Ndërlidhjet

Problemi i huliganëve të futbollit në Rusi


France-- Tifozë të futbollit pas ndeshjes Angli-Rusi, 11 qershor 2016
France-- Tifozë të futbollit pas ndeshjes Angli-Rusi, 11 qershor 2016

Pas ndeshjes së futbollit, Angli – Rusi, e cila përfundoi me rezultat 1:1, në kuadër të Kampionatit Evropian në Francë, pamjet ishin shokuese, ku shihet se si simpatizuesit rusë e shkatërrojnë seksionin, duke i shqelmuar dhe grushtuar tifozët anglezë, të cilët iknin.

Ky ishte episodi i fundit i dhunës së simpatizuesve në qytetin Marsejë në Francë, me përfshirjen e anglezëve dhe rusëve, që e dëmtoi rëndë fillimin e Kampionatit Evropian, Euro 2016.

Raportohet se huliganët rusë luftuan me intensitet dhe organizim të paprecedent, pasi ata ishin përgatitur për dhunë, duke përdorë mbrojtës të dhëmbëve, shami koke, dorëza ushtarake, e madje edhe thika.

Duke pasur parasysh se Rusia do të jetë organizatore e Kampionatit Botëror të Futbollit pas dy vitesh dhe në periudhën e përpjekjeve për ripërtritjen e reputacionit sportiv pas skandalit masiv të dopingut, që e kërcënon pjesëmarrjen e sportistëve rusë në Lojërat Olimpike në Brazil, shtrohet pyetja se cilat janë shkaqet e këtij huliganizmi dhe a po punojnë autoritetet në këtë vend për t’i qetësuar këta persona të dhunshëm.

Huliganët më të ashpër në Poloni, Rusi dhe Serbi

Kryeprokurori i qytetit Marsejë, Brice Robin, tha se një grup prej 150 simpatizuesve rusë të futbollit ishte përgjegjës për dhunë. Ata ishin “të përgatitur mirë për aksion shumë të shpejtë dhe të dhunshëm”, është shprehur Robin, duke shtuar se “ata ishin njerëz ekstremisht të stërvitur”.

Pavel Klymenko nga Futbolli Kundër Racizmit në Evropë (FARE), që mbështetet nga organizata Evropiane e Futbollit (UEFA), thotë se dhuna në Marsejë ishte kryer nga bandat e simpatizuesve të klubeve moskovite, Spartak e Lokomotiva, dhe deri në një masë, Zeniti.

Mëtutje, ai thekson:

“Huligantë në Rusi trajtohen në mënyrë më represive nga policia lokale dhe autoritetet. Ata angazhohen në dhunë serioze kur ata shkojnë jashtë qytetit të tyre dhe kontrolli është më i vogël, pasi autoritetet nuk i parandalojnë ata nga udhëtimet. Por, brenda në Rusi, atyre u ngushtohet rrethi. Mund të imagjinoni për kampionatin në vitin 2018 se makina represive ruse do ta shtyp paraprakisht çfarëdo huliganizmi”, tha Pavel Klymenko.

Mëtutje, ai thekson se “problemi i huliganëve është shumë serioz në gjithë Evropën qendrore dhe lindore. Në nivelin social ekziston rivalitet se cilët janë huliganët më të ashpër. Tash, në krye të listës janë ekipet nga Polonia, Rusia dhe natyrisht Serbia”.

Intensiteti i këtij rivaliteti të huliganëve ka çuar në dhunë tejet të ashpër gjatë ndeshjeve të ekipeve nga pjesa qendrore dhe lindore e Evropës.

Për shembull, në vitin 2010, takimi ndërmjet Italisë dhe Serbisë është ndërprerë, pasi simpatizuesit e Serbisë luftuan kundër policisë, hodhën fishekzjarre brenda në fushë dhe janë përpjekur t’i shkatërrojnë barrierat, që i ndanin simpatizuesit nga terreni.

Në Kampionatin Evropian 2012 simpatizuesit rusë ishin sulmuar nga huliganët polakë në Varshavë. Në dhjetor të vitit 2014, disa simpatizues francezë të ekipit St. Etienne ishin pranuar në spital, pas rrahjes masive me huliganët ukrainas në Kiev, që ishin të pajisur me thika.

Çka ka bërë Rusia për ta luftuar këtë problem?

Aktualisht, Rusia e ka goditur fuqishëm dhunën e simpatizuesve në nivelin e klubeve, duke e reduktuar në masë tejet të madhe atë gjatë disa viteve të fundit. Më parë, bandat e ndryshme huligane, ose “firmat” që përfaqësonin klube të ndryshme ruse, do të përlesheshin me njëri-tjetrin në mes të qyteteve dhe pastaj kjo krijonte rrahje masive, e ngjashme me atë që u pa në Marsejë gjatë fundjavës së kaluar.

Por, tash në Rusi goditja e policisë ka ndikuar në masë të madhe, që bandat e huliganëve t’i caktojnë rrahjet jashtë qyteteve, për shembull në male, larg nga publiku.

Pavel Klymenko thekson:

“Aktiviteti policor dhe masat represive kundër simpatizuesve të futbollit kanë ndikuar që bandat më famëkeqe të futollit t’i aranzhojnë rrahjet në male, kështu që nuk ka përleshje në qytete. Por, nuk ka regjistër të huliganëve në Rusi. Është bërë pak që huliganët të parandalohen nga udhëtimi”, thotë Pavel Klymenko.

Zyrtarët e lartë të sportit në Rusi kryesisht janë angazhuar për aksion kundër huliganizmit, por ka pasur edhe të atillë që u hodhën në mbrojtje të huliganëve sportivë.

Ministri i sportit i Rusisë, Vitaly Mutko, ka thënë se UEFA ka vepruar mirë që e ka filluar aksionin disiplinor kundër Rusisë, pas dhunës në Marsejë.

“Është gjë e drejtë. Ka pasur fishekzjarre, ka pasur armë shpërthyese, ka pasur përleshje në tribuna. Është e domosdoshme që e gjithë kjo të trajtohet”, tha Vitaly Mutko.

Por, anëtari i Dumës Ruse, Igor Lebedev, djali i ultranacionalistit, Vladimir Zhirinovsky, ka shkruar në rrjetin Twitter se “nuk sheh asgjë të keqe në luftën e simpatizuesve. Përkundrazi, djelmoshat kanë vepruar mirë. Qëndroni”.

Zoti Lebedev, që është anëtar i një komiteti ekzekutiv të Unionit Futbollistik të Rusisë, po ashtu ka theksuar: “Nuk i kuptoj politikanët dhe burokratët, që tash i dënojnë sipmatizuesit tanë. Ne duhet t’i mbrojmë ata”.

Vladimir Markin, zëdhënësi i Komitetit të Hetimeve në Rusi, që është një organ i fuqishëm, ka sugjeruar se problemi nuk qëndron te huliganët rusë, por te policia franceze. (REL)

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG