Më shumë se 60 zyrtarë po hetohen nga prokuroria speciale për përfshirje në vepra të rënda penale, kryesisht të kriminalitetit financiar, kanë bërë të ditur përfaqësuesit e kësaj prokurorie, në paraqitjen e parë që nga tërheqja e pjesshme e vendimit të presidentit për faljen e zyrtarëve.
Procedura kundër këtyre personave, por edhe të tjerëve që mund të jenë objekt hetimi, nuk është ndërprerë, edhe pse është vështirësuar me vendimin selektiv të presidentit të shtetit, ka deklaruar prokurorja Lençe Ristevska.
“Vendimi për falje dhe më pas ai për tërheqjen e pjesshme të faljeve më duhet të them se kanë vështirësuar zbatimin e sundimit të së drejtës në vend, pasi kemi qasje selektive. Duhet të na mundësohet qasje e barabartë, jo selektive, të kemi duar të lira për të vepruar, për të hetuar të gjitha rastet që kemi ngritur, por edhe të tjerat që mund të hapim, varësisht hetimeve që kanë për bazë materialet e përgjuara telefonike”, ka deklaruar Ristevska.
Ajo tha se prokuroria speciale ende nuk ka marrë përgjigje lidhur me shumë pyetje që i janë drejtuar presidentit e ndër më kryesorja se nga i ka marrë emrat e personave që ka falur, kur për ta askush nuk ishte në dijeni përveç prokurorisë speciale.
Ajo ka pranuar se prokuroria nuk i është përmbajtur afateve për nisjen e proceseve gjyqësore ndaj të dyshuarve, por kjo, sipas Ristevskës, është pasoja e angazhimit të madh që ka prokuroria në grumbullimin e provave të shumta.
Veç kësaj, sipas prokurorisë speciale, punën e ka penguar edhe vendimi i presidentit, nga i cili ka kërkuar që sa më shpejt të jetë e mundur të tërheq edhe vendimet tjera të faljes dhe të gjitha personat e dyshuar për vepra të ndryshme penale të përgjigjen para drejtësisë. Përveç nga presidenti, Ristevska tha se pengesa dhe refuzimi bashkëpunimi ka edhe nga institucionet tjera.
“Kur jemi të mosbashkëpunimi me organet shtetërore më duhet të them se kemi probleme të shumta, që nga refuzimi i dorëzimit të dokumenteve të kërkuara nga ana jonë, apo edhe nga interpretimi i ndryshëm i ligjeve që zvarrisin procedurat që kemi nisur”, tha Ristevska, duke refuzuar ndërkohë të komentojë akuzat e zyrtarëve se prokuroria speciale punon në mënyrë selektive dhe se është vënë në shërbim të opozitës.
Në shënjestër të prokurorisë janë zyrtarët më të lartë të partisë në pushtet, VMRO DPMNE, kryetari i saj, Nikolla Gruevski, ish-ministrat Gordana Jankullovksa dhe Mile Janakisevsi, ish-kreu i drejtorisë për zbulim dhe kundërzbulim, Sasho Mijallkov dhe shumë zyrtarë të tjerë të dyshuar për keqpërdorime të shumta, afera financiare, presione ndaj gjykatave, mediave, mashtrime zgjedhore, konfrontim fizik me kundërshtarët politik dhe vepra tjera.
Të gjitha këto personalitete të larta u gjenden në listën e faljeve të presidentit, për t'i pamundësuar prokurorisë speciale ndjekjen e tyre. Por, pas reagimeve të shumta të bashkësisë ndërkombëtare dhe protestave të opozitës, që po zgjasim më shumë se një muaj, presidenti me ndihmën e ndryshimeve ligjore të miratuara nga partitë në pushtet, tërhoqi vendimet për falje, por jo të tërat duke lënë sërish pengesa në punën e prokurorisë.
Ndryshe, nga prokuroria speciale sërish paralajmëruar nisjen e hetimeve edhe për rastin “Monstra”, të vrasjes së pesë të rinjve maqedonas, e për të cilët me burgim të përjetshëm janë dënuar gjashtë shqiptarë. Nga prokuroria thonë se nuk do të kursehet askush ndaj ndjekja penale dhe të gjithë shkelësit e ligjit do të nxirren para drejtësisë. (REL)
Facebook Forum