Ndërlidhjet

MSA, gjenerim apo shkurtim i vendeve të punës


Ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve në Kosovë japin mendime të ndryshme lidhur me ndikimin e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit në gjenerimin e vendeve të punës.

Përderisa ekspertë të ekonomisë shprehen të bindur se zbatimi i MSA-së, do të mundësojë krijimin e vendeve të shumta të punës, përfaqësuesit e bizneseve janë skeptik se kjo do të mund të ndodh.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi në një prononcim dhënë për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se krijimin i vendeve të reja të punës do të ndodh si rezultat i ardhjes së investitorëve të huaj në Kosovë.

Sipas Gashit, këta investitorë potencial që do të investonin në Kosovë do të hapnin mijëra vende të punës, andaj edhe do të zhvillonin sektorin e prodhimit dhe më pas prodhimet e tyre do t’i eskortonin në Bashkimin Evropian.

“Funksionalizmi i MSA-së ka hapur shtigje të reja për prodhuesit kosovarë, por gjithashtu edhe për investitorët e jashtëm, për arsye se Kosova është bërë pjesë e një tregu prej 500 milionë konsumatorë në mbarë Bashkimin Evropian. Kompanitë nga Kosova tani më kanë qasje të pakufizuar në një treg prej 500 milionë banorë dhe kjo hapë mundësi të reja jo vetëm për afarizëm, por edhe në hapjen e vendeve të reja të punës”, thekson Gashi.

Marrëveshja për Stabilizim Asocim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës ishte nënshkruar më 27 tetor të vitit 2015, derisa ka hyrë në fuqi më 1 prill të këtij viti.

Në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, Komisioni Evropian, nëpërmjet fondeve të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA), deri në vitin 2020 do të investojë në Kosovë, mbi 600 milionë euro.

Komisioneri për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, gjatë një konference që ishte zhvilluar të martën në Prishtinë ka theksuar se Marrëveshja e Stabilizim Asocimit është mundësi shumë e madhe për gjenerimin e mijëra vendeve të punës.

Por, lidhur me këtë përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë, konsiderojnë se numri edhe më i madh i produkteve të vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat do të hyjnë në Kosovë, do të mund të ndikojnë në uljen e nivelit të prodhimit në Kosovë.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesitm, Agim Shahini, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se MSA-ja është një perspektivë për vendet e zhvilluara dhe vendet që kanë politika zhvillimore më të avancuara, sesa që Kosova ka aktualisht.

“Deklarimet e komisionarit Hahn se MSA hap vende të reja të punës duhet të merren me rezerva. Nëse ka investime dhe ka eksport të prodhimeve kosovare atëherë mund të ketë vende të reja të punës, pasi që do rritet kërkesa për prodhim. Megjithatë, kjo e ka edhe pjesën tjetër se mund të mbyllen vende të reja të punës, për shkak të konkurrencës që do të vjen nga kompanitë e fuqishme të BE-së”, thotë Shahini.

Kohë më parë, edhe drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian në Kosovë, Shpend Balija, pati thënë për Radion Evropa e Lirë, se ulja e nivelit të prodhimit tek kompanitë vendore, mund të vijë nga konkurrenca e madhe e produkteve të vendeve të Bashkimit Evropian.

Sipas tij, kjo ulje e prodhimit, mund të lë pa punë shumë të punësuar në këto kompani.

“Me hyrjen tash në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, bizneset vendore kanë një mundësi shumë të mirë, por, në të njëjtën kohë këto biznese kanë një sfidë sa i përket konkurrueshmërisë, sepse produktet evropiane do të vinë dhe do të bëjnë garë direkt me kompanitë vendore, dhe kjo mund të çojë edhe deri tek aspekti negativ, ku kompanitë detyrohen të largojnë persona nga vendi i punës nëse nuk gjenerohen të hyra të mjaftueshme”, kishte potencuar Balija.

Papunësia është një nga problemet më të mëdha që ka përcjellë qytetarët e Kosovës që nga paslufta.

Të dhënat zyrtare, të cilat flasin për vitin 2014, tregojnë se papunësia në Kosovë është mbi 35 për qind.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG