet dhe kryejnë krime. Para së gjithash ata nuk duan të flasin për këtë.

Radio Evropa e Lirë: Pra kemi korrupsion në nivel të lartë në Kosovë?

Meucci: Si çdo kund tjetër dhe nuk është përjashtim. Dua të jem i qartë se korrupsioni është një sëmundje e domosdoshme në politikë, do të thosha. Është çështje e nivelit ndonjëherë. Nuk dua të them se këtu ka më shumë se në vende të tjera, por është më i vendosur.

Radio Evropa e Lirë: Dhe ju po thoni se EULEX-i ka gjykatës dhe prokurorë të mirë dhe me integritet?

Meucci: Kur bëhet fjalë për integritetin jam shumë i sigurt. Por, kur flasim për cilësinë e gjykatësve dhe prokurorëve, ata janë njerëz si çdo kund tjetër dhe kanë cilësi si edhe në çdo vend tjetër të Evropës. Dikush mund të jetë më i mirë se tjetri, por kjo s’ka rëndësi, sepse çdo gjë vlerësohet kur zbatohen rregullat.

Kur gjykoni dikë atëherë zbatohen rregullat, pra kodi penal bazuar në procedurat penale. Këto janë koncepte shumë të rëndësishme. Ligji penal dhe procedura penale, që të dyja shkojnë bashke dhe duhet të zbatohen plotësisht, përndryshe nuk mund të garantoni se gjykimi është i vlefshëm.

Radio Evropa e Lirë: A është EULEX-i nën ndonjë presion politik?

Meucci: Jo do të thosha. Gjatë kësaj kohe s'kam pasur presion politik. Në disa raste politikanë vendorë kanë provuar që të bëjnë presion, por siç e thashë, ne jemi të mbrojtur mjaftueshëm për t'u rezistuar. Mediat kanë bërë presion të madh. Disa media. Ne kemi parë një fenomen interesant, që është tipik për vendet që kanë traditë të gjatë me shërbimet sekrete.

Krijimi i portaleve të reja, që nuk kuptohet se kush është pronari, që fabrikojnë pjesë të lajmeve që shkon në sistem të mediave normale në Kosovë. Kjo është mënyra e lehtë, siç bëhej p.sh. gjatë ish-Jugosllavisë. Duket sikur dikush po provon ta zbatojë këtë traditë të vjetër. Por, lufta kundër nesh është e vazhdueshme dhe kemi portale që fabrikojnë plotësisht lajme. Shumica e këtyre gjërave drejtohen kundër dëshmitarëve tanë dhe kjo është një sfidë reale. Dëshmitarët e disa llojeve të korrupsionit dhe posaçërisht dëshmitarët e krimeve të luftës, janë pjesa fundamentale e gjykimit.

Radio Evropa e Lirë: A mundet Kosova vetë, pa EULEX-in, ta garantojë luftën efektive kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe njëkohësisht edhe terrorizmit?

Meucci: Kosova mund të bëjë të gjitha që i përmendët. Mund të bëjë aq sa bëjmë ne dhe aq sa bën cilido shtet. Gjëja themelore është që të dojë ta bëjë. Vullneti politik, vullneti administrativ, mbështetja, dhe jemi në rrugë të mbarë. Kemi parë se pas operacionit që kemi bërë në Prill kundër atëbotë një deputeti, një person i rëndësishëm që mori pjesë në luftën për çlirim, kemi marrë mbështetje të madhe edhe nga institucionet lokale dhe prokuroria lokale.

Tani e shohim, gjatë mandatit tim, se ka prokurorë vendorë të Kosovës që kanë nisur të hetojnë rastet e korrupsionit të autoriteteve lokale pa kërkuar ndihmë. Është evidente se po ndërtohet kultura, si edhe ajo e qytetarëve të Kosovës, që po ecin shpejt.

Jam i gëzuar që shoh në Kosovë, sot, që kur kam ardhur, se vendi po bëhet normal gjithnjë e më shumë. Njerëzit janë më të interesuar për gjërat e përditshme, për punësimin, për shkollat, shëndetësinë, pesnionet etj.

Radio Evropa e Lirë: A po shndërrohet ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi në kërcënimin më të madh për Kosovën sot?

Meucci: Ky lloj kërcënimi është ende një lloj çështje e debatueshme në të gjitha shtetet, madje edhe në vendet më të konsoliduara, p.sh. edhe në SHBA, kur bëhet fjalë për luftën kundër krimit, dhe gjithashtu edhe në shtetet e konsoliduara.

Natyrisht, sa më i dobët të jetë shteti, aq më të mëdha sfidat janë. Sa i përket fenomenit, numrat në Kosovë nuk janë aq relevantë në krahasim me vendet e tjera të Evropës perëndimore, ku ka më shumë njerëz se sa këtu që dyshohet të jenë të ndërlidhur me këtë lloj aktiviteti. Ajo që është më impresive, është proporcioni në përqindje të këtij numri me numrin e banorëve të Kosovës dhe kjo është shqetësuese.

Ky fenomen i radikalizmit është hetuar si një fenomen nga shumë njerëz dhe nuk ka nevojë për një specializim në të. Kemi disa raste të luftëtareve të huaj që me sukses i kemi hetuar. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG