Mali i Zi dhe NATO-ja sot e nënshkruajnë marrëveshjen për pranim, duke e hapur rrugën që ky vend ballkanik të bëhet anëtari i 29 i aleancës.
“Kjo është një ditë historike për aleancën, Malin e Zi dhe për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, tha dje sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe ka shtuar se “zgjerimi i NATO-s me Malin e Zi konfirmon se dera e NATO-s është e hapur”.
Pas Shqipërisë dhe Kroacisë, Mali i Zi është vendi i tretë ballkanik që anëtarësohet në NATO.
Zoti Stoltenberg theksoi se në NATO ekziston “mbështetje e fuqishme” për anëtarësimin e Malit të Zi, përkundër kërcënimeve nga Rusia.
Moska e konsideron lëvizjen e NATO-s gjithnjë e më afër kufirit të saj si kërcënim.