Në Kosovë janë rreth 25 mijë përdorues të substancave narkotike. Rreth pesë mijë nga ta konsiderohet se janë përdorues aktiv, thotë Safet Blakaj, drejtues i Qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”.
Këtë e ka verifikuar së voni edhe një hulumtim i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
Por, ajo që mbetet shqetësuese, sipas autoriteteve që merren me këtë problematikë, është se mosha e përdoruesve të substancave narkotike, çdo vit po bie. Sipas hulumtimeve, thuhet se tashmë në Kosovë, janë 12-vjeçaret ata që përdorin substancë narkotike, kryesisht të llojit marihuanë.
Organizatat joqeveritare që merren me trajtimin e përdoruesve të substancave narkotike, thonë se kohëve të fundit vërehet rritje edhe e konsumimit të duhanit dhe alkoolit.
Njohësit e kësaj çështjeje thonë se përpos substancave narkotike, përdorimi i alkoolit dhe duhanit nga të rinjtë, mund të shkaktojë dëme të rënda në zhvillimin e tyre fizik, mendor dhe moral.
Blakaj thotë se dy vjetët e fundit ka rënë numri i përdoruesve të substancës narkotike heroinë, gjë që ai e cilëson si lajm të mirë, derisa flet për drogat që përdoren në Kosovë.
‘’Mosha e përdoruesve ka rënë dukshëm, pra është mosha 12-vjeçare ajo që përdor drogën e tipit kanabis. Muajt e fundit, kanë filluar edhe rastet e para për trajtim nga kokaina. Ky është një problem që na pret në një të ardhme të afërt; pra, përdorimi problematik i kësaj droge”, thotë Blakaj.
Për trajtimin nga substancat narkotike, flasin edhe profesionistë shëndetësorë. Sipas tyre në Klinikën Psikiatrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, trajtohen edhe fëmijët 13-vjeçarë, pikërisht nga varësia nga këto substanca.
Samire Gashi, shefe e Repartit të varësisë në Klinikën e Psikiatrisë, thotë se fakti se fëmijët fillojnë të abuzojnë me substanca narkotike dhe më pas kërkojnë ndihmë në klinikën ku ajo punon, është mjaft shqetësues.
“Te ne bëhet detoksikimi, e (përdoruesit) vijnë me vetëdëshirë. Përndryshe ka edhe trajtim ditor. Frekuenca nuk është shumë e madhe, por fakti që adoleshentët vijnë, është shqetësues. Ka fëmijë 13-vjeçarë që kërkojnë ndihmë mjekësore, e që mendoj që do të duhej të ishte shqetësim i gjithë shoqërisë. Kushtet nuk janë shumë të mira, ka vend për përmirësim. Gjithashtu, edhe rastet me mbidozë të përdorimit të substancave narkotike, janë ata që më së shpeshti kërkojnë ndihmë”, thotë Gashi.
Ndonëse sipas autoriteteve të rendit, Drejtoria për hetimin e trafikimit me narkotikë, në funksion të zbatimit të strategjive për luftimin e krimit të organizuar, veprave të ndryshme ilegale, e posaçërisht realizimin e objektivave të saj në luftën kundër trafikimit me narkotikë, është ndërmarrë një numër i operacioneve policore në nivel vendi, organizatat joqeveritare konsiderojnë se qasja deri te shitësit e drogave nuk është shumë e vështirë, gjë që është shqetësuese.
Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, thotë se në vazhdimësi kanë treguar gatishmëri për një bashkëpunim me shtetet e rajonit dhe më gjerë. Si rezultat i këtij bashkëpunimi, me ato kompetenca ligjore që ka, janë realizuar operacione të përbashkëta policore në nivel rajonal, dhe siç thotë ai, janë shënuar edhe rezultate konkrete në arrestimin e personave të dyshuar dhe në shkatërrimin e grupeve të ndryshme kriminale.
“Vetëm gjatë periudhës janar-prill 2016, Policia e Kosovës ka trajtuar mbi 218 raste, ku të përfshirë kanë qenë mbi 300 persona të dyshuar, ndërsa gjatë kësaj periudhe janë konfiskuar mbi 180 kilogramë marihuanë, mbi 10 gramë heroinë, pastaj edhe një sasi e kokainës”, bën të ditur Hoxha.
Ai tregon se si rezultat i operacioneve policore gjatë kësaj periudhe, janë arrestuar mbi 250 persona të dyshuar.
Në Policinë e Kosovës thonë gjithashtu se është e rëndësishme të potencohet se anëtarësimi i Policisë së Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, si Europoli, Interpoli, do të jepte rezultate edhe më të mira në funksion të luftimit të krimit të organizuar në përgjithësi dhe trafikimit me substanca narkotike në veçanti.
Sipas tyre, kjo do të eliminonte çdo barrierë që ndikon në luftimin e këtyre dukurive të dëmshme, të cilat tejkalojnë kufijtë vendorë.
Ndërkohë, Safet Blakaj tregon për futjen e substancave të reja narkotike në tregun e Kosovës.
“Edhe droga ‘speed’, e që nuk ka qenë më herët në skemën e drogave në Kosovë, ka filluar të përdoret shumë nga të gjitha grupmoshat. Drogat e reja janë ato që ne nuk i dimë, e që janë problematikë më vete, dhe vështirë përballohen edhe në shtetet e BE-së. Këto lloje po keqpërdoren”, thekson ai.
Psikologët shpjegojnë shkaqet që një individ e shtyn të përdorë narkotikë dhe cila është mosha më e shpeshtë që njerëzit fillojnë të abuzojnë me këto substanca.
Anduena Arrni, psikologe, për Radion Evropa e Lirë rendit disa shkaqe që nxisin të rinjtë të përdorin drogë:
“Arsyet që personat nxiten të përdorin lëndë narkotike janë të ndryshme, por personaliteti i individit dhe dëshira për të eksploruar, është njëra nga arsyet. Pastaj, problemet familjare dhe ikja nga realiteti, problemet sociale, ekonomike e që ndikojnë që individët fillojnë të përdorin droga”.
“Ndërkaq, në adoleshencë ndikon edhe rrethi shumë. Adoleshenti ka nevojë të cilësohet për diçka, dhe në qoftë se për shoqërinë e tij kjo do të ishte interesante dhe pozitive, ndikohen nga rrethi dhe fillojnë të abuzojnë”.
Qeveria e Kosovës tashmë ka miratuar një strategji për periudhën kohore 2012-2017, në kuadër të luftimit të drogave, krimit të organizuar, terrorizmit, si dhe ruajtjes dhe kontrollit të kufirit shtetëror.