Ndërlidhjet

Në mes të dy botëve: Si e shohin serbët Rusinë dhe BE-në?


Ilustrim
Ilustrim

Njerëzit serbë, sikurse edhe liderët e tyre politik, duket se janë në dy mendje sa i përket këndvështrimit të tyre për botën. Sipas një ankete të realizuar kohëve të fundit, 42 për qind e serbëve të rinj në Serbi do të donin ta shihnin një sistem politik rus të zbatohet në vendin e tyre.

Por, në anën tjetër, kur ata u pyetën se cili është vendi i tyre ideal për të jetuar, 70 për qind e të anketuarve ndërmjet 18 dhe 35 vjeç zgjodhën SHBA-në ose Evropën.

Duket qartë se në këtë mes ekziston një huti. A është e mundur që një serb i ri e sheh të ardhmen e vendit si një version të Rusisë së Vladimir Putinit, e në të njejtën kohë ëndërron të jetojë në Perëndim?

Anketa, e realizuar nga Qendra për Studime Euro-Atlantike, me bazë në Beograd, konkludon se numri i qytetarëve serbë që kanë një këndvështrim pozitiv për Rusinë është në rritje. Një qytetar nga Beogradi citohet të ketë thënë: “Mendja ime është në Evropë, por zemra dhe shpirti janë në Moskë.”

Historiania e njohur, Latinka Peroviq, ia atribuon këtë mendim faktit se serbët nuk e njohin aq mirë Rusinë.

“Ata kanë vetëm një imazh të përafërt për Rusinë. Rusia është një lloj iluzioni për Serbinë. Ne duam të jemi pjesë e BE-së, por ne paramendojmë se mund të mbajmë edhe marrëdhënie të mira me Rusinë”, thotë ajo, duke shtuar se rusët dhe serbët ndajnë vizionin e një “shteti të madh” që duhet të ruhet pavarësisht çmimit, përfshirë edhe përdorimin e dhunës në vend dhe më gjerë.

Sipas analistëve, në zemër të këtij hutimi është një pyetje pa përgjigje lidhur me llojin e shoqërisë që shumica e serbëve duan ta shohin; një autokraci me një shtet që e sundon shoqërinë, apo demokratizimin e shoqërisë dhe sundimin e ligjit.

Milivoj Beslin, një tjetër historian, beson se mediat e njëanshme pro-ruse serbe janë përgjegjëse për këtë huti. Në një intervistë të vitit 2015, të publikuar në ditoren Danas, Beslin kishte thënë se të gjitha mediat, qoftë ato të kontrolluara nga qeveria apo të udhëhequra nga opozita, janë të gjitha, pa dallim, pro-ruse.

"Interesat për regjimin autokrat të Rusisë identifikohen me interesin e publikut serb në hapësirën tonë mediale”, thotë Beslin.

Sipas tij, kjo nënkupton se disa fakte të papërshtatshme asnjëherë nuk përmenden në mediat serbe. Për shembull, fakti që totali i eksportit serb në Kosovë është më i madh se ai i eksportit në Rusi. Apo fakti që Rusia nuk është më donatori më i madh i ndihmave të huaja në Serbi. Apo edhe fakti që asnjë kombi nuk i kërkohet që të heq dorë nga identiteti dhe kultura e tyre për t’iu bashkuar BE-së, përderisa në Rusi, minoritetet janë asimiluar dhe ‘rusizuar’ dhe gjuhët e tjera, përveç rusishtes, janë zhdukur.

Për shembull, Rusia i ka ofruar Serbisë kredi për të ndihmuar në blerjen e pajisjeve ushtarake ruse, por ishte Bashkimi Evropian ai që ka ofruar shumicën e asistencës për Serbinë kur vendi i përball me vërshimet shkatërruese të vitit 2014.

Ish-ambasadorja serbe në Moskë, Jelica Kurjak, nuk mendon se ndikimi rus në Serbi është në rritje.

“Kur zhgënjehesh në një opsion [BE-në], është normale që të kërkohet një opsion më atraktiv. Simpatia pro-ruse asnjëherë nuk është zbehur, as atëherë kur një shumicë e njerëzve thanë se e përkrahin anëtarësimin në BE”, thotë Kurjak.

Nëse mundohesh të ulesh në dy karrige, atëherë do të përfundosh duke u rrëzuar në hapësirën mes tyre. Kështu e përshkruan Beslin politikën e jashtme të Serbisë, që ka për qëllim të mbajë një baraspeshë ndërmjet BE-së dhe Rusisë, duke shtuar se një qëndrim i tillë nuk është i mirë për vendin.

Qendra për Shoqërinë Civile, me bazë në Serbi, ka realizuar një hulumtim lidhur me ndikimin “e butë” rusë në Serbi.

Kjo OJQ ka ardhë në përfundim se aktualisht janë 40 faqe të internetit dhe organizata në Serbi që e promovojnë Rusinë dhe politikat e saj.

Sipas drejtores së kësaj organizate, Jelena Miliq, Serbia është duke e përjetuar një stuhi të fuqishme të interesave ruse, të fokusuara në ndërprerjen e proceseve për demokratizimin e vendit dhe integrimin në BE.

Sidoqoftë, Rusia dhe simpatizuesit e saj serbë kanë qenë mjaft të zgjuar në shfrytëzimin e afiniteteve kulturore mes dy vendeve, si dhe qëllimet e përbashkëta, sikurse bllokimin e rrugës së sovranitetit të Kosovës, duke errësuar prioritetet reale ekonomike dhe politike të Serbisë, e cila do të nënkuptonte pa mëdyshje përqafim të BE-së.

Ndoshta kjo edhe e shpjegon paradoksin e anketave të fundit. Pavarësisht propagandës ruse, shumica e serbëve të rinj e shohin veten si qytetarë të Evropës, por në të njejtën kohë ata janë të magjepsur nga ideja e Rusisë, që shumë pak e njohin – një imazh të një shteti të fuqishëm e të rregullt, që natyrshëm është e prirur ndaj vëllait të saj më të vogël sllav. Një imazh i projektuar nga mediat, duke luajtur me shpresat dhe ankthet e audiencës së saj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG