Ndërlidhjet

Shërbimi Klinik Universitar pa barna


Ilustrim
Ilustrim

Mungesa e barnave nga lista esenciale në institucionet publike shëndetësore, vazhdon të jetë shqetësuese, si për pacientët ashtu edhe për stafin mjekësor. Ndonëse, sipas zyrtarëve shëndetësorë, gjatë vitit 2015 ka pasur furnizim të mirë me barna, viti 2016, ka shënuar rënie.

Një rënie e tillë vlerësohet se vjen si pasojë e alokimit të buxhetit për barna në vlerë prej 15 milionë euro, nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës në Ministrinë e Shëndetësisë.

Curr Gjocaj, drejtor i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë të pakënaqur me pamjaftueshmërinë e buxhetit, ku, siç thotë ai, qysh në fillim të planifikimit të blerjes së barnave, iu mungojnë 5 milionë euro.

“Sa i përket listës esenciale, tashmë buxheti ka kaluar nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës në Ministrinë e Shëndetësisë. Ne jemi të pakënaqur me pamjaftueshmërinë e buxhetit, pasi që në start mungojnë 5 milionë euro dhe që në fillim jemi të detyruar të bëjmë lajme jo të plota. Pastaj, kalimi i buxhetit nga një institucion në tjetrin, borxhet e një organizate në tjetrën dhe kështu kanë ndodhurvonesat”, thotë Gjocaj.

Kryetari i Sindikatës Federale të Shëndetësisë, Blerim Syla, thotë se me bartjen e buxhetit nga QKUK-ja, në Ministrinë e Shëndetësisë, është formuar një kaos, nga i cili, sipas tij, më së shumti kanë pësuar pacientët për shkak të mungesës së theksuar të barnave.

“Pas ndarjes së buxhetit nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë me vendim të Parlamentit, muaj më parë, është shkaktuar një kaos i vërtetë në QKUK. Politika, mendoj se ka bërë një gabim të madh, sa i përket transferimit të buxhetit, pasi që nuk ka pasur vërejtje nga auditorët”.

“Tash pacientët kanë pësuar, pasi edhe gjërat më elementare mungojnë dhe të gjitha duhet t’i blejnë vetë. Unë, si kryetar i Federatës, por edhe si mjek gjinekolog , mendoj se kjo gjendje nuk është e përkohshme dhe kjo e çrregullon punën e përditshme të mjekëve”, thekson Syla.

Sipas tij, Qeveria duhet t’i qartësojë situatat mirë dhe jo të krijojë procese burokratike, të cilat po e pengojnë furnizimin me barna.

Po për mungesën e barnave flasin edhe pacientët. Njëra nga to, Shpresa Krasniqi, e cila ishte e shtrirë në Klinikën Infektive, thotë se po detyrohet t’i blejë edhe gjërat më esenciale.

“I blejmë të gjitha, prej epruvetave për ta vendosur gjakun e deri tek antibiotikët. Asnjë ilaç të mundshëm në Klinikën Infektive nuk e gjetëm. Nuk jam e kënaqur as me shërbim. Qasja deri te mjeku është tepër e vështirë. Analizat laboratorike, gjithashtu, shumicën duhet bërë privat. Me një fjalë, aspak nuk jam e kënaqur”, shprehet Shpresa.

Në anën tjetër, Curr Gjocaj, drejtor i Qendrës Klinike Universitare e Kosovës, vlerëson se furnizimi me barna nuk është edhe i keq.

“Tash për tash, barna ka pasi që porositë janë bërë më herët, por mungesat nëpër klinika vazhdojnë të jenë akoma”, thekson ai.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se alokimi i buxhetit nga një institucion në tjetrin ka qenë kërkesë e donatorëve dhe është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Faik Hoti, drejtor i Departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, jep hollësi të tjera:

“Buxheti për barna dhe material shpenzues ka qenë kërkesë decidive e komunitetit të donatorëve, të cilët kanë dashur që të ketë një ndarje midis ofruesit të shërbimeve dhe atyre që do t’i kontraktojnë përmes fondit të sigurimeve shëndetësore. Ministria e Shëndetësisë e ka ngritur në nivele më të larta politike dhe Kuvendi i Kosovës ka qenë institucioni, i cili ka qenë për këtë ndarje të tillë të buxhetit për shëndetësinë”.

Sidoqoftë, për vitin 2015, buxheti për barnat në Kosovë është rritur për 14.5 milionë euro më shumë, duke e ngritur buxhetin përafërsisht në 35.5 milionë euro. Në vitin 2014, buxheti për barna kishte qenë rreth 21 milionë euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG