Policia e Kosovës thotë se e ka arrestuar një person nga Britania “i dyshuar për veprën keqpërdorim seksual të personave nën moshën 16 vjeçare”.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se ky arrestim është bërë “me urdhërarrest evropian dhe i kërkuar nga Britania e Madhe”.
Zoti Hoxha thotë se “pas pranimit të informacioneve nga shteti i Britanisë dhe një hetimi që është bërë nga Policia e Kosovës, personi është arrestuar në qytetin e Pejës”.
Në njoftimin e zdhënësit Hoxha thuhet se për këtë zhvillim është njoftuar prokurori kompetent, ndërsa “personi i dyshuar dërgohet në mbajtje me qëllim të inicimit të procedurave për ekstradim”.
Nga ana tjetër, agjencia AFP nga Prishtina raporton se personi i arrestuar është prift katolik nga Britania dhe është i akuzuar për abuzime seksuale kundër fëmijëve në Britani.
Mëtutje, duke e cituar shefin e drejtoratit të Policisë së Kosovës për bashkëpunim ndërkombëtar, Veton Elshani, kjo agjenci raporton se ky person “është i njohur si Ati Laurence dhe është i lindur në vitin 1943”.
Zoti Elshani ka njoftuar se “prokurori publik ka urdhëruar ndalimin e tij derisa gjykata të vendos për ekstradimin e tij”.
Sipas ligjit, procedura e ekstradimit mund të zgjasë së paku 40 ditë.