Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një porosi të publikuar në rrjetin social Twitter e ka dënuar sulmin në klubin e natës në Orlando të SHBA-së duke e cilësuar atë si “të tmerrshëm”.
Presidenti Thaçi ka shkruar se "zemrat dhe mendjet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre. Kosova qëndron pranë SHBA-së dhe popullit të saj".
Ngushëllime qeverisë së SHBA-së dhe popullit amerikan i ka shprehur edhe kryeministri Isa Mustafa përmes një telegrami në të cilin thuhet se “populli i Kosovës bashkëndjenë dhembjen me familjarët e viktimave, me popullin dhe me Qeverinë Amerikane në këto momente të vështira”
Kryeministri Mustafa ka shprehur solidaritetin me SHBA-në duke theksuar “përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në angazhimet e përbashkëta të botës demokratike, të prira nga SHBA-të, në luftën kundër të gjitha formave të terrorizmit”.
Të paktën 50 persona u vranë dhe 53 të tjerë u plagosën, disa prej të cilëve janë në gjendje kritike, nga të shtënat me armë zjarri në një klub nate të homoseksualëve në Orlando të SHBA-së.
Sulmuesi i armatosur, i identifikuar si Omar Maleen, u vra nga policia pasi mori disa pengje. Sulmi vlerësohet të jetë më vdekjeprurësi në historinë e SHBA-së.(REL)