Administrimi më i mirë i testit shtetëror të maturës, vlerësohet se mund të eliminojë parregullsitë e vazhdueshme që kanë përcjellë këtë projekt.
Kështu konsiderojnë ekspertë të arsimit, sipas të cilëve, nga mungesa e një administrimi të mirëfilltë, nxënësit po arrijnë të kopjojnë.
Madje testi, ka ndodhur të shpërndahet edhe nëpër rrjetet e ndryshme sociale në internet.
Testit shtetëror të maturës, iu nënshtrohen çdo vit nxënësit që përfundojnë klasën e 12-të, dhe arritja e rezultateve të kërkuara mundëson aplikimin për regjistrim në universitet.
Dukagjin Pupovci, udhëheqës në Qendrën për Arsim të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë, thotë se në Kosovë nuk mund të aplikohet ndonjë koncept tjetër që garanton besueshmëri të testit të maturës, nëse nuk përmirësohet administrimi i tij.
“Këtu instrumenti që ka shteti, është që të përforcojë administrimin në test të maturës dhe vërtet të merr masa ndëshkuese ndaj atyre që shkelin praktikat e mira të administrimit. Në radhë të parë, ndaj administratorëve që tolerojnë kopjimin dhe mashtrimin në test, pastaj duhet të merren masa edhe ndaj nxënësve të cilët e keqpërdorin atë”, tha Pupovci.
Procesin e mbajtjes se maturës e kanë monitoruar edhe Këshilli iPrindërve të Kosovës. Bajram Beqiri, udhëheqës i këtij Këshilli për Radion Evropa e Lirë, ka treguar se në krahasim më vitet e kaluara, sivjet numri i parregullsive ka qenë më i vogël, ndonëse sipas tij, ka hapësirë për përmirësime.
Edhe Beqiri konsideron se administrimi dhe përgjegjësia duhet të jenë në një nivel më të lartë gjatë mbajtjes së këtij testi.
“Kërkesa jonë është që masat ndëshkuese mos të merren vetëm ndaj nxënësve që kapen duke kopjuar, por edhe ndaj arsimtarëve dhe administratorëve, pasi faji kryesor mbetet tek ta”, tha Beqiri.
Ndërkaq, Dukagjin Pupovci, në anën tjetër, shpreh shqetësimin se gjatë mbajtjes së testit të maturës, në fakt, po organizohet një sistem mashtrimi dhe kopjimi.
“Shpesh herë po marrin pjesë edhe prindërit, fëmijët, por edhe të rinj të tjerë, pastaj familjarë të cilët po organizojnë sistem për ti ndihmuar ata që janë brenda në dhomën e testit. Dhe administratorët janë pikërisht aty për të ndaluar keqpërdorime të tilla. Nëse administratori lejon që një nxënës të nxjerrë telefonin mbi tavolinë dhe të komunikojë me të, atëherë faji bie mbi të”, vlerëson Pupovci.
Megjithatë, të kënaqur më nivelin e administrimit dhe mbajtjes se testit të maturës shprehen zyrtarët në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës.
Azem Guri, udhëheqës i Këshillit shtetëror të maturës, për Radion Evropa e Lirë, tregon se ka pasur disa pa rregullsi të vogla, siç i quan ai, raste të izoluara, por të cilat nuk e kanë zbehur imazhin e mbarëvajtjes së testit të maturës.
Guri tregon se autoritetet kompetente janë duke identifikuar të gjithë ata që kanë tentuar ta dëmtojnë procesin, ndaj të cilëve pritet të merren masa ndëshkuese.
“Nëse janë maturantë iu anulohet provimi i maturës. Në rast se mund të jenë administrues ( që ndodh në raste shumë rralla), do të merren masa ndaj tyre. Nëse rezulton se janë qytetarë që kanë ndihmuar në provimin e maturës,prokuroria do të merret më ta dhe do të hapen raste të dyshimeve për keqpërdorime në rastet e shpërndarjes nëpër rrjetet sociale”, tha Guri.
Ndryshe, në fazën e parë të testit të maturës që është mbajtur më 4 qershor të këtij viti, kanë qenë të angazhuar rreth 3000 administrues.
Testit iu kanë nënshtruar rreth 30 mijë maturantë, kurse rezultatet priten të publikohen më 30 qershor, pasi të përfundojë pjesa e dytë e testit të maturës, më 18 qershor.
Facebook Forum