Ndërlidhjet

Në rritje numri i fëmijëve 12 vjeçarë që përdorin drogat


Ilustrim
Ilustrim

Organizatat joqeveritare që merren me trajtimin e përdoruesve të substancave narkotike vlerësojnë se janë rreth 5 mijë përdorues aktiv të këtyre substancave në Kosovë, derisa shtojnë se janë rreth 25 mijë përdorues në tërësi.

Mosha mesatare e atyre që fillojnë për herë të parë të abuzojnë me narkotikë ka rënë në moshën 12 vjeç. Kështu thotë Safet Blakaj, drejtues i Qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”.

“Numri i përafërt i përdoruesve problematikë të substancave narkotike sillet rreth 5 mijë persona. Këtë e ka verifikuar së voni edhe një hulumtim i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.”

“Mosha e përdoruesve ka rënë dukshëm, pra është mosha 12 vjeçare ajo që përdor drogën e tipit kanabis. Muajt e fundit, kanë filluar edhe rastet e para për trajtim nga kokaina. Ky është një problem që na pret në një të ardhme të afërt; pra, përdorimi problematik i kësaj droge”, thotë Blakaj.

Pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve të rendit që të parandalohet përdorimi dhe shitja e drogave, organizatat joqeveritare konsiderojnë se qasja deri te shitësit e drogave nuk është shumë e vështirë, gjë që është shqetësuese.

Ato konsiderojnë se mungesa e një koordinimi të duhur të shumë mekanizmave institucionalë bën që kjo çështje të mos parandalohet.

Ndërkaq, Blakaj ka folur për Radion Evropa e Lirë edhe për substanca narkotike të reja në tregun e Kosovës, të cilat vështirë po luftohen.

“Gjithashtu edhe droga ‘speed’ , e që nuk ka qenë më herët në skemën e drogave në Kosovë, ka filluar të përdoret shumë nga të gjitha grupacionet. Drogat e reja janë ato që ne nuk i dimë, e që janë problematikë në vete, dhe vështirë përballohen edhe në shtetet e BE-së. Këto lloje po keqpërdoren”, thotë ai.

Autoritetet e rendit në Kosovë kanë deklaruar se Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në funksion të zbatimit të strategjive për luftimin e krimit të organizuar, veprave të ndryshme ilegale, e posaçërisht realizimin e objektivave të saj në luftën e pa kompromis kundër trafikimit me narkotikë, ka ndërmarr një numër të madh të operacioneve policore në nivel vendi.

Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, jep hollësi të tjera.

“Policia e Kosovës në vazhdimësi ka treguar gatishmëri për një bashkëpunim me shtetet e rajonit dhe më gjerë dhe si rezultat i këtij bashkëpunimi, me ato kompetenca ligjore që ka, janë realizuar edhe operacione të përbashkëta policore në nivel rajonal, dhe janë shënuar edhe rezultate konkrete në arrestimin e personave të dyshuar dhe në shkatërrimin e grupeve të ndryshme kriminale”, thotë Hoxha.

Vetëm gjatë periudhës Janar-Prill 2016, Policia e Kosovës ka trajtuar mbi 218 raste, ku të përfshirë kanë qenë mbi 300 persona te dyshuar, ndërsa gjatë kësaj periudhe janë konfiskuar mbi 180 kilogramë marihuanë, mbi 10 gramë heroinë, pastaj edhe një sasi e kokainës. Hoxha tregon se si rezultat i operacioneve policore gjatë kësaj periudhe janë arrestuar mbi 250 persona të dyshuar.

Sidoqoftë, sipas Blakaj, dy vitet e fundit ka rënë numri i përdoruesve të substancës narkotike heroinë, gjë që ai e cilëson si lajm të mirë.

Në Policinë e Kosovës thonë se është e rëndësishme të potencohetse anëtarësimi i Policisë së Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë, si Europoli, Interpoli etj. do të jepte rezultate edhe më të mira në funksion të luftimit të krimit të organizuar në përgjithësi dhe trafikimit me substanca narkotike në veçanti, si dhe do të eliminonte çdo barrierë që ndikon në luftimin e këtyre dukurive të dëmshme, të cilat tejkalojnë kufijtë vendorë.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka miratuar një strategji për periudhën kohore 2012-2017, në kuadër të luftimit të drogave, krimit të organizuar, terrorizmit, si dhe ruajtjes dhe kontrollit të kufirit shtetëror.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG