Ndërlidhjet

Maqedoni: Pa reformim të medieve s’ka zgjedhje të besueshme


Ilustrim
Ilustrim

Ekspertë të medieve në Maqedoni thonë se kriza politike në vend e ka rënduar sistemin e informimit publik dhe përgjithësisht informimin e drejtë dhe objektiv. Sipas tyre, në mediet vendore mungon një qasje e gjithëpërfshirjes së zhvillimeve në Maqedoni.

Një eksperte e medies në Shkup, Snezhana Tërpeska, thotë se mediet në Maqedoni edhe më shumë kanë krijuar ndasi në shoqëri, meqë një pjesë e tyre është pozicionuar mbrojtëse e politikave shtetërore. Në anën tjetër, thotë ajo, është media që mundohet të informojë në formë të balancuar por që nga pushteti akuzohet si e afërt me opozitën.

“Mediat të cilat janë më me influencë nuk pasqyrojnë në formë të balancuar qëndrimet e ndryshme të partive politike në vend, veçanërisht kur bëhetfjalë për tema të caktuara të ndjeshme, të cilat ishin aktuale gjatë kohës së fundit, siç është vendimi për falje nga ana e Presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, protestat e qytetarëve, përkatësisht “revolucioni shumëngjyrësh”, puna e prokurorisë speciale publike, etj.”, thotë Tërpeska.

Nga ana tjetër, Sefer Tahiri, ligjërues i shkencave të medieve në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, vlerëson se partitë politike në pushtet mbajnë përgjegjësinë për nivelin e medieve në vend dhe të cilat vazhdojnë t’i konsiderojnë mediet si instrumente politike për realizimin e qëllimeve dhe artikulimin e interesave të tyre politike.

“Konsideroj se një pjesë e medieve janë bukur mirë të korruptuara, duke marrë shuma të majme të parave në emër të të ashtuquajturave reklama qeveritare...kjo ndikon që në Maqedoni të kemi shumë pak gazetarë të cilët tentojnë t’u përmbahen standardeve profesionale dhe normave etike që kanë të bëjnë me objektivitetin, ndershmërinë, paanshmërinë, informimin e balancuar, etj...dhe nga ana tjetër kemi gazetarë të cilët shfaqen si “mercenarë” e të cilët përmes profesionit si gazetarë targetojnë shuma të mëdha të parave, sepse vihen në mbrojtje të politikave të qeverisë”, vlerëson Tahiri.

Ai thotë se bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar përmirësimin e klimës së punës për mediet, por është e vështirë, sipas tij, që në një periudhë afatshkurtër të ndryshojnë gjërat.

“Një shpresë të vogël e shoh tek përforcimi i kapaciteteve profesionale dhe kapacitetet funksionale sa i përket vetërregullimit, përkatësisht këshillit të etikës së medieve në Maqedoni”, thotë Tahiri.

Ndryshe, do theksuar se nga shtyllat kryesore të marrëveshjes politike mes liderëve të katër partive kryesore ishte dhe reformimi i medieve, pikë kjo për të cilën nuk u arrit ujdi mes përfaqësuesve politikë.

Çështja e medieve ishte dhe një nga argumentet kryesore të opozitës se pse duhet anuluar zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të caktuara njëherë më 24 prill, dhe më pas më 5 qershor, duke theksuar se nuk mund të ketë zgjedhje të besueshme pa reformim të medieve. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG