Ndërlidhjet

Evolucioni i terrorizmit prej sulmeve të 11 shtatorit 2001


Sulmet e 11 shtatorit në SHBA
Sulmet e 11 shtatorit në SHBA

Nga James Miller

Seancat për Kalid Sheik Muhammad dhe katër të pandehur të tjerë kanë vazhduar gjatë ditëve të fundit të muajit maj. Personi që dyshohet se i ka organizuar sulmet e 11 shtatorit 2001 në SHBA është mbajtur në qendrën e paraburgimit të Guantanamos prej 1 marsit 2003. Ai dhe të pandehurit tjerë janë bërë pika kyçe e debatit rreth asaj se si SHBA-të po përballen me të dyshuarit për terrorizëm në periudhën pas sulmeve të 11 shtatorit.

Trembëdhjetë vjet prej para burgosjes së tij, ende nuk ka ndonjë të dhënë se kur mund të fillojë procesi gjyqësor. Seancat për të paraburgosurit e Guantanamos janë pezulluar në vitin 2015 kur një i dyshuar si terrorist, Ramzi bin al-Shibh, arriti t’iu kalojë mesazhe familjes së tij në Jemen përmes këshillit të tij mbrojtës, duke ngritur kështu shqetësimet se të paraburgosurit ende mund të dërgonin mesazhe të koduara drejt Al Kaidës.

Mirëpo, siç e thotë edhe Arun Rath nga Radio Publike Ndërkombëtare, kjo nuk ishte shtyerja e parë dhe se proceset në Gjirin e Guantanamos vërtiten më shumë rreth debatit për statusin ligjor dhe trajtimin e të paraburgosurve se sa për vet sulmet e 11 shtatorit.

“Gjykata është dashur të merret me zbulimin e mikrofonëve të fshehur nëpër dhoma ku të pandehurit mbanin bisedat e tyre të fshehta me avokatët e tyre; por, edhe me autoritetet që “grabisnin” qelitë e të pandehurve derisa ata kanë qenë në gjykatë; dhe, për habinë e gjykatësve, është dashur të merret edhe me ekzistimin e një censori misterioz dhe të padukshëm, që pengonte transmetimin e zërit nga salla e gjykatës”.

Rath gjithashtu sugjeron se narrativa gjatë seancave mund të ndryshojë. Gjatë kësaj jave, prokurori Ed Ryan ia ka kërkuar gjykatësit, James L. Pohl, që të lejojë gjykatën të dëgjojë dëshmitë e familjeve të viktimave – para se procesi të fillojë. Ky është një hap i pazakonshëm, pasi deklarimet në gjykatë do të bëhen publike dhe hipotetikisht mund të jenë të qasshme nga anëtarët e mundshëm të jurisë.

Rath këtë e sqaron kështu:

“Gjatë një paraqitjeje me plot pasion, prokurori, Ed Ryan i është referuar dy dëshmitarëve të cilët qeveria e ka pasur qëllim t’i ftojë në seanca, por që gjatë muajve të fundit kanë vdekur. ‘Proceset e jetës po ndodhin dhe ato mund të ndodhin shpejtë’, ka thënë Ryan, duke argumentuar se ata duhet të regjistrojnë paraqitjet e dëshmitarëve tani, se sa ‘të rrinë ulur duke pritur që shëndeti i lig të shfaqet.’ Ai më pas përmendi 10 dëshmitarë të mundshëm që janë në moshë të shtyer dhe që kanë shqetësime shëndetësore.

“Në aspektin e gjërë, Ryan tingëllonte sikur po bënte përpjekje që të ndryshojë narrativën e seancave. Gjykata deri më tash ka dëgjuar ‘mjaft rreth trajtimit të të akuzuarve...fjala “torturë” është përdorur mbi 500 herë,’ ka thënë ai, derisa ka nënvizuar se fjala ‘9/11’, (mënyra se si në SHBA quhen sulmet e 11 shtatorit 2001), është përmendur rreth 200 herë.”

Megjithë çështjet e ndjeshme ligjore dhe morale të cilat i gjen në Gjirin e Guantanamos, prokurori duket se bënte përpjekje që t’ia kujtojë gjykatës dhe ndoshta popullit amerikan se i tërë qëllimi prapa burgut të famshëm është të mbyll ata persona që më së shumti e kanë mundësinë të realizojnë edhe një tmerr tjetër si ai i 11 shtatorit 2001.

Mirëpo, ne nuk kemi përjetuar askund një tjetër sulm të ngjajshëm të të njëjtit nivel, aq më pak në tokën amerikane, gjatë 15 vjetëve prejse u bën sulmet e 11 shtatorit 2001. Cilat janë mundësitë e një tjetër sulmi të llojit çfarë ishin ato të 11 shtatorit 2001, dhe a është e mundshme që të llogarisim rëndësinë e të pandehurve që ende mbahen të mbyllur në Gjirin e Guantanmos?

Ka shumë arsye pse nuk kemi përjetuar sulme të tjera si ato të 11 shtatorit 2001. Al Kaida që e ka themeluar Osama bin Laden në fund të viteve të ’90 nuk i ngjanë organizatave terroriste që ekzistojnë sot. Grupet terroriste përndiqen kudo që bëjnë përpjekje të vendosen. Aeroplanët amerikanë pa ekuipazh i përndjekin terroristët nga Afrika në Azi, ndërsa bastisjet si ajo që çoi deri tek vrasja e bin Ladenit demonstrojnë se edhe kufijtë ndërkombëtarë nuk i mbajnë të sigurt terroristët. Kjo, megjithatë, nuk do të thotë se terroristët nuk e kanë ndonjë vend ku mund të fshihen; por, më nuk ekziston një shtet ku ata mund të jetojnë pa e pasur nevojën që të fshihen. Kjo është arsyeja pse këto grupe tashmë janë të fokusuara që të krijojnë organizata në formë të shteteve në vende si Jemeni, Libia dhe natyrisht Siria dhe Iraku: Asnjë qeveri normale në botë nuk do të mirëpriste këto grupe terroriste njëjtë, siç kanë bërë talibanët në Afganistan.

Lajmi i mirë është se sulmet në formën çfarë u bënë ato të 11 shtatorit 2001 janë bërë më të vështira në aspektin logjistik për t’u kryer. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, hulumtuesi rreth Lindjes së Mesme në Qendrën për Sigurinë e Re Amerikane, Nicholas A. Heras, ka thënë se të dhënat e inteligjencës amerikane tashmë ndahen me të tjerët ndërsa përpjekjet kundër terrorizmit koordinohen në nivelet federale, shtetërore dhe lokale. Ka ndarje agresive të të dhënave të inteligjencës, ka procedura të kontrollit nëpër aeroporte dhe porte detare dhe nëse janë të nevojshme edhe operacionet kundër terrorizmit gjithashtu koordinohen me partnerët e vendeve të tjera.

Sipas Heras, sulme të sofistikuara si ato të 11 shtatorit 2001 kërkojnë shumë koordinim në mes të sulmuesve në nivele të ndryshme dhe kështu është më e lehtë që ato të ndalohen nga SHBA-të dhe aleatët e saj. Heras dhe eksperti tjetër me të cilin ne jemi konsultuar, Kyle Orton, hulumtues në “Henry Jackson Society”, janë pajtuar se mundësia për të shpërthyer një bombë në një aeroplan mbetët e madhe; mirëpo marrja nën kontroll e aeroplanëve, siç ndodhi më 11 shtator 2001, si dhe sulmet komplekse e të koordinuara mesiguri që tashmë i takojnë të kaluarës. Heras gjithashtu ka nënvizuar se edhe fati ka luajtur rol që disa sulme të shmangen.

Mirëpo, terrorizmi mbetet ende mjaft i gjallë. Sulme të mëdha dhe të sofistikuara si ato të 11 shtatorit 2001 janë zëvendësuar me sulme që kërkojnë bomba të prodhuara në shtëpi dhe armatim të gatshëm që u përdorën në sulmet e Parisit, Brukselit dhe para tyre në sulmin e kryer në Mumbai në vitin 2008.

Sulmet e 11 shtatorit 2001 i dhanë Al Kaidës imazhin gati mistik të një organizate terroriste të plotëfuqishme ndërkombëtare, sikur të ishte organizata ‘Cobra’ në botën e imagjinuar të ‘G.I.Joe’. Për muaj të tërë, apo vite, çdo aeroplan në qiell është parë si kërcënim potencial, çdo ndërtesë e lartë dhe me rëndësi është parë si cak potencial. Për fat të keq, terrorizmi ka evoluar. Sulmet e vogla të dekadës së fundit janë më të tmerrshme dhe më vështirë për t’i ndalur pasi secili që mundet ta përdor një armë përbën kërcënim. Çdo shtëpi e mallrave, kafiteri apo kinema është cak potencial.

Edhe më keq akoma, organizatat terroriste janë shumuar gjatë viteve të fundit, dhe ato janë fokusuar më shumë në krijimin e organizatave që funksionojnë si shtete në Lindje të Mesme dhe vende të tjera se sa që të kryejnë sulme në perëndim. Ato gjithashtu e kanë vënë në përdorim një strategji që nxit t’i bashkohen personat që jetojnë në SHBA dhe Evropë që këta të fundit t’i kryejnë sulmet në emër të tyre. Heras këtë e sqaron kështu:

“Lëvizja globale xhihadiste si tërësi është më e përhapur dhe kontrollon më shumë territore se sa para sulmeve të 11 shtatorit 2001. Këtu përfshihet edhe ngritja e organizatës Shteti Islamik në Siri, Irak dhe Libi. Shumica e grupeve më të vogla të lëvizjës globale xhihadiste, të cilat identifikohen me Al Kaidën apo ISIS, apo ndonjë organizatë tjetër, në përgjithësi janë më të fokusuara se sa Al Kaida e bin Ladenit e cila kontrollonte territore lokale, ndërtonte entitete që mund të përdoreshin për mbulim komuniteti të rrjeteve globale xhihadiste për të planifikuar sulme në SHBA dhe çdo herë e më shumë në Evropë.

“Në veçanti, ISIS e ka zhvilluar një formë më të avancuar të kërcënimit të parandaluar strategjik kundër partnerëve në Evropë të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-të, dhe atë prej Lindjes së Mesme, nga baza territoriale e saj në Siri dhe Irak, më tepër se sa al Kaida kishte mundësi në Sudan dhe Afganistan, apo mundësitë që i ka tani në Jemen dhe atë mundësitë që po mundohet t’i krijoj në krahinën siriane të udhëhequr prej tyre në Idlib. Rrjeti i ISIS-it në Evropë që ka kryer sulmet në Paris dhe Bruksel janë shembull i kërcënimit që e paraqet kjo organizatë. Edhe në kohën kur po humbet territore në Siri dhe Irak, ata vazhdojnë të paraqesin kërcënim strategjik kundër perëndimit, apo më mirë të thuhet SHBA-ve drejtpërdrejt.”

Kyle Orton, hulumutes në “Henry Jackson Society” pajtohet me këtë vlerësim.

“IS ka arritur që të inspirojë persona të vetmuar në mënyrë që Al Kaida ka dështuar ta bëj, dhe IS me kënaqësi merr meritat për këto sulme që janë kryer nga njerëz që kanë qenë adhurues të rinj në moshë, me aftësi të vogla dhe pa ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me organizatën”, i ka thënë ai Radios Evropa e Lirë. “Këto janë dallimet mikroskopike në mes të al Kaidës dhe IS në konceptët e tyre të xhihadit: Për al Kaidën, koncepti është një ndjekje elitiste e pararojës; ndërkaq për IS, koncepti është më shumë një përpjekje e ‘demokratizuar’.”

Në shumë mënyra kjo e fundit është shumë më e vështirë për t’u ndalur. Një fjalim i mbajtur në Siri apo Jemen, i shpërndarë përmes internetit mund të inspirojë sulme terroriste në anën tjetër të globit pa pasur nevojë që të koordinohen dhe financohen nga terroristët e Lindjes së Mesme.

Virtualisht askush nuk mund të argumentojë kundër nocionit se shpërbërja e al Kaidës së Osama bin Ladenit e ka bërë botën më të sigurt, mirëpo ideologjia e terrorit nuk është mundur ende. Të paraburgosurit në Gjirin e Guantanamos vazhdojnë të paraqesin kërcënim. Heras dhe Horton nënvizojnë se Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare vlerëson se një e treta e të burgosurve që janë liruar nga Gjiri i Guantanamos dhe janë kthyer në vendet e tyre kanë kryer sulme terroriste.

Kjo është arsyeja që administrata e Obamës, edhe në kohën kur bënte presion për mbylljen e këtij burgu, nuk ka kërkuar që të gjithë të paraburgosurit të kthehen në vendet e tyre. Shumica e të mbeturve në këtë burg thuhet të jenë “më të këqinjtë e mundshëm”, të cilët eventualisht mund të dërgohet në ndonjë burg me siguri maksimale brenda territorit të SHBA-ve për të vazhduar dënimet. Gjasat më të mëdha janë që asnjë prej tyre nuk do të dërgohet në vendin e origjinës.

Por, si rezultat i “demokratizimit” të terrorizmit, fati i atyre që janë të mbyllur në Gjirin e Guantanamos, nuk pritet të ketë ndonjë ndikim në luftën kundërt terrorit. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG