Ndërlidhjet

Prishtina dhe Tirana duan avancim të dialogut me Serbinë


Takimi i qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:49 0:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama, kanë theksuar se avancimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të shërbejë në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit të Ballkanit.

Ata thanë se përkushtimi për dialog e “bën Kosovën vendin e paqes”. Mustafa e Rama, i bënë këto komente në takimin e tretë të përbashkët të qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë, në kuadër të, siç thuhet, bashkëpunimit rajonal dhe nxitjes së zhvillimit.

“Vlerësoj se kjo mbledhje jona, përveç tjerash, do të jetë shtytëse e procesit përpara sa kualitativ aq edhe të domosdoshëm, të procesit të normalizimit të marrëdhënievefqinjësore në Ballkan. Ky është proces euro integrues, për të cilin ne jemi të përkushtuar gjithnjë. Ne jemi për dialog me të gjithë, edhe më Serbinë. Heqja dorë nga dialogu me të tjerët është një kthim në monolog anti historik, izolim dhe përjashtim i proceseve progresive”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Homologu i tij shqiptar, Edi Rama, në fjalën hyrëse në mbledhjen e qeverive të të dyja vendeve, inkurajoi udhëheqësit e institucioneve të Kosovës që të vazhdojnë dialogun me Serbinë, me qëllim të hapjes së mundësive për vendin.

“Shqipëria e mbështet pa asnjë ngurrim avancimin e dialogut të Kosovës me Serbinë, si një mënyrë për të thelluar bashkëpunimin në rajon, duke imponuar të gjithë një koordinim më të ngushtë mes nesh. Në anën tjetër ne e kemi inkurajuar dhe inkurajojmë gjithmonë lidershipin tuaj të shkojë përpara në këtë dialog, sepse është një dialog që ndoshta më shumë se asgjë tjetër e lartëson Kosovën dhe dijen shtet formuese të Kosovës dhe vizionin e Kosovës si një vend i paqes dhe harmonisë në sytë e të gjithë partnerëve dhe miqve të Kosovës”, ka theksuar Rama.

Në kuadër të bashkëpunimit rajonal, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, e ka theksuar edhe çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Sipas kryeministrit Mustafa, Kosova ka një qasje korrekte me Malin e Zi rreth demarkacionin të kufirit.

“Ne nuk po i falim dhe nuk po i marrin as një metër katrorë Malit të Zi, vetëm se po e shënojmë vijën e mëparshme administrative dhe atë po e shndërrojnë në vijë kufitare në mes dy shteteve sovrane”, ka theksuar .

Kryeministri Mustafa dhe Rama në fjalimet e tyre me një theks të veçantë kanë folur për proceset integruese të dy shteteve drejt Bashkimit Evropian.

“Afrimi dhe bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk ka qenë më i mirë sesa në këtë epokë, sepse ne tani e kemi të njëjtë orientimin tonë politikë, atë të integrimeve euroatlantike, i kemi të njëjtë gjuhën ekonomike atë të integrimit të lirë dhe konkurruese, por edhe gjuhën shtetërore atë të forcimit të shtetit të së drejtës, luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, ka theksuar Mustafa.

Integrimi i vendeve të Ballkanit perëndimor, ka theksuar në anën tjetër kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është një domosdoshmëri për një Evropa të sigurt.

“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm në çdo moment se duhet të jemi bashkë për të nxitur partnerët evropian të kuptojnë deri në fund dhe të pranojnë si të pashmangshme nevojën e integrimit sa më të shpejt të Ballkanit jo si një nevojë e jona por si një projekt strategjik evropian, jo si nja vazhdë e një procesi të burokratizuar integrimi, por si një domosdoshmëri për një Evropa të sigurt me një Ballkan të integruar në të”, ka theksuar Rama.

Ndryshe, mbledhja e tretë e përbashkët e dy qeverive, të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, është parë si një mundësi e mirë për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme ndërmjet dy shteteve.

Në mbledhjen e tretë të dy qeverive janë nënshkruar nëntë marrëveshje, të cilat në të shumtën e rasteve janë në funksion të lehtësirave dhe barrierave që kanë bizneset e këtyre dy shteteve dhe ngritjes se zhvillimit ekonomik.

Ndryshe, marrëveshjet të cilat janë nënshkruara në dy mbledhjet e mëparshme të dy qeverive, dy kryeministrat kanë konsideruar se kanë gjetur zbatim dhe kanë shërbyer në funksion të zhvillimit ekonomik të të dyja vendeve.

Marrëveshjet e nënshkruara në atë kohë mes dy qeverive kanë qenë për bashkëpunim dhe lehtësim të tregtisë dhe marrëveshje për bashkëpunim në fushat e transportit dhe infrastrukturës.

Në veçanti, kryeministrat e të dy vendeve kanë theksuar se shkëmbimet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë rritur pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve.

Mbledhja e përbashkët e dy qeverive, të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, ishte mbajtur për herë të parë në Kosovë në janar të vitit të vitit 2014 dhe ishte vlerësuar si mbledhje që ka vënë gurin themeltar për hapjen e një rruge të re për zhvillimin e gjithanshëm ekonomik, social dhe kulturor në këto dy shtete.

(REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG